web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Humbje të mëdha për artin shqiptar/ Figurat e njohura që ndërruan jetë në 2019-tën

1 Janar 2020, 08:45, Kulturë CNA

Figura të nderuara që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin shqiptar ndër breza, fatkeqësisht u ndanë nga jeta. Megjithatë veprat e artistëve gjithmonë mbesin, kështu që një artist është e vështirë ta harrosh.

2019-ta ka marrë emra të njohur si; Gjergj Xhuvani, Josif Koci, Fatos Baxhaku, Shpetim Zani (Coli), Agim Mujo, Vera Urumi, Qerim Mata, Ahmet Qirezi, Ana Gjini, Shpresa Bërdëllima, Valentina Caci, Marika Kallamata, Mira Minga Jupi, Eva Pëllumbi, por edhe parodistin e Vlorës, Muhamet Lika.

Në 1 mars 2019, në moshën 85-vjeçare është ndarë nga jeta regjisori i filmave kronikalë dhe dokumentarë Qerim Mata, i cili është bërë i njohur si Lefter Lefteri në filmin ?I teti në bronx?. I lindur në Tiranë në tetorin e vitit 1934, Mata pas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve për aktor filloi punë në kinostudion ?Shqipëria e re? si asistent-regjisor, ndërsa në vitin 1972 xhiroi si regjisor i pavarur filmin dokumentar ?Motive dibrane?, i cili u pasua nga 35 të tillë me tema, subjekte e motive të larmishme.

Në 5 mars 2019, u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare aktorja e njohur e teatrit ?Migjeni?Ana Gjini ( Shala).

Ana interpretoi për 25 vite në skenën e teatrit duke realizuar 45 role. Ana, gjatë gjithë jetës së saj artistike, u shqua për profesionalizëm në interpretimin e roleve duke krijuar karaktere që kanë mbetur në kujtesën e spektatorëve.

Në 27 mars 2019 është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, aktorja e mirënjohur durrsake, Vera Urumi.

Në foto po ju paraqesim një fragment nga komedia PREFEKTI ku znj.Urumi luante rolin e Zonjës përkrah Nikolin dhe Meropi Xhojës dhe në një foto tjetër me kolegun e saj z.Lutfi Hoxha gjatë ceremonisë së Festivalit të Filmit në Durrës në vitin 2012.?

Në 2 prill 2019 është ndarë nga jeta në moshen 88 vjecare Ahmet Qirezi, aktor, gazetar, kritik i filmit e teatrit dhe dramaturg. Ahmet Qirezi i takon gjenerates se pare te aktoreve te Teatrit popullor krahinor (1954), tash teatrit kombetar te Kosoves.

30 maj 2019 është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare aktori i njohur, pjesë e parodistëve të Vlorës, Muhamet Lika. Lika vuante prej kohësh nga sëmundja e zemrës, ndërsa prej disa ditësh ishte për kurim në Itali.

Muhamet Lika numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41-vjeçar.Lika mban shumë tituj dhe çmime ndërsa se fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin ?Mjeshtër i madh?.

Në 11 korrik 2019, u nda nga jeta aktorja e mirënjohur shqiptare, ?Artistja e Merituar? Valentina Caci.

Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.

Në 14 gusht 2019 është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani.

Regjisori ka ndërruar jetë në një spital në Romë pasi vuante nga një sëmundje tejet e rëndë.

I njohur për krijimtarinë e tij kinematografike, këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ?Liqeni im?.

Gjergj Xhuvani lë bashkëshorten, aktoren Luiza Xhuvani dhe dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë.

Në 15 gusht 2019 është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku, një prej emrave të shquar të gazetarisë postkomuniste në Shqipëri.

Në 22 gusht 2019, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Shpëtim Zani, i spikatur mbi të gjitha me rolin e ?Colit? te filmi ?Debatik?.

Ishte viti i largët 1960 kur regjisori i mirënjohur Hysen Hakani e përzgjodhi atë për rolin kryesor në filmin ?Debatik?.

