web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Prova e fundit e marrëveshjes Rama-Basha

14 Janar 2020, 14:37, Politikë CNA

Ka shumë skeptikë, të cilët thonë, se nuk ka një marrëveshje Rama-Basha. Ajo ka marrë fund, pasi kreu i Qeverisë nuk i qëndroi asaj që firmosi me Lulin me 17 Maj 2017.

Djegia e mandateve, molotovët mbi kryeministrinë, protestat e dhunshme ishin gjithçka që treguan, se Luli përfundimisht ishte shkëputur nga  Edi Rama dhe kishte marrë rrugën për të udhëhequr popullin opozitar, drejt rrëzimit të kryeministrit.

Tha 15 herë se Edi Rama ishte rrëzuar dhe se zgjedhje nuk do të kishte me 30 Qershor. Ato u bënë dhe Luli dogji  mandatet e deputetëve që mos të kishim zgjedhje, por nuk fitoi asgjë.

Në fund demokratët ngelën me gisht në gojë, por këto prova nuk i pranojnë shumë skeptikë, apo shumë militantë, të cilët thonë se nuk ka një marrëveshje Rama-Basha.

Këto janë dy prova që në fakt Luli i dha në tavolinë, Edi Ramës, një mazhorancë kushtetuese, mbi 100 deputetë dhe të gjithë pushtetin vendorë.

Së fundmi, kemi pasur dhe një lëvizje tjetër, pra konsensusi politik, mes Ramës dhe Bashës për sistemin zgjedhor, pranimi i Lulit dhe lëvizja e tij më pas. Çka tregonte, se kishte një marrëveshje në lidhje me sistemin, gjithçka ishte e mbyllur  dhe sot morën provën e fundit.

Lulzim Basha shkoi dhe u ul në tryezën negociatave me Qeverinë, për reformën, pa iu plotësuar asnjë nga pikat apo kushtet e vendosura më parë.

Lulzim Basha ka deklaruar publikisht se nuk do të ulej në tavolinën e reformës zgjedhore pa ikur kryeministri  që vidhte votat. Sepse, hajdutëria e Edi Ramës ndaj votave, krimi që blinte votat dhe që dhunonte zgjedhësit, ishin faktorët kryesorë të cilët i shërbenin Edi Ramës dhe ky qe përgjegjësi kryesore. Dhe pa ikur Edi Rama nuk mund të kishte më një negociatë me shumicën, por gjithçka do të bëhej në momentin që Edi Rama do të jepte dorëheqjen.

Më pas, me ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore u artikulua fakti, se një problem tjetër ishte qëndrimi i Damian Gjiknurit në këtë komisionit, i cili ishte personi i kapur në përgjimet e dosjes 184 në Dibër.

Kujtojmë qëndrimet tërmet-tërmet  apo telefonatat e Gjiknurit në atë kohë, që kontrollonte qarkun e Dibrës për zgjedhjet e Bashkisë, por çfarë ndodhi, çfarë ndryshoi, asgjë dhe sot kemi provën e re.

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, shkuan dhe u ulën në tavolinë për reformën zgjedhore me Damian Gjiknurin e dosjes 184. Shkuan dhe u ulën në tryezën e  reformës zgjedhore me Edi Ramën, kryeministër, pa ikur ai nga Qeveria dhe me të njëjtin komision, siç u krijua në parlament.

Pra një vit lufte, beteje për opozitën 6 muaj protesta, mesa duket ishin thjesht fasadë, që Luli të tërhiqte njerëzit pas vetes dhe të krijonte besimin se nuk kishte një marrëveshje me Ramën, por çdo ditë që kalon ai na tregon se ka një marrëveshje dhe për të dalin pika të reja.

Sot kemi pikën e fundit, uljen në tryezë të reformës zgjedhore me Edi Ramën, kryeministër dhe Damian Gjiknuri krye të tavolinës. Dhe këtë e deklaroi dhe e bëri Lulzim Basha, i cili kishte thënë se nuk do ulej as me Damianin as me Edi Ramën, por askush nuk  e besonte se kjo do të ndodhte.

Tani e kemi sërish në tryezë, ka sërish një marrëveshje, por nuk po ulen të dy, por vartësit e tyre, të cilët do të bëjnë atë që thonë shefat e mëdhenj, të cilët prej vitit 2017 vazhdojnë ta duan shumë fort njëri tjetrin./CNA.al





Lajmet e fundit nga