web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse Bashën e braktisi Shkodra?!

3 Shtator 2018, 16:32, Aktualitet CNA

Opozita vendosi që sot të zhvillonte mbledhjen e grupit të saj parlamentar, në orën 17:00 në Shkodër.

Braktisi punimet e Kuvendit dhe u mblodh në Shkodër në një takim të paralajmëruar që në mëngjes, në lidhje me situatën e krimit në këtë qytet, si një këmbanë alarmi për lidhjet e qeverisë, me atë që Lulzim Basha e quan mafie e lidhur me pushtetin.

Në fakt, përtej së drejtës që ka opozita për situatën kriminale në vend, apo lidhjet e qeverisë me krimin, ajo që ra në sy ishte bojkoti total ndaj Lulzim Bashës.

Ai mblodhi deputetët e tij dhe të LSI-së në Shkodër, por nuk u prit nga shkodranët. Fotot e mëposhtme tregojnë vetë kush e priti Lulzim Bashën në ambientet e hotelit ku zhvilloi mbledhje, por edhe si ishte situata jashtë. Këtu bëjmë një krahasim dhe kujtojmë kohën kur shkonte Sali Berisha, qoftë edhe për një kafe në Shkodër apo në një takim të thjeshtë, çfarë ndodhte me Shkodrën, djepin e demokracisë në Shqipëri.

Lulzim Basha është i braktisur, duket se është i vetmuar. Mesa duket shkodranët po i japin përgjigjen më të mirë për goditjen që ai i dha qytetit dhe demokratëve, duke çuar si përfaqësues një diskler të bisedave korruptive, njerëz jo përfaqësues dhe të pa vlerë, të cilët nuk janë pjesë e qytetarisë shkodrane, por edhe nuk mund të përfaqësojnë opozitën dhe Partinë Demokratike në djepin e saj.

Por, përtej faktit të bojkotit të Lulzim Bashës, kishte edhe një detaj tjetër, i cili erdhi pas braktisjes që shkodranët i bënë Lulit, ku askush nuk doli për ta përshëndetur, qoftë edhe pesë veta.

Mirë që nuk ka njerëz, por Lulzim Bashës i mungon edhe organizimi. Pra, dalja e qytetarëve do të ishte një kurajo, jo për opozitën, por për vetë situatën e krimit që kalon ai qytet.

