LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Legjendë e kinematografisë shqiptare/ Si sot 98 vite më parë lindi aktori i shquar, Kadri Roshi

2023-01-04 13:27:00, Kulturë CNA

Legjendë e kinematografisë shqiptare/ Si sot 98 vite më parë

Si sot, më 4 janar 1924, lindi figura e mirënjohur e kinematografisë dhe e skenës shqiptare, Kadri Roshi.

Roshi u lind më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të emën teksa numëronte veçse 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi ekzekutoi rolet e para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.

Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Në celuloid është përjetësuar në sajë të një shumësie rolesh, që variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).

Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga