LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sigurimi i tërmeteve, skema e propozuar “kërcënon” tregun privat vullnetar

2 Shtator 2023, 08:35, Aktualitet CNA

Sigurimi i tërmeteve, skema e propozuar “kërcënon”

Projektligji i propozuar nga qeveria duket se përjashton plotësisht nga skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet kompanitë private. Sipas tyre, një skemë e tillë mund të dëmtojë edhe më shumë atë treg të vogël të sigurimit vullnetar të fatkeqësive që ekziston në Shqipëri. 

Ngritja e skemave të detyrueshme të sigurimit nga katastrofat mund të motivohet nga një mungesë e një kulture masive të sigurimit vullnetar ose, në raste të veçanta, nga pamundësia për të siguruar një mbulim të plotë të rreziqeve me mekanizmat privatë të sigurimit dhe risigurimit.

Në rastin e Shqipërisë, sigurisht që shtysa kryesore për projektligjin e propozuar nga qeveria “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” është mungesa një kulture të zhvilluar të sigurimit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vitin e kaluar tregu i sigurimit të pronës nga katastrofat, i shprehur sipas primeve të shkruara bruto, kishte vlerën e 1.82 miliardë lekëve ose afërsisht 16 milionë eurove.

E shprehur në prime sigurimi për frymë, çdo shqiptar shpenzon mesatarisht më pak se 6 euro në vit për sigurimin e pronës nga katastrofat.

Megjithëse primet e shkruara bruto shënuan një rritje me afërsisht 5% krahasuar me një vit më parë, pesha e tyre specifike pësoi një rënie të mëtejshme në 9.5% të primeve të sigurimit të Jo-Jetës, nga 9.8% që përbënte një vit më parë.

Shifrat e sigurimit janë qartësisht shumë modeste dhe në pjesën më të madhe vlerësohet se ky sigurim është faktikisht i detyrueshëm, sepse kërkohet nga banka për pronat që lihen si kolateral për kreditë bankare.

Nga ana tjetër, Shqipëria vlerësohet si një vend me ekspozim të artë nga rrezikut të katastrofave natyrore. Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në kapacitetet përballuese, e rendit Shqipërinë të parën në Europë dhe në vend të 61, në rang botëror.

Sipas Bankës Botërore, humbjet e mundshme në Shqipëri nga një fatkeqësi natyrore me një periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në rreth 2.1 miliardë euro për tërmetet dhe 1.2 miliardë euro për përmbytjet.

Që nga viti 1900, Shqipëria është përballur me dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 ballë. Në nëntor 2019, një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.4 ballë, goditi Shqipërinë, duke prekur mbi 200,000 njerëz në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin, dhe duke shkaktuar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik të vlerësuar në 7.5% të produktit të brendshëm bruto.

Modeli turk…por me shumë ndryshime

Projektligji i paraqitur nga qeveria shqiptare ngjason kryesisht në modelin e zbatuar nga Turqia, ku kjo skemë u ngrit me konsulencën e Bankës Botërore.

Në vitin 2020, Turqia e bëri sigurimin ndaj tërmetit të detyrueshëm më ligj dhe për menaxhimin e kësaj skeme u ngrit një ent i posaçëm shtetëror.

Megjithatë, skema e aplikuar në Turqi ka disa ndryshime thelbësore nga ajo që propozohet në Shqipëri.

Në rastin e Turqisë, detyrimi ligjor për sigurim ekziston vetëm për banesat urbane dhe jo për ato rurale. Gjithashtu, ligji përcakton qartë se skema nuk do të marrë në sigurim atë kategori të ndërtimeve urbane, që nuk plotëson kriteret teknike për t’u siguruar.

Ndërkohë, projektligji që propozohet në Shqipëri kërkon sigurimin e të gjitha banesave urbane dhe rurale, me përjashtim të ndërtimeve prej qerpiçi dhe atyre të lëvizshme. Kjo krijon një ekspozim të madh ndaj rrezikut financiar.

Risiguruesit nuk mund të pranojnë të risigurojnë ato objekte që nuk plotësojnë disa kritere minimale teknike.

Gjithashtu, Turqia ka të përcaktuar qartë një ndarje të primeve të sigurimit në varësi të shkallës së rrezikut.

Territori i vendit është i ndarë në shtatë rajone dhe secili rajon ka një koeficient të veçantë rreziku për llogaritjen e primit, për shkak se rreziku i aktivitetit sizmik është i ndryshëm për pjesë të ndryshme të vendit.

Gjithashtu, skema parashikon koeficientë të ndryshëm për ndërtimet me strukturë beton-arme dhe për ndërtimet e llojeve të tjera. Në projektligjin shqiptar nuk propozohet asnjë diferencim i tillë, megjithëse nuk përjashtohet që ai të bëhet në fazën e përgatitjes së akteve nënligjore.

Megjithëse ka një sipërfaqe më të vogël se Turqia, edhe në Shqipëri rreziku sizmik është i ndryshëm në zona të ndryshme dhe një vlerësim i saktë i primit të rrezikut do të kërkonte një diferencim të këtij lloji.