Shpëtim Zani i vogël binte në sy si një djalë i shkathët, i natyrshëm, që ?rrëmbeu? lehtë zemrën e publikut për vite me radhë.

Ndonëse fillimi ishte i mirë, karriera kinematografike e Shpëtim Zanit u mbyll herët, dhe ai nuk u angazhua në asnjë rol tjetër.

Megjithatë ky është ndër ato raste kur një rol mund të të bëjë të paharrueshëm në kujtesën e publikut.

Në 20 shtator 2019 ka ndërruar jetë nga një atak kardiak, Agim Mujo, vëllai i aktores Yllka Mujo. Ai u shua në moshën 63-vjeçare në Romë të Italisë, ku jetonte atje prej vitit 1990, pasi ishte larguar me hapjen e ambasadave. Një aktor që ka luajtur në disa filma, mes të cilëve “Malet me blerim mbuluar” në moshë fare të re.

Në 27 tetor 2019, arti shqiptar humbi një nga aktoret që ka lënë gjurmë në kinematografinë të para viteve ’90! Shpresa Bërdëllima është ndarë nga kjo botë në moshën 60-vjeçare. “Zonjusha Gajtan”, siç shumë e njohin për shkak të rolit të saj në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk mundi të fitonte betejën e saj me sëmundjen e rëndë prej së cilës vuante prej kohësh.

Ajo ndërroi jetë në Belgjikë, aty ku ishte zhvendosur të jetonte prej vitesh së bashku me familjen e saj.

Në 5 nëntor 2019 është ndarë nga jeta aktori i Teatrit të Durrësit, Josif Koci.

Në 18 dhjetor, është ndarë nga jeta aktorja e dashur për publikun, Mira Minga Jupi. Lajmin e trishtë e konfirmoi edhe mikesha e saj, Shegushe Bebeti, e cila njoftoi se aktores nuk do t?i jepet lamtumira e fundit në atdhe.

Aktorja jetonte prej 19 vitesh në SHBA, ku ndërroi dhe jetë.

Mira Minga është e njohur për publikun për rolin e ?Kotes?, në filmin ?Përrallë nga e kaluara?. Ajo ka luajtur për herë të parë edhe ?Pinokun?, ndërsa numëron edhe një numër rolesh të tjera në kinematografinë shqiptare.

Në 22 dhjetor 2019 është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare Marika Kallamata, aktorja shqiptare që ka realizuar dhjetëra role në teatër e në kinema.

E mbetur në kujtesë edhe si gjyshja e përrallave, Kallamata do të mbahet mend për rolet e saj në filmat ?Nxënësit e klasës sime?, ?Kur xhirohej një film?, ?Fillim i vështirë?, etj.

Në 25 dhjetor 2019 u shua në moshën 66 vjecare në Gjermani, Eva Pëllumbi. Aktorja e njohur për filmat ? Vajzat me kordele të kuqe?, ?Kapedani? apo ?Ëndërr për karrige? si dhe për rolet e saj të shumta të Teatrin e Kukullave jetonte në Gjermani që në fillim të viteve ?90.

Në 27 dhjetor 2019, ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, kompozitori i njohur nga Kosova Gjergj Kaçinari.

Gjergji u lind më 25.04.1939  dhe gjatë jetës së tij kompozoi muzikë argëtuese dhe serioze. Gjergji i takon gjeneratës së mëvonshme të pas luftës së dytë botërore të kompozitorëve në Kosovë.

Shumë kompozime të filmit e teatrit shqiptar nga Kosova mbajnë firmën e tij.

Ai ka bërë përmbledhje të ndryshme folklorit dhe i ka sjellë ato në forma të tjera muzikore. Pas kësaj Kaçinari i ka artikuluar edhe në libra të ndryshëm, njëri prej të cilëve titullohet: ?Margaritarët e këngëve popullore?.





Lajmet e fundit nga