web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si e humbi Joe Biden Ballkanin

7 Maj 2023, 11:02, Kosova & Bota CNA
Si e humbi Joe Biden Ballkanin
Foto ilustruese

Ndër parashikimet e panumërta mbi ndikimet e pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, një nga ata që është theksuar më shumë në Ballkanin Perëndimor, ishte shpresa se ky konflikt do të shënonte fundin e iluzioneve perëndimore mbi mundësinë e bashkëpunimit me regjimet autoritare dhe shoviniste.

Sidomos në Sarajevë, Prishtinë dhe Podgoricë, pritej që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ta shihnin regjimin e Aleksandër Vuçiçit në Serbi për atë që është vërtet: një shtet satelit i Kremlinit që mbjell përçarje, përmes një rrjeti përfaqësuesish rajonalë me synim zgjerimin e makinacioneve të veta në koordinim me Moskën, për të sabotuar aspiratat e anëtarësimit në NATO dhe BE të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.

Dhe si rezultat i ndryshimit të qasjes do të kishte më në fund pasoja për Beogradin. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Në fakt, gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara, madje edhe më shumë se sa BE-ja, kanë shtuar bashkëpunimin me presidentin gati autokratik të Serbisë.

Njëkohësisht, Uashingtoni e ka riorientuar qëndrimin ndaj rajonit dhe prioritetet e politikës së tij të jashtme në Ballkan. Ndërsa në kontekstin e Luftës në Ukrainë, administrata Biden këmbëngul në parimin “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, gjë që do të thotë se ukrainasit duhet të përfshihen në çdo lloj negociate në lidhje me fundin e konfliktit.

Por në agjendën më të gjerë pro-demokratike të presidentit Biden, asnjë nga parimet e saj nuk zbatohet për Ballkanin Perëndimor. Ambasadorët e SHBA-së në Sarajevë dhe Beograd takohen me Vuçiçin për të diskutuar veprimet e liderit separatist të serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.

Ata e bëjnë këtë duke pretenduar “rëndësinë që ka mbështetja e sovranitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik dhe institucioneve funksionale federale të Bosnjës”, por pa praninë e një zyrtari të vetëm boshnjak. Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kristofer Hill, kritikon vazhdimisht qeverinë e Kosovës për atë që ai pretendon se është dështimi i saj për t'iu përmbajtur Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila synonte të krijonte një rrugë drejt njohjes reciproke dhe normalizimit diplomatik midis dy shteteve.

Por Hill ka pak për të thënë mbi refuzimin e Serbisë për të zbatuar vetë dispozitat thelbësore të asaj marrëveshjeje. Në fakt, Beogradi është aq kërkues në lidhje me Kosovën, saqë në marrëveshjen e fundit në Bruksel dhe Ohër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të (ri)filluar procesin e normalizimit, Vuçiç refuzoi që të nënshkruante dokumentin.

Ai pretendoi se kishte rënë dakord verbalisht. Por brenda disa orësh deklaroi se nuk do të respektonte asnjë nen të asaj marrëveshje. Ndërkohë, edhe në Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara janë shfaqur si mbështetësi kryesor, së bashku me Serbinë, të një koalicioni heterodoks e të supozuar reformatorësh, anëtarët më të rëndësishëm të të cilit janë një bllok partish nacionaliste dhe klerikale serbe, që edhe Uashingtoni i njeh se janë drejtpërdrejt të financuara nga Rusia.

Presidenti i ardhshëm i vendit, Jakov Milatoviç, është paraqitur si një i moderuar pro-evropian, dhe partia e tij e sapoformuar, Evropa Tani, parashikohet të dominojë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në qershor. Por ai ka qenë më herët Ministër i Zhvillimit ekonomik në kabinetin jetëshkurtër të Zdravko Krivokapiç, një nacionalist serb i linjës së ashpër, me lidhje të ngushta si me Beogradin po ashtu edhe me Moskën.

Edhe fushata e tij presidenciale u mbështet nga e gjithë struktura nacionaliste serbe në Mal të Zi, dhe madje edhe nga kriminelët e dënuar serbë të luftës si Vojisllav Sheshel. Festimet e fitores së tij u shoqërua me dominim të dukshëm të flamujve serbë dhe himneve sektare për Kosovën.

Por pse Uashingtoni mban raporte kaq të afërta me Beogradin? Arsyja nuk është e vështirë të shpjegohet. Gjithsesi, kjo është një politikë krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e administratës Biden ndaj Ukrainës. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, administrata Biden e pranoi se situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishte bërë e paqëndrueshme.

Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi ishin vatrat më të nxehta, dhe ato mund të përdoreshin lehtësisht nga Moska për të krijuar një front të dytë në Evropë. Si e tillë, ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara që të merrnin nën administrim Ballkanin Perëndimor pas 2 dekadash delegimi te Brukseli.

Dhe Departamenti i Shtetit ka arritur në përfundimin se ka nevojë për partnerë që mund të përmbushin premtimet e tyre. Në Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë të mbështetesh përgjithësisht te regjimet më pak pluraliste në rajon. Siç ka vërejtur me të drejtë Majda Ruge, anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë: “Qeveritë perëndimore e trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja në fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është personi i parë që ata kontaktojnë. Një pjesë e kësaj qasje është e kuptueshme: pushteti në Serbi është i përqendruar te Vuçiçi”.

Por kjo nënkupton neglizhimin e Sarajevës, Prishtinës dhe Podgoricës, pavarësisht se të tria janë dukshëm pro-perëndimore në orientim dhe Mali i Zi është një vend anëtar i NATO-s. Kjo gjë ndodh sepse politika e të tria shteteve nga brenda është shumë e përçarë, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të fuqive të jashtme, para së gjithash Serbisë, por edhe Kroacisë, të paktën në rastin e Bosnjes.

Me sa duket, administrata Biden beson se paqja në Ballkan kërkon përqendrimin e interesave të të fortëve mbi të dobëtit, duke përqendruar interesat e atyre që kanë më shumë gjasa të krijojnë paqëndrueshmëri mbi ata që kërkojnë të mbrohen. Ky është lloji i llogaritjes real politike që ka frymëzuar dekada të politikës amerikane në rajone të paqëndrueshme.

Është ajo që Uashingtoni është përpjekur të bëjë me Pakistanin, Egjiptin, Arabinë Saudite, madje edhe me Rusinë në vite më parë. Dhe rezultati flet vetë. Por problemi i vërtetë është se edhe nëse administrata Biden do të rishqyrtonte politikat e saj, është e paqartë nëse kjo do të bënte shumë ndryshim në këtë moment.

Hapat e gabuar të presidentit amerikan Joe Biden në rajon, kanë qenë kaq të rëndësishme saqë ai mund të mos jetë në gjendje të shpëtojë reputacionin e tij në mesin e komuniteteve më të prekura nga vendimet e tij, të cilat qëllojnë të jenë popullsia më pro-amerikane në rajon.

Marrë me shkurtime

Shënim: Jasmin Mujanovi?, politologe e specializuar në politikën e Evropës Juglindore. Autore e librit “Kriza e democracisë në Ballkan./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga