"Pas 6 orësh në urgjencë, nuk merr zgjidhje por disa të shara"/ Gazetarja denoncon incidentin në QSUNT
Gazetarja Glidona Daci ka denoncuar në rrjetet sociale një...

NË VEND TË PROLOGUT
Sa herë që trokasin ditët e fundvitit, një ngazëllim pushton krijesën njerëzore dhe mbarë botën. Ditët e acarta, të ftohta dhe netët e gjata me skenografinë e tyre të zbukurimeve parapërgatisin atmosferën e kërshmërisë së ikandenshencës së dritave vezulluese. Skenografi që tërheq dhe gëzon këdo. Atmosferë që të çon në histori të largët.
Njerëzit në hershmëri, fundvitin e prisnin me adhurime, e përjetonin si ngjarjen më të gëzuar, më të shënuar, më domethënëse të jetës. Kohë, nga më të lashtat, gjurmë që ndezin nostalgji. Popuj. Kombe. Pemë të zbukuruara me kambana, drita, yje, zilka të kuqe, qirinj. Vizita, dhurata, këngë gazmore. Kundërshti ndaj ditëve të acarta, të egra, pa dritë, pa diell, të dimrit, zymtisë së tij. Gëzim për largimin e tyre. Hare për ditët me diell. Kënaqësi shpirtërore, optimizëm jete, me dritë dhe shkëlqim...

PRITJE ME DEVOCION I KRISHTLINDJES, SI NDËR TË PARËT POPUJ TË KRISHTERIMIT...
Një dritë që lindi në Betlehem shkroi histori. Histori që kohët më tepër e himnojnë. Histori që edhe pse erdhi nga larg, ashtu siç ndriçoi gjithë botën, çdo skaj dhe skutë të dheut, ndriçoi edhe historinë e popullit tonë. Histori që la gjurmë që ne si popull përqafuam të parët Krishterimin në Evropë. Që kur Jisu Krishti shpërndau të dymëdhjetë apostujt e tij në të gjithë botën për të përhapur Lajmin e Mirë, në gjenezën tonë, në Ilirinë e hershme, erdhi një nga apostujt më të mëdhenj të Kishës, që cilësohet si kryeapostull, Shën Pavli, i cili dokumenton: … “me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit” (Romakët15:19). Më tej Apostull Pavli dokumenton: “Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopojë, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty” (Titi 3:12) …dhe “Titi në Dalmaci”. (2 Timoteut 4:10b). Burime historike dëshmojnë që në Ilirinë e hershme kanë apostulluar dishepujt, Titi, Qesari, Asti etj., ku secili mbulonte një rajon dhe që bashkësia kristiane e kolonisë së Durrësit (Dyrrachiumit), në gjysmën e dytë të shek. I, përfaqësonte një ndër vatrat e para të kishave me themelim apostolik. Madje shën Pavli vendosi Qesarin, një nga 70 apostujt si episkopin e parë të Durrësit (Dyrrahut). Dëshmi të tjera dokumentojnë martirizimin e episkop Astit në vitin 98 pas Krishtit, si edhe të 7 martirëve të tjerë të cilët u martirizuan një ditë pas tij. Dëshmi të tilla janë edhe martirizimi i shën Elefterit, episkop i Vlorës dhe Ilirikumit dhe nënës së tij, në shekullin II: Donati dhe Therini martirizohen, në shekullin III, në Butrint, dhe dëshmorët Isavri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Ermia dhe Peregrini, në shekullin III, në Apolloni, faktojnë ekzistencën e komuniteteve të krishtera në qendrat dhe rajonet e asaj kohe, si Durrësi, Apollonia, Butrinti dhe Nikopoja.

Dëshmi Krishterimi të hershëm fakton fondi i toponomastikës së krishterë si Shëmri, (Shën Mëri), Shupal (shën Pal), Shëndëlli (Shën Eli), Shmil (Shën Mëhill), që vazhdoi deri në shekullin VII. Pavarësisht përpjekjeve për përmbytjen e fesë së re, Krishterimi u afirmua në Iliri në mënyrë përfundimtare.
Historia më tej ndriçon: Papë me origjinë Ilire: Papa Shën Eleuteri (171:185 Prej një Nikopolit të Epirit, Prevës që renditet i 14-ti në listën e Papëve, Shën Urbanit të parë 222-230 prej Ilirie që renditet i 18-ti në listën e Papëve Shën Kai Papë 283-296 prej Salone Dalmaci Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559 që renditet i 45 në listën e Papëve. Gjate kohës dhe nën drejtimin e Tij botohet libri i parë në gjuhën shqipe Meshari i Gjon Buzukut. Papa Sisti i V Pereti 1585-1590 familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229 në listë. Papa Klementi XI Albani 1700-1721 që renditet i 245-ti. Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë shqipe.
Devocioni dhe pritja me ngazëllim e Krishtlindjes, ngërthen histori të këtij populli që jo vetëm e përqafoi ndër të parët Krishterimin, por edhe e mbrojti atë dhe civilizimin e tij evropian. Ky komb, popull, tokë e arbrit nxori heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, që mbrojti civilizimin europian përtej Adriatikut nga sulmet e hordhive Osmane. Papati e nderoi dhe vlerësoi duke e quajtur atlet i Krishtit, pararendës i historisë europiane. Në projektin e kryqëzatës, për të çliruar popujt që pësonin nga hordhitë osmane, Papa Piu II në vitin 1464 e emëroi Skënderbeun kryekomandant të ushtrive tokësore dhe po të mos e kishte penguar vdekja e papritur në Ankonë, Piu i II do të kishte zbritur në Durrës për të kurorëzuar Skënderbeun mbret dhe për të shuguruar Pal Engjëllin kardinal, siç na tregon Barleti.
Duke ecur në gjurmët e kohës, historia na bën më krenarë për të pritur dhe përjetuar Lindjen e Dritës më me devocion nga të gjitha vendet dhe popujt e tjerë të krishterë.
Ky truall, ky popull do të nxirrte bijën e madhe të kombit tonë, Nënë Terezën që siç e quan Papa Gjon Pali II, misionare të paqes dhe dashurisë njerëzore.
...Vitet ’90, simfoni e pakufishme e dashurisë për Hyun, Jisu Krishtin, do të shfaqej në prag të Krishtlindjes në 4 dhe 11 nëntor.

35 vjet më parë populli i Shkodrës manifestoi dy herë radhazi meshat në altarin e lirisë së munguar, manifestime të cilat çuan dhe dëshmuan se Krishtlindja erdhi si prolog i dashurisë së pakufishme për Hyun, Zotin tonë Jisu Krisht. Kjo histori e ndritur, ky backraund që mbart populli, vendi ynë, na bën krenarë dhe na bën ta presim dhe ta përjetojmë më me devocion, nga vendet dhe popujt e tjerë, Dritën e Betlehemit.
SHPELLA E BETLEHEMIT DRITË E PASHUAR E NJERËZIMIT...
Zërat engjëllorë po ndriçojnë Betlehemin me himnin e më të lartit qiellor. Magët e lindjes, Gaspari, Batazari dhe Melkoti, bashkë me yllin që po i udhëheq po udhëtojnë drejt Betlehemit, të Judesë. Virgjëresha sot po vjen në Betlehem për të lindur... Vallëzo e tërë botë duke dëgjuar: lëvdo bashkë me engjëjt dhe barinjtë. Virgjëresha lind sot. Shpella gëzon dheun. “Gëzohu, o hireplotë, Zoti është me ty. Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, edhe do t'ia quash emrin Emanuel”.
Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, si gruan tënde, sepse, ç'është ngjizur në të, është vepër e frymës së shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do ti vesh emrin Jisu, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre. E gjithë kjo do të ndodhë, që të përmbushet fjala e Zotit, e thënë me anë të Profetit që thotë: Ja virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë të cilin do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë Zoti me ne.

Perëndia bashkë me ne. U përmbush e thëna prej Zotit, me anë të Profetit. Ky do të jetë i madh edhe Biri i të Lartit do të quhet; Edhe Zoti Perëndi do t'i japë atij fronin e Davidit, Atit të Tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit përjetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim. Eskili e paratha ardhjen e Zotit tek Prometeu i Lidhur. "O njerëzim, në mjerim do të jesh gjithmonë, derisa të vijë ai që është nga lart, që do të do të zbresë në Hadh, të ndriçojë botën dhe Hadhin ta bëjë Parajsë". Atë ditë u shpall dekret nga Cezar Augusti për të kryej regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.
Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe familjes së Davidit. Bashkë me Marinë shtatzënë, shkuan për të regjistruar, kështu, ndërsa ishin atje, erdhi koha për të lindur.... “Grazhdin bëje gati, o shpell’e Betlehemit, se Zoti i gjithësisë, mbi ty përhapi rrezet, për ndjesën e mëkateve. … Ja Jisu Krishti vjen, o shpellë përgatitu, o Betlehem gëzohu, se ti ke për të lindur, shpëtimin e besnikëve”. Sot Betlehemi imitoi qiellin: Në vend të yjeve, pranoi engjëjt, në vend të diellit, pranoi Diellin e drejtësisë. Dhe mos kërko të mësosh se si, sepse aty ku do Perëndia, thyhen ligjet e natyrës.
Dhe ja, një engjëll i Zotit ju paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre. Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për gjithë popullin.

Sepse sot në qytetin e Davidit, lindi për ju një shpëtimtar që është Krishti, Zoti. Ju do të gjeni një fëmijë, të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd. Menjëherë engjëllit, iu bashkoi një shumicë e ushtrisë qiellore që lëvdonin Perëndinë duke thënë: Lavdi Perëndisë në më të lartat, paqe mbi tokë, dhe mes njerëzve mirëdashje. “Magët dhe barinjtë erdhën t’adhurojnë, Krishtin që na lindi në Bethlehem në shpellë. Lindi Virgjëresha Krishtin edhe Zotin, brenda në një shpellë. Bota sot gëzohet, se Krishti na ka lindur, prej nënës Virgjëreshë. Engjëjtë nga qielli lajm’ i japin botës, që lindi Shpëtimtari. …Një mbretëri mbi dhé, një Perëndi në qiellin, gëzuan gjithë kombet, në kohën e Augustit, lavdi më ty, o Zoti Krisht”
Kur engjëjt u larguan në qiell, barinjtë, magët, të gjithë panë Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në grazhd. Barinjtë përlëvduan dhe himnuan Perëndinë, për gjithë gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, siç iu kishin thënë. “Ja Krisht lind, lavdërojeni; ja Krishti i qiellit vjen, dilni e priteni; ja Krishti mbi dhenë, ngrihuni; Zotin pra, e këndoni lart e mbi dhe me ngazëllime përhimojeni me mall, popuj dhe me lavdi”.
24 dhjetor, mbrëmje...
Katedralja e Shën Palit në Kryeqytet përjeton atmosferë të ndezur dritash që lajmërojnë Ardhjen e Shpëtimtarit. Ka ditë që Katedralja përjeton dhe kremton të gjitha ngjarjet për pritjen dhe ardhjen e Hyut, Birit të Perëndisë, Jisu Krishtit. Kori më këngë festive gazmojnë zemrat e njerëzve. Në meshën solemne të natës së pritjes së ndezjes së dritës të shpellës së Betlehemit, të Lindjes së Jisu krishtit, Shkëlqesia e Tij, Arkipeshkvi Mitropolitan, imzot Arjan Dodaj, kumtoi me mesazhin e tij se këtë natë të shenjtë, ndërsa qyteti i Tiranës pushon nën heshtjen e dimrit dhe dritat e katedrales, së bashku me shpellën e Krishtlindjes, ndriçojnë si shenja shprese, edhe ne jemi mbledhur si Popull i Hyjit për të soditur misterin që qëndron në zemër të fesë sonë: Biri i Hyjit bëhet njeri, hyn në historinë tonë dhe e ndan me ne brishtësinë e jetës njerëzore. Drita që buron nga Betleheminë këtë natë dhe në netët e mbarë historisë së njerezimit, nuk është një dritë e fortë që imponon veten, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e njeriut. Ajo përshkon shekujt dhe arrin sonte tek ne, për të na prekur duke na dëftuar se Zoti nuk qëndron larg historisë, por hyn në të, duke u bërë Emanuel, Hyj-me-ne. Nga kjo natë dhe në këtë dritë neve ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerezor, sikurse kemi shtegtua në këtë vit Jubilar të Shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari, Ai që mbetet përherë Zoti ynë dhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht përkujtim i një ngjarjeje të kaluar, por shfaqje e përhershme e hirit të Hyjit, i cili bëhet i pranishëm në jetën tonë konkrete, në plagët dhe pritjet tona: “Hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.” (Gjn 1) Profeti Izai shpall se populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe. Kjo fjalë mbetet gjithmonë aktuale. Edhe sot, shumë njerëz përjetojnë errësirën e luftës, e frikës, pasigurisë, të vuajtjes, të mungesës së kuptimit. Përballë kësaj errësire, Hyji nuk përgjigjet me forcën e pushtetit njerëzor, por me përulësinë e një Fëmije. Ai nuk vjen për të gjykuar, por për të shpëtuar; nuk vjen për të sunduar, por për të shërbyer; nuk vjen për të përjashtuar, por për të përfshirë. Misteri i Krishtlindjes na zbulon se Hyji respekton thellësisht lirinë e njeriut. Ai nuk e imponon veten, por fton.

