web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Nis shpërndarja e materialeve

11 Tetor 2025, 11:04, Kosova & Bota CNA

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Nis shpërndarja e materialeve

KQZ në Kosovë ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.

Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materialet po shpërndahen në Qendrat Komunale të Numërimit, prej nga të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendrat e Votimit.

“Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shpërndan materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit, më 12 tetor. Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, në çdo komunë të vendit dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit”, tha ai.

Po ashtu theksoi se janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime, nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve.

“Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime, nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve”, ka deklaruar zëdhënësi Elezi.

2 milionë e 25 mijë e 105 votues do të votojnë për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna të vendit dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave, 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Nga numri i përgjithshëm, vetëm për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5,419 kandidatë, prej të cilëve 3,395 burra dhe 2,024 gra.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar nesër në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna./ CNA





Lajmet e fundit nga