Ndërkohë që edhe llojet dhe standardet e ndërtimeve janë shumë të ndryshme, duke pasur parasysh edhe spektrin e gjerë të detyrimit për sigurim. Një ndërtesë njëqindvjeçare në fshat nuk ka të njëjtin rrezik shembjeje me një banesë, që ndërtohet sipas standardeve të sotme.

Një ndryshim tjetër është se në Turqi, tregtimi i policave të sigurimit të detyrueshëm bëhet nëpërmjet shoqërive të licencuara të sigurimit, të cilat veprojnë si agjentë shitjesh. Në rastin e Shqipërisë, propozohet që shitja e policave të bëhet nëpërmjet një agjenti të vetëm, që do të përzgjidhet me vendim të qeverisë.

Një skemë e tillë do të linte jashtë skemës së tregtimit të policës shoqëritë private të licencuara të sigurimeve, që nuk do të mund të vepronin as qoftë edhe si agjentë shitjeje ose trajtues të kërkesave për dëmshpërblim.

Nga ana tjetër, shembulli i Turqisë tregon edhe faktin që arritja e një mbulimi i të plotë me sigurimin e banesave, qoftë edhe me një skemë të detyrueshme, nuk është aq e lehtë. Sipas të dhënave më të fundit, numri total i banesave të siguruara është rreth 11.7 milionë ose 58.6% e numrit total të banesave.

Pavarësisht se sigurimi i banesës në zonat urbane është i detyrueshëm me ligj, më shumë se 41% e banesave rezultojnë ende të pasiguruara. E ndarë sipas shtatë rajoneve të vendit, shkalla e sigurimit lëviz nga 48.3%, në 66.8%.

Shkalla më e lartë e sigurimit regjistrohet në rajonin e Marmara, ku përfshihet edhe Stambolli, ndërsa shkalla më e ulët regjistrohet në Rajonin e Detit të Zi, ku, rreziku i tërmeteve vlerësohet pak më i ulët.

Në epiqendrën e tërmetit shkatërrimtar, në Kahramanmarash (pjesë e rajonit të Mesdheut) shkalla e sigurimit të banesave ishte rreth 54%.

Rumani, skema menaxhohet nga privatët

Një tjetër model i referuar në relacionin e projektligjit është ai i Rumanisë. Në vitin 2009, Rumania ngriti platformën e sigurimeve kundër katastrofave natyrore, nëpërmjet një ligji të posaçëm që u miratua në vitin 2008.

Sigurimi është i detyrueshëm me ligj për të gjithë pronarët e banesave në vend.

Megjithatë, modeli rumun ka ndryshime edhe më mëdha nga ai që propozohet në Shqipëri. Së pari, skema nuk mbulon vetëm dëmet nga tërmetet, por edhe ato nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Sigurimi përfshin edhe dëmet indirekte që mund të shkaktohen nga katastrofat e mësipërme. Skema rumune është konceptuar e thjeshtuar dhe limitet e përgjegjësive (shumat e sigurimit) janë relativisht të ulëta.

Skema parashikon dy polica sigurimi, të llojeve A dhe B. Policat e llojit A kanë një prim fiks sigurimi prej 20 eurosh mbulojnë dëme deri në shumën e 20 mijë eurove për banesë.

Ndërsa policat e llojit B kanë një prim sigurimi fiks prej 10 eurosh dhe mbulojnë dëme deri në 10 mijë euro. Polica e llojit B është konceptuar kryesisht për ndërtimet më bazike dhe me garanci më të ulëta teknike.

Skema akumulon një rezervë të vetën për katastrofat, që financohet nga primet e mbledhura, ndërsa është e mbrojtur nga një skemë risigurimi deri në limitin e 1 miliardë eurove.

Në rast të ngjarjeve që shkaktojnë dëme që tejkalojnë kapacitetet e brendshme të skemës dhe limitin e risigurimit, atëherë hyn në lojë qeveria, që është e autorizuar të marrë borxh për të mbuluar detyrimet e skemës që kalojnë limitin e risigurimit.

Gjithashtu, kompania që administron skemën nuk është shtetërore, siç propozohet në Shqipëri, por është bashkim i 12 shoqërive të licencuara të sigurimit.

Një model i tillë ka avantazhin që nuk kërkon shpenzime buxhetore për ndërtimin dhe funksionimin e kësaj skeme, deri në momentin që ajo të bëhet e pavarur financiarisht.

Francë, detyrim në nivel risigurimi

Franca është një ndër vendet e pakta të zhvilluara që ka një skemë kombëtare të sigurimit të katastrofave natyrore ose Nat Cat. Megjithatë, kjo skemë është e ndërtuar në mënyrë të ndryshme nga modelet e vendeve më pak të zhvilluara.

Nëpërmjet një ligji të vitit 1982, Franca vendosi me detyrim që një pjesë e primeve të sigurimit për të gjitha policat e shitura duhet të transferoheshin te kjo skemë.

Konkretisht, 12% e primit për kontratat e sigurimit të pronës dhe 6% e primit për kontratat e sigurimit të automjeteve transferohen në skemën e sigurimit të katastrofave natyrore. Në këtë mënyrë, të gjitha subjektet që sigurohen në Francë kontribuojnë në këtë skemë.

Pjesa e sipërpërmendur e primeve transferohen tek kompania shtetërore e risigurimit Caisse Centrale de Reassurance (CCR), që vepron si një risigurues i gjithë tregut për dëmet nga katastrofat natyrore. CCR është e autorizuar nga shteti francez që të ofrojë risigurim pa limit për kompanitë e sigurimit.

Ligji në Francë nuk përcakton një listë shteruese të ngjarjeve që konsiderohen si katastrofa natyrore.

Megjithatë, skema nuk është edhe aq e motivuar nga rreziku i tërmeteve (pjesa më e madhe e territorit të Francës konsiderohet me rrezik të ulët sizmik), si në rastin e Shqipërisë dhe Turqisë, por është e adresuar kryesisht tek fatkeqësitë e shkaktuara nga agjentët atmosferikë, si përmbytjet, stuhitë apo thatësira.

Skema, si do ta ndikojë tregun privat?

Në ndryshim nga modelet e mësipërme, projektligji që propozon qeveria shqiptare duket se nuk e përfshin në asnjë formë sektorin privat të sigurimeve.

Nëse ligji do të miratohet në këtë formë, kjo do të rrezikonte t’i hiqte tregut privat të sigurimeve produktin kryesor të sigurimit vullnetar, që gjeneron rreth 10% të volumit të përgjithshëm të primeve bruto.

Në fakt, ligji kërkon sigurim të detyrueshëm vetëm për tërmetet dhe në teori kompanitë private të sigurimeve mund të vazhdojnë të mbulojnë rrezikun nga katastrofat e tjera.

Megjithatë, siguruesit mendojnë se në një vend ku kultura e sigurimit është minimale, pothuajse askush nuk do të marrë iniciativën të bëjë një sigurim të dytë nga katastrofat e tjera natyrore, veç tërmeteve.

Në këtë mënyrë, sigurimi nga katastrofat e tjera natyrore do të ngelet si një lloj produkti vetëm për kredimarrësit e sektorit bankar, edhe më shumë nga sa ndodh sot.

Mund të hipotizohet se të gjithë huamarrësit që kanë lënë një pronë si kolateral do të detyrohen të paguajnë çdo vit dy sigurime për pronën, një në skemën e detyrueshme shtetërore dhe një që do të vazhdojë t’ua kërkojë banka.

Megjithatë, duke hequr rrezikun e tërmetit, primet që do të arkëtojnë siguruesit privatë, logjikisht do të jenë më të ulëta.

Një aspekt tjetër, që duhet qartësuar me ngritjen e skemës së detyrueshme, do të jetë edhe shuma e sigurimit ose niveli maksimal i mbulimit që do të ofrojë.

Në rast se niveli i mbulimit do të jetë relativisht i ulët, si në modelin rumun, atëherë sigurimi i detyrueshëm nga tërmeti nuk do të jetë i mjaftueshëm për bankat, që kërkon mbulim deri në vlerën e plotë të kredisë.

Ndaj, huamarrësit do të duhet të bëjnë një sigurim të dyfishtë, madje edhe për rrezikun e tërmetit.

Tërmetet e 2019, rreth 93% e dëmeve u paguan brenda një viti

Tërmetet e shtatorit dhe nëntorit të vitit 2019 ishin edhe një provë për tregun e sigurimeve në Shqipëri në përballjen me dëmet nga katastrofat. Sipas informacioneve të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tërmetet shkaktuan mbi 6200 dëme për tregun e sigurimeve në Shqipëri.

Gjithmonë duke iu referuar të dhënave nga AMF-ja, rreth 93% e dëmeve u shlyen brenda një viti, deri në fund të vitit 2020, ndërsa një pjesë e vogël u paguan gjatë vitit 2021.

Vlera e përgjithshme e dëmeve të lidhura me tërmetet për kompanitë e sigurimeve vlerësohet se arriti në rreth 40 milionë euro dhe në pjesën më të madhe u pagua nga risiguruesit.

Duke pasur parasysh se vlera e dëmeve të tërmetit të nëntorit 2019 arriti në afërsisht një miliard euro, tregu i sigurimeve sigurisht që pagoi një pjesë të vogël të tyre, edhe për shkak të shkallës së ulët të sigurimit të banesave nga shqiptarët.

Megjithatë, tregu i sigurimeve arriti t’i përgjigjej mirë dhe në një kohë relativisht të shpejtë klientëve të siguruar.

Ndërkohë, procesi paralel i rindërtimit, i marrë përsipër nga qeveria, ka ecur me ritme shumë më të ngadalta dhe ende po vazhdon.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për periudhën 2020-2022, vlera e shpenzimeve buxhetore për fondin e rindërtimit arriti në afërsisht 75 miliardë lekë ose rreth 658 milionë euro (me kursin e fundit të vitit të kaluar). Në buxhetin e këtij viti, shuma e parashikuar për fondin e rindërtimit është pesë miliardë lekë./Monitor.al

Lajmet e fundit nga