web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga ritualet tek mënyra si festohet/ Gjithçka që duhet të dini rreth Ditës së Verës

14 Mars 2022, 08:06, Sociale CNA

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.

Ndërsa ne disa vende te tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet në qytetin e lashte te Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).

Ajo ishte një festë mbarë shqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të “Ditës së Verës” njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk futnin hundët në kremtime të ashtuquajtura pagane.

Vitet e fundit “Dita e Verës” është bërë me të vërtet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.

Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë “Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona. Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.

Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptareve, por Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një feste pagane, qe e ka origjinën ne kohen kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qene ne zonën e Çermenikas, ne afërsi te Librazhdit te sotëm. Ne kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej ne diellin, hënën dhe gjelbërimin.

Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, dite e festes se lashte, qe shënon ndryshe fundin e dimrit te acarte dhe hyrjen e pranverës se çeljes se luleve. Ne kohen antike, te paret tanë, Iliret, udhëtonin nga te kater anët për t’ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është feste e te gjithëve, e te pasurve dhe te varfërve, është feste mbarëpopullore ku te gjithë gëzojnë.

As feja, as ideologjia dhe së fundi as politika, nuk mundën ta kenë të tyre. Kohet shkuan dhe tempulli i festes qëndroi ne Elbasan, ne qytetin e luleve dhe këngës, te dashurisë dhe begatisë. Duhet theksuar dhe një herë që dt. 14 mars thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 marsi është Dita e Verës për Shkumbinin dhe, për shumë vjet me radhë dhe, Tiranën, por krahinat e tjera shqiptare kanë secila Ditë të tyre të Verës brenda kësaj jave që mbahet në formë festivali në gjithë trojet. Vjet p. sh. qyteti i Shkodrës festonte në dt. 15 mars. Caktimi i datës kryhet krejt nga ana praktike duke marrë parasysh ditën më të qëndrueshme me diell brenda kësaj jave për secilën krahinë. N.q.s. vihet re në krahinat e Shqipërisë së Mesme, 14 marsi ka qenë gjithnjë ditë me diell dhe e ngrohtë, ndërsa ditët e mëpasme shpesh janë me re dhe madje dhe shi.

Duke synuar një ditë të tillë, secila krahinë në bazë të nën klimës së vet cakton një datë me ditën më të qëndrueshme të dielltë, brenda kësaj jave. Data mund të puqet dhe me një a më shumë krahina të tjera, por gjithnjë në vartësi të anës praktike dhe nuk është e thënë që secila krahinë të ketë doemos datën e vet. Është klima vendore që ka fjalën e fundit dhe për këtë është e nevojshme njohja e zonës, pasi festimi është organik dhe jo artificial. Për këtë arsye dhe mënyra e festimit ndryshon sipas krahinave, gjë që i jep dhe bukurinë e vet festivalit në rang kombëtar.

Një sqarim tjetër që shpeshherë është i nevojshëm. Pse dita quhet e Verës, kur në fakt festivali është pranveror. Kjo ndodh sepse në kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), ka vetëm dy stinë, Verë dhe Dimër, dhe stinët nisin me barasnetët (ekuinokset) në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor, atëherë kur festohet përkatësisht Mesvera dhe Mesdimri.

Ballokumja është ëmbëlsire karakteristike vetëm në Elbasan. Ka qenë dhe është sinonim i Ditës së Verës. Ka një formule te veçante gatimi, e njohur vetëm ne këtë qytet. Në vija të përgjithshme, një ballokume përgatitet si vijon:

Në një enë të posaçme prej bakri futen sipas radhës gjalpë i freskët, sheqer, veze, maje miell misri dhe pak finje zjarri.

Të gjitha asortimentet përzgjidhen ne kushte natyrale. Gjalpi duhet të jetë prodhuar në fshat dhe të këtë një ngjyre te veçantë. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset ne enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe te dyja rrihen gjate nga një luge druri. Më pas hidhen vezët një e nga një ndërkohe qe rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e majës së miellit të misrit. maja e miellit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjte. Në masën e formuar hidhet pak finje zjarri. Rrahja duhet të behet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret me lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi dhe futet ne furrën me dru zjarri. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve.

Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhe. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jete me te mire te mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan ne kater faza Festen e Ditës së Verës. Faza e pare është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireteve qe janë te nevojshme për Ditën e Verës.

Faza e dyte është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e trete mëngjesi i Ditës së Verës qe nis me 14 mars dhe se fundi pikniku i Ditës së Verës ne mesditën e 14 marsit. Ne vigjilje te natës se Ditës së Verës, çdo shtepi e këtij qyteti është e mbushur me një gëzim te veçante, është një ndjesi qe i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit te farës dhe sytheve qe janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë.

Shtëpia mbushet plot me gjera te mira dhe me bollëk. Porta zbukurohet me lule dhe lastarë te gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjate kësaj nate te afërmit, por edhe shoke e miq te ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit. Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim te veçante hapin derën qe te futet e mira dhe te dale e liga.

Sytë lahen me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte (lloj luleje) dhe me pas pihet ujë ne “bukën e derrit”, që është një zhardhok qe gjendet nen toke ne zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji ne “bukën e derrit” simbolizon një vit te shëndetshëm dhe te begate. Gjithashtu, nje zakon tjeter qe ruhet ne kte dite, është zjerja e vezeve naten e dates 13, dhe larja e syve me ujin e vezeve te zjera ne mengjesin e dites se veres. Vec kesaj, diten e veres, lidhet ne dore nje “verore” qe është si byzylyk i formuar prej nje fijeje te kuqe dhe nje fijeje te bardhe. Verorja hiqet kur sheh dallendyshen e pare, dhe hidhet ne ferra qe dallendyshja ta marre per te bere fole. Te gjitha keto jane rite qe kryhen per te kremtuar ardhjen e pranveres, celjen e luleve, rikthimin e dallendysheve e gjallerimin e jetes.

Mëngjesi i 14 marsit nis me vizitat tek te afërmit, ku djali me i vogël i familjes nxiton te dërgoje hisen e ndare. Pikniku nis ne orën 10:00. Por vitet e fundit aktivitetet për rastin e festes nisin një ore me pare. Ne piknikun e Ditës së verës elbasanasit lëne qytetin dhe u drejtohen pikave turistike ne Byshek, Gjinar, Gurrën e Labinotit, Ullirit te Qefit, Kroit te Kalit, Cezmes se Lepurit, Ujit te Ftohte ne Labinot ,llixhe etj.

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohesh elbasanasit njihen si kopshtare me nam dhe këngëtare te shpirtit. Lulet me karakteristike ne Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet ne mënyre qe ato te shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila te ardhur nga disa vende te botes, nga Egjipti deri ne Holandë. Gjate natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion te veçante këngët e mjeshtrit te muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Kënge te tilla si ; “Një lulishte me trëndafila”, “C’u deshiruesh me te pa”, “Ma mire n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili ne pranvere” etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por ne mbare trojet shqiptare.

Që në kohët antike, tempulli i 14 marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikas, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit.

E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, festa e Verës që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri- tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur./ CNA.al





Lajmet e fundit nga