Prandaj kjo natë na thërret të rrimë zgjuar, të dallojmë shenjat e pranisë së Tij në jetën e përditshme, në familjet tona, në marrëdhëniet shoqërore, pasi në Jezu Krishtin, Hyji nuk është më i largët, por i afërt, jo i huaj, por shok udhe dhe familjar me ne! Shoqëria jonë shqiptare, e shënuar nga plagë të së kaluarës dhe nga tensione të së tashmes, ka nevojë të rifitojë një gjuhë morale dhe shpirtërore të besueshme. Fjalë si solidariteti, përgjegjësia, drejtësia, afërsia dhe shërbimi ndaj së mirës së përbashkët nuk janë koncepte abstrakte, por themele të jetës së përbashkët. Pa to, rrezikojmë të humbasim orientimin dhe shpresën. Në këtë kontekst, Krishtlindja është një lajm shërimi. Jezusi nuk vjen për të denoncuar dobësinë e njeriut, por për ta marrë mbi vete dhe për ta shndërruar atë në virtyt, fjalë kjo aq e rrallë në jeten e perditshme mediatike apo jo. “Hyji futet në varfërinë e njeriut dhe është plot dashuri pranë kujt është i harruar, i përjashtuar, i lodhur.” (Dietrich Bonhoeffer) Kjo është një fjalë shprese për shoqërinë tonë, për familjet, për të rinjtë që shpesh shohin largimin si të vetmen rrugë, dhe për brezat që presin një të ardhme më të drejtë, sepse Zoti ju është pranë!
Apostulli Pal na kujtoi në leximin e dytë se hiri i Hyjit u shfaq për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Pikërisht, Krishtlindja është dhuratë universale. Ajo na hap horizontin e përjetësisë dhe na kujton se jeta jonë nuk mbyllet brenda kufijve të kohës, veçanërisht të kësaj kohe që jo rralle here eshte plot iluzione, për shumë shpirtëra të humbur në endjet dehëse të materializmit dhe pasurimit me çdo kosto duke perfunduar edhe ne humbjen e lirise jo vetëm fizike por, veçanerisht të asaj të shpirtit, të fjalës dhe të mendimit. Por Zemra e njeriut është krijuar për Hyjin dhe gjen pasuri, liri dhe paqe vetëm në Të. Ungjilli na çon drejt kësaj paqeje nëpërmjet Betlehemit, drejt grazhdit ku lavdia e Hyjit shfaqet në heshtje dhe thjeshtësi. Barinjtë që ndonëse të varfër, në të vertetë jan të pasur në liri, vihen në ecje, lënë gjithçka dhe shkojnë për të parë dhe soditur Krishtin Zot. Edhe ne jemi të thirrur në këtë lëvizje të brendshme që çon në zgjimin e ndërgjesjes: të dalim nga vetja, nga rehatia dhe nga indiferenca pasi, çdo vepër dashurie, çdo gjest paqeje, bëhet kështu pjesë e ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit në zemrën tënde, dhe të një shoqerie te re. Hyji vepron në heshtje dhe me besnikëri. Ai nuk harron askënd dhe ia beson fjalën e Tij atyre që rrinë zgjuar në natën e historisë dhe i fton të thonë, si barinjtë: “Të shkojmë deri në Betlehem.”

Ky udhëtim nuk është i gjatë, por i thellë: nga zemra e mbyllur te zemra që pranon, nga frika te besimi, nga dorëzimi te shpresa. Përballë Fëmijës së Betlehemit, fjala e Krishtlindjes u drejtohet të gjithëve: të rinjve, që të mos humbasin shpresën dhe as vendin e tyre; familjeve, që të ruajnë dhe të përcjellin jetën; atyre që mbajnë përgjegjësi publike, që ta ushtrojnë pushtetin si shërbim; të moshuarve dhe të sëmurëve, që të dinë se janë të çmuar; atyre që janë të lënduar në shpirt, që të mos ndihen të harruar. Sepse sot lind një Shpëtimtar për të gjithë. Me Zotin, jo vetëm jeta individuale apo familjare por edhe ajo shoqërore dhe politike gjen kuptimin e saj të vërtetë duke u vënë në shërbim të njeriut dhe të së mirës së përbashkët. Dhe kështu do të bejmë në mënyre qe Shqipëria të jetë për të gjithë shtëpia e vërtetë për tu banuar, jo më sikurse po ndodh prej 35 vitesh, vend nisjeje për tu larguar. Vëllezër dhe motra, në këtë natë të shenjtë, përfundoi mesazhin e tij kremtues Arkipeshkvi Mitropolitan Shkëlqesia e tij, Imzot Arjan Dodaj, le ta pranojmë në jetën tonë. Le të rrimë zgjuar si barinjtë që paqja e Hyjit të gëzojë zemrat tona e të mbushi plot hare dhe bekim familjet tona. E kështu qoftë kjo Krishtlindje: nën vështrimin e ëmbël të Nënës së Keshillit të Mirë dhe martirëve të lumë shqipatarë: dritë, gëzim dhe shpresë për popullin dhe vendin tonë.
25 dhjetor, mëngjes...
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë u mbush me dritë, lutje dhe gëzim shpirtëror. Qindra besimtarë u mblodhën për të kremtuar festën më të madhe të Krishterimit, Lindjen e Krishtit, në një atmosferë solemniteti dhe shprese që përfshiu çdo hapësirë të Katedrales. Shërbesën e Shenjtë e drejtoi Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, i cili, me mesazhin e tij i dha kësaj feste një dimension të veçantë reflektimi dhe thirrjeje shpirtërore.
Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne (Jn.1:14)
I. Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje. Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.
Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (2 Petr. 1:4), për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë.

II. Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve, për ta lavdëruar edhe ne bashkë me ta: Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje (Llk. 2:14). Por, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë: te barinjtë e përulur erdhi një engjëll, sepse zemra e tyre ishte e përulur dhe e hapur. Dijetarëve të Lindjes, që kishin etje për kërkim, iu dha një yll dhe përsëri një engjëll për t’i udhëhequr. Kurse sundimtarëve krenarë dhe dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën të vrasin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por jep fryt vetëm tek ata që kanë dëshirë, përulësi dhe qëllim të mirë. Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan; por të gjithëve atyre që e pranuan... u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë – shkruan Shën Joani (Jn. 1:11-12). Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje. Në një predikim të tij, Shën Joan Gojarti thotë: Atëherë, çfarë mund të jetë e barabartë me këto lajme të mira? Zoti në tokë, njeriu në Qiell; dhe të gjithë u bashkuan… dhe u bë pajtim midis Zotit dhe natyrës sonë… vdekja u shkatërrua, parajsa u hap, mallkimi u fshi, mëkati u hoq nga rruga, gabimi u dëbua, e vërteta u kthye, fjala e perëndishmërisë u mboll kudo dhe lulëzoi në rritjen e saj, shoqëria e Qiellit u transferua në tokë, ose më saktë, gjërat në tokë u lidhën me ato në Qiell (Predikim për Krishtlindjen).

III. Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë - thotë Solomoni i ditur (Fj. Urt. 16:6). Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Zoti e identifikon Veten e Tij me njerëzit në nevojë, duke na thënë: Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë.... Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mt. 25:35-40). Vetëm duke bërë këto, përfundoi mesazhin e tij kremtues Fortlumturia e tij Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish.

***
Përjetimin e Lindjes së Jisu Krishtit, si dritë hyjnore e shpellës së Betlehemit, ngjarjen dhe festën më të madhe të Krishterimit, e përhymnizoi radio televizioni shqiptar. Me infrastukturë gjigande mediatike, angazhim total të gjithë ekipeve jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë, me përkushtim dhe integritet profesional, nën drejtimin e zonjës së nderuar të ekranit, drejtores së përgjithshme të radio-televizionit plublik, Eni Vasili, bëri që festa e dritës të ndriçojë gjithë Shqipërinë, çdo vatër shqiptare kudo që ndodhet kombi ynë, që ajo natë të përjetohet si festë që përcjellë, rrezaton inkadenshencë drite, shprese, paqeje për jetën, shoqërinë e sotme njerëzore. /CNA
Gazetarja Glidona Daci ka denoncuar në rrjetet sociale një...
Festat e fundvitit kanë shtuar ndjeshëm fluksin e lëvizjev...
Instituti i Gjeoshkencave ka ndarë këtë pasdite një parash...
Një gjendje e pazakontë trafiku ka përfshirë zonën që lidh...
Një zjarr masiv është raportuar në Durrës te sektori Rinia...
Një aksident me pasojë humbjen e jetës së një personi ka n...
Një 44-vjeçar është arrestuar në Klos pasi kreu ndërhyrje ...
Këshilli Bashkiak në Bashkinë e Tropojës ka miratuar tre d...
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, një individ i dënua...
Prokuroria e Sarandës ka dërguar në gjyq pesë persona të c...
Po ju njohim me titujt kryesorë të gazetave për ditën e sh...
Kryedemokrati Sali Berisha ndau pak nga jeta e tij përtej ...
Pasditja e kësaj të premteje është shoqëruar me një gjendj...
Kryedemokrati Sali Berisha ka ndarë këtë të preme një rrëf...
Një shqiptar i burgosur për kultivim droge i ka shpëtuar d...
Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar këtë të premte një...
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në b...
Hije skandali mbi asetet e sekuestruara: 31 dele “avullojn...
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje ng...
Këshilli Bashkiak i Beratit ka miratuar buxhetin për vitin...
Protestat e ditëve të fundit të lidhur me situatën në Zvër...
Rasti i trajtuar këtë të mërkurë, më 3 qershor, në emision...
Emisioni “Stop” transmetoi këtë të mërkurë, më 3 qershor, ...
Irfan Hysenbelliu, pretendon që është biznesmen i madh, nj...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Disa pamje të siguruara nga CNA tregojnë zonën ku ndodhi n...
Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në ...
Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shprehu pak...
Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që u sh...
Dëshmitarët e ndodhur në Lozhan të Maliqit kanë ndarë deta...
Shqipëria po përballet me një tranzicion demografik të pap...
Ditën e enjte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfe...
Një shifër alarmante prej më shumë se 166.4 mijë shqiptarë...
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të rinovojnë armëpushi...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tru...
Asambleja e Përgjithshme e Kombet e Bashkuara ka përfundua...
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulm...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Dy vite pas ndarjes nga jeta, poeti i njohur korçar, Skënd...
Muzeu Etnografik i Beratit ka hapur dyert për vizitorët pa...
Historia e Harilla Bakallit është një nga dëshmitë më rrëq...
Sot, në tregun e këmbimit valutor, një dollar amerikan bli...
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot një vendim...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti m...
Sot, në tregun e këmbimit valutor, një dollar amerikan bli...