web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qeveria, 4 milion euro "kompensim" televizioneve private, brrylin taksapaguesve për dekoderat

28 Prill 2019, 17:23, Aktualitet CNA

Nga Xhovani Shyti

– Një vendim i fundit i qeverisë “rilindase” Rama është një tjetër argument i trishtë i faktit se, ndonëse politikisht mazhoranca qeverisëse i përket të majtës, realisht nuk implementon politika në favor të shtresave të gjera, por stimulon të etiketuarit “oligarkë”.

Vendimi për të cilin flasim i përket datës 04 Prill 2019, kur Qeveria vendosi ti akordojë 4 milionë euro, disa prej televizioneve kryesore private në vend. Sipas mediave, bëhet fjalë për: “Top Channel”, “Tv Klan”, “Vizion Plus” dhe dy platforma digitale, që do ta përfitojnë kompensimin për shpenzimet e bëra për kalimin nga transmetimi analog në atë digjital.

Ky vendimi i Qeverisë u publikua në fletoren zyrtare, pak ditë më parë. Ndër të tjera në të shkruhet:

“…Operatorët me eksperiencë në transmetimet digjitale kompensohen në masën 2 milionë euro për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike….Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën 2 milionë euro për mbulimin e investimeve të kryera për ndryshimin e strukturës së transmetimit nga analoge në numerike… Vlera e komensimit për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike do të llogaritet me perqindjen që vlera financiare për përgjegjësitë tatimore, e paguar prej secilit operator, zë në totalin e vlerës financiare për përgjegjësitë tatimore të paguara nga të gjithë operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike etj.”

Motivi zyrtar i kompensimit të këtyre operatorëve televiziv privatë nënkupton investimin që këto subjekte kanë bërë në rinovim të teknologjisë bashkëkohore, që e ngjit biznesin e tyre një shkallë më lartë, por që nuk e motivon shpërblimin kompensues, pasi nuk është ndonjë e veçantë dhe as specifike. Nga që të njejtën gjë kanë bërë e bëjnë edhe shumë biznese të tjera, jo të ngjashme me televizionet e paltformat, sigurisht, por që megjithatë nuk kanë përfituar ndonjë kompensim nga Qeveria.

Psh bisnesmenët e bluarjes së drithrave investojnë për ta bërë gjithçka të lëviz dhe të kontrollohet jo sipas teknologjisë “analoge” të syrit, veshit e nuhatjes, por sipas asaj të ekranit kompjuterik digjital …

Po rinovim të proceseve teknologjike, nga “analoge primitive” në bashkëkohore përdorin edhe  sipërmarresit e bulmetrave, që përpunimin e cilësinë e qumeshtit, kosit, dhallës, gjizës, gjalpit, hirës etj., nuk e realizojnë më duke marrë me gisht kampione dhe shijuar me thithje apo nuhatje, por nëpërmjet kalimit në sistemin digjital…

E ngritëm disi dozën e ironisë këtu për të theksuar se digjitalizimi sot është tendencë moderniteti teknologjik, jo vetëm e fushës së mediave televizive, por e një serë bizneseve të sferave të tjera, të cilat shpenzimet për revolucionarizimin e teknologjisë  nga “analoge” në “digjitale” i përballojnë nga fondet e xhepit të tyre, nga që qeverisë së “rilindjes” as që i shkon nëpër mend t’u kompensoje ndonjë qindarkë.

Gjë që me televizionet nuk ka ndodhur, por ndodhi që ndonëse investimet e bëra për kalimin nga analoge në digjitale, sikurse dhe bizneseve të tjera rinovuese të teknologjive, u vlen veç për interesat e tyre, qeveria nuk ngurroi ti sponsorizojë.

Dhe sikur fondi shpërblyes i vendimit të qeverisë Rama i dalë nga buxheti i taksapaguesve të ishte bërë  për t’u kompensuar këtyre operatorëve televizivë humbjet e shkaktuara nga shpërndarja falas e dekoderave të domosdoshëm  për  të ndjekur programet e tyre të digjitalizuara, kjo do të ishte diçka e justifikuar.

Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Pasi ka ndodhur që, duke përjashtuar një sasi dekoderash DVB T2 të shpërndara nga RTSH ca familjeve skamnore (për të ndjekur 24 kanale me programe bajate), as edhe një cop dekoder “T2 HD” e “flyBOX”, nuk është ndarë falas nga televizionet e platformat private, që u’a ofrojnë ato taksapaguesve, kundrejt çmimit 4000-9.900 lekë.

E megjithatë qeveria Rama e të majtës “rilindase”, çuditërisht, nuk ka ngurruar të tregohet zemërgjerë me këta tregtarë privatë, ndërkohë që u ka treguar brrylin takspaguesve më të varfër të Evropës, të cilëve,  jo vetëm mediat private të shpërblyer nga qeveria e majtë për të përballuar “humbjet” nga procesi i digitalizimit, por dhe RTSH-ja e tyre publike për të cilin ata kontribojnë financiarisht gjithë vitin, u’a shet dekoderat DVB T2 kundrejt çmimit 2500 lekë copa. Një transaksion i leverdisshëm financiar ky në prag të zgjedhjeve të pritëshme të 30 Qershorit./ CNA.al





Lajmet e fundit nga