web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Publikohet raporti/ Arsimi shqiptar vlerësim të ulet nga Indeksi Global

18 Dhjetor 2019, 12:16, Sociale CNA

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare Burimore për të Rinjtë në Shqipëri (YRCA) dhe Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN) në bashkëpunim dhe me mbështetjen e CRCA/ECPAT Shqipëri, Child and Youth Policy Hub Albania dhe Koalicionit për Arsimin në Shqipëri (ACE), organizuan Forumin Kombëtar ?Drejtësia, Arsimi dhe Pjesëmarrja e të Rinjve?.

Forumi i 5-të Kombëtar ?Rinia në Shqipëri? adreson problemet më të prekshme të rinisë në Shqipëri

Forumi është një platformë kombëtare e përvitshme dialogu ndërmjet të rinjve, ligjvënësve dhe politikë-bërësve për çështjet dhe problemet më shqetësuese me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri. Për vitin 2019 tre ishin çështjet thelbësore: Drejtësia Rinore; Arsimi i adoleshentëve dhe të rinjve; Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje.

Raporti i CRCA dhe ANYN ?Rinia në Shqipëri 2019? identifikoi disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat në vend dhe faktorët që ndikojnë në gjendjen ku ndodhet rinia. Kriminaliteti rinor në vitit 2019 arriti në vlerën e 38% të totalit të veprave penale që kryhen në Shqipëri. Ndërkohë që Indeksi Global i të Drejtës së Arsimit, që u prezantua sot gjatë tryezës nga koordinatorja kombëtare e Koalicionit të Arsimit, tregoi se Shqipëria është tepër larg realizimit të të drejtës për arsim cilësor për fëmijët dhe të rinjtë.

Forumi Kombëtar ?Rinia në Shqipëri? është platforma më e madhe e debatit dhe diskutimit mbi çështjet e rinisë, që organizohet prej tashmë 5 vjetësh nga CRCA Shqipëri, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë dhe Koalicioni i Arsimit. Vitin e kaluar Forumi ishte i vetmi që lehtësoi një debat ndërmjet studentëve protestues dhe Ministres së Arsimit, para se Qeveria të fillonte t?i merrte seriozisht kërkesat e tyre për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri. Rekomandimet e dala nga Forumi shërbejnë për përmirësimin e politikave dhe programeve për të rinjtë kudo në Shqipëri.

Pjesë e Forumit është edhe Panairi i Organizatave Rinore në Shqipëri, i cili është një
paraqitje e punës së shkëlyer që bëjnë vetë të rinjtë për të rinjtë. Ai shërben gjithashtu për të krijuar ura bashkëpunimi dhe ndarjen e eksperiencave midis organizatave rinore në Shqipëri, të rinjve, donatorëve, institucioneve publike dhe publikut të gjerë.

Në këtë event, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë ANYN, i dhanë edhe Çertifikata Mirënjohjeje aktivistëve, vendimarrësve dhe gazetarëve, të cilët, përgjatë gjithë vitit 2019, kanë qënë zëri dhe imazhi i përpjekjeve dhe punës që ato bëjnë për të rinjtë.

Indeksi Global për të Drejtën në Arsim: Shqipëria mungesë themelore të kushteve për mësim

Indeksi Global për të Drejtën për Arsim, një mekanizëm vlerësimi për të matur
ushtrimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që ndjekin arsimin parauniversitar kudo në botë, i përgatitur nga eksperte te se drejtes per arsim, nga Universiteti i Harvard, UNESCO, Global Campaign for Education dhe Education International etj, bëri publike rezultatet e tij, përfshi edhe ato për Shqipërinë.

Ndonëse në renditjen globale Shqipëria merr përgjithësisht një vlerësim pozitiv, pasi ka një kuadër ligjor dhe të politikave publike të zhvilluar, vendi yne merr vetëm gjysmën e pikëve në aspektet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me faktorët që ndikojnë në cilësinë e arsimimit të fëmijëve. Sipas Indeksit Global, Buxheti i Shtetit, që jepet për arsimimin, arrin të përmbushë vetëm 45% të nevojave të nxënësve për arsimim në Shqipëri. Në vitin 2019, Buxheti i shtetit për arsimin përbëri vetëm 2.55% të GDP, që është i pamjaftueshem per të mbuluar nevojat që ka arsimi parauniversitar. Nga të
dhënat publike të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave dhe INSTAT, nuk rezulton që formula e llogaritjes ?për fëmijë? të jetë zbatuar ndonjëherë, gjatë përgatitjes së buxhetit për arsimin në Shqipëri, ndaj ekziston edhe një diferencë kaq e gjërë ndërmjet nevojave të fëmijëve dhe asaj që Qeveria investon për arsimimin e tyre.

Rezultatet e PISA 2018, të publikuara vetëm një javë më parë, treguan se buxheti i ulët për arsimin dhe reformave efektive do të vijojne të ndikojnë negativisht në gjendjen e arsimit dhe renditjen e Shqipërisë ndër vendet e fundit në Europë për niveline arritjeve të nxënëseve në lëndët bazë. Indeksi Global çon shqetësime serioze edhe për sigurimin e librave shkollorë falas për të gjithë fëmijët, si dhe mundësitë dhe cilësinë e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, përfshi edhe mjediset e papërshtatshme të të mësuarit për të gjithë nxënësit.

Një tjetër fushë që Indeksi vlerëson dhe jep pikë tepër të ulta është mungesa e mësuesve të trajnuar mirë dhe në vazhdueshmëri, ppër më tepër që Shqipëria ende nuk ka një standart minimal në lidhje me raportin e mësueve cilësorë për nxënës. Gjatë 22 viteve të fundit, reforma e sistemit arsimor nuk është përqëndruar sa duhet në reformimin e profesionit të mësuesit dhe shteti vijon ende të jetë i përfshirë në sistemin e procesit të vlerësimit të mësuesve. Fondet publike në dispozicion për trajnimin e mesuesve janë thuajse inegzistente dhe mësuesve ju kërkohet që të paguajne nga rroga e tyre për aftësimin e tyre të vazhdueshem.

Tekstet mësimore u vlerësuan me zero Pikë nga Indeksi, kjo për shkak se pavarësisht se ligji 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri” (i rishikuar), neni 5 “E drejta e arsimit” përcakton që arsimi i detyrueshëm publik dhe arsimi i mesëm i lartë janë pa pagesë, në të vërtetë fëmijët dhe familjet paguajnë për të siguruar vetë tekstet shkollore. Vetëm klasat 1-5 përfitojnë tekste falas, që përsëri duhet të kthehen mbrapsh në përfundim të vitit arsimor.

Mjedisi mësimor në institucionet shkollore është vlerësuar gjithashtu më gjysmën e pikëve të mundshme, ku Shqipëria mori një rezultat të përgjithshëm prej 50%. Prania e dhunës në shkollë dhe mungesa e një mekanizmi efikas ku nxënësit mund të raportojnë janë parë si dobësitë kryesore të sistemit.

Indeksi në fushën 5, atë të Përshtatshmërisë, evidentoi se arsimi përmbush vetëm 67% të nevojave për arsim për femijët me aftësi të kufizuara dhe për ata të minoriteteve. Mjedisi shkollor sot nuk garanton një akses të plotë që siguron arsim gjithëpërfshirës për fëmijët. Rreth 64% e fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë të mbeten jashtë sistemi të arsimit publik parauniversitar. Gjithashtu Shqipëria nuk ka të dhëna në lidhje me raportin mësues ndihmës i kualifikuar – fëmijë me aftësi të kufizuara. Fakti që politika në punësimin e mësuesve ndihmës ndryshon gjithnjë, e bën të vështirë matjen me efektivitet të këtij indikatori.

Ndërkohë, arsimimi i fëmijëve Rom, përbën një shqetësim serioz, sipas të dhënave të Indeksit. Niveli i ulët i numrit të fëmijëve Rom që ndjekin arsimin parauniversitar e shoqëruar kjo me pamundesinë për të zhvilluar arsimin në gjuhën e tyre dhe kushtet social-ekonomike në të cilat ata jetojnë, i detyron fëmijët Rom të mos e realizojnë të drejtën e tyre për arsimim.

Të dhënat e Indeskit Global për të Drejtën në Arsim dhe ndikimi që ka ai në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë u bënë për herë të parë sot publike nga Koalicioni Për Arsimin në Shqipëri (ACE), përgjatë Forumit të 5-të Rinor Kombëtar: ?Drejtësia, Arsimi dhe pjesëmarrja e të Rinjve?.

Indeksi u hartua në bazë të një pyetësori të përbërë më 79 pyetje me një total prej 365 pikësh, dhe përmban të dhëna që monitorojnë aspektet e ushtrimit të të drejtës për arsim. Indeksi është një mekanizëm global i llogaridhënies që synon të sigurojë që të gjithë, pavarësisht se ku jetojnë, gëzojnë të drejtën për arsimim cilësor dhe gjithpërfshirës. Indeksi global monitoron progresin kombëtar dhe zbulon
fushat kyçe që kanë nevojë për përmirësime./CNA.al





Lajmet e fundit nga