
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka firmosur shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Dy ditë më parë Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut.
Propozim i cili më pas u firmos nga Prefekti i Tiranës dhe iu dërgua ditën e djeshme Këshillit të Ministrave.
Vendimi erdhi pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS më 11 shtator, ndaj këshilltarëve bashkiakë për të shkarkuar Erion Veliajn.
Në Asamble, kryeministri propozoi emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate e socialistëve për zgjedhjet e parakohshme lokale në Bashkinë e Tiranës.
Pas shkarkimit të Veliajt nga Këshilli i Ministrave, hapi i radhës është njoftimi i Presidentit të Republikës për vakancën e krijuar. Më pas, presidenti dekreton një datë për zgjedhjet e pjesshme lokale.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit, i arrestuar që prej 10 shkurtit të vitit 2025. SPAK ka mbyllur hetimet për Veliajn dhe e ka marrë zyrtarisht të pandehur me 13 akuza, për disa vepra të rënda penale.
Erion Veliaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
1. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Agi Kons” shpk, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
2. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Fusha” shpk, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
3. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Palushi” shpk, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
4. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Gerard-A” shpk, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
5. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Kontakt” shpk, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
6. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Eventus” OJF, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
7. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Muza” OJF, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
8. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “BYL-A” OJF, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
9. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me përfitimin e parregullt të marrë nga “Frobolous” OJF, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
10. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal;
11. “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal;
12. “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal;
13. “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.