web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gjykata vendosi lirimin e tyre nga qelia/ Flet avokati i autorëve të dyshuar për vrasjen e Martin Çeços

16 Janar 2026, 12:25, Aktualitet CNA

Gjykata vendosi lirimin e tyre nga qelia/ Flet avokati i autorëve të

Avokati Nevzat Tarelli, përfaqësues ligjor i Valter dhe Edlir Mollajt, dy autorëve të dyshuar për vrasje, ka dhënë sqarime të detajuara mbi vendimmarrjen e fundit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me ndryshim mase sigurimi, por me konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për shkak të përfundimit të afateve ligjore.

Sipas Tarellit, ligji procedural penal parashikon që paraburgimi i një personi nuk mund të zgjasë më shumë se tri vjet, kohë brenda së cilës sistemi gjyqësor duhet të japë një vendim përfundimtar. Ky afat, sipas mbrojtjes, ka përfunduar më 16 qershor 2025. Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë kishte rrëzuar kërkesën për lirimin e të pandehurve, vendim i cili u ankimua në Apel.

Gjykata e Apelit konstatoi humbjen e fuqisë së masës “arrest me burg” dhe urdhëroi lirimin nga kjo masë, por njëkohësisht caktoi masën “arrest në shtëpi”, vendim që sipas avokatit bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe përbën një shkelje të rëndë procedurale.

“Nuk është vendim për ndryshimin e masës së sigurimit, por Gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit, që janë koncepte të ndryshme, dhe ka korrigjuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë. Për dijeni të publikut dhe të të gjithëve, ligji procedural penal parashikon një kohëzgjatje të afateve të paraburgimit tërësore jo më shumë se tri vjet, kohë gjatë së cilës sistemi gjyqësor duhet të dalë me një vendim të formës së prerë. Kjo kohëzgjatje ka përfunduar në datën 16 qershor 2025 dhe në momentin që iu drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë, me shumicë votash ajo e rrëzoi kërkesën time me një arsyetim që për mua është joprocedural”, tha avokati.

Sipas Tarellit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë u bë objekt ankimimi dhe Apeli në Tiranë konstatoi humbjen e fuqisë së paraburgimit, duke urdhëruar lirimin nga masa “arrest me burg”. Ai thekson se në këto raste, ligji nuk lejon caktimin e një paraburgimi të ri.

“Vendimi u ankimua nga ana ime dhe Gjykata e Apelit në Tiranë dje ka shqyrtuar çështjen dhe ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e personave. Në këto raste, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim, por mund të japë çdo masë tjetër sigurimi”, u shpreh ai.

Avokati shprehet se vendimmarrja e Apelit, duke caktuar masën “arrest në shtëpi”, ka cenuar interesin e të pandehurve dhe ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 40, datë 17 qershor 2025, në çështjen "Margjeka", ku është sqaruar përfundimisht se arresti në shtëpi konsiderohet një lloj paraburgim si arresti me burg.

“Gjykata Kushtetuese në mënyrë përfundimtare sqaroi se arresti në shtëpi është paraburgim, njëlloj si arresti me burg. Pra, vendimmarrja e Gjykatës së Apelit dje ka shkelur këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke caktuar përsëri një tjetër paraburgim, siç është arresti në shtëpi. Gjykata dje kishte vetëm një zgjidhje ligjore, që mund të caktonte masa të tjera siç është detyrimi i paraqitjes, ndoshta edhe ndalimi i daljes jashtë shtetit”, shtoi më tej avokati.

Sipas mbrojtjes, vendimi i Apelit përbën një absurd procedural, pasi konstatohet përfundimi i afateve të paraburgimit, por vendoset një masë tjetër me të njëjtin karakter kufizues.

“Gjykata ka pranuar të konstatojë humbjen e fuqisë së paraburgimit ‘arrest me burg’ dhe ka caktuar një paraburgim tjetër ‘arrest në shtëpi’, e cila është një absurd procedural. Kishim vetëm një llogaritje matematikore, nuk është zgjidhur çështja në themel”, u shpreh ai.

Tarelli bëri të ditur se do ta ndjekë çështjen në Gjykatën e Lartë dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, për të sqaruar përfundimisht atë që ai e cilëson si një mekanizëm joprocedural që po përdoret nga një pjesë e gjykatave.

“Me padurim po pres që të zbardhet vendimi për ta çuar në Gjykatën e Lartë dhe më tej në Gjykatën Kushtetuese, për të sqaruar në mënyrë përfundimtare dhe për t’i hequr mekanizmin joprocedural që po përdorin një pjesë e gjykatave duke dhënë, pas mbarimit të afateve të paraburgimit, arrestin në shtëpi që është antikushtetues”, tha Tarelli.

Ndërkohë, çështja në themel vijon në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, ku më datë 5 është planifikuar seanca e radhës. Gjykata e Apelit ka prishur vendimin dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim, duke përcaktuar edhe një sërë detyrash për gjykimin në themel, përfshirë marrjen e të dhënave nga kompania “Meta”.

“Çështja në themel vijon në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë ku në datën 5 është planifikuar seanca për të vijuar gjykimin në themel sipas detyrave të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Apelit. Kryesisht në themel është urdhëruar marrja e të dhënave nga kompania Meta. Nuk ka liruar dje gjykata, ka konstatuar një çështje shumë procedurale dhe teknike që ka të bëjë me afatet e paraburgimit”, shtoi avokati.

Në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit, mbrojtja ka paralajmëruar ndjekjen e çështjes në Gjykatën e Lartë dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, procesi gjyqësor për çështjen në themel vijon në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, ku pritet që në seancat e ardhshme të shqyrtohen detyrat e përcaktuara nga Apeli dhe kërkesat e palëve. /CNA





Lajmet e fundit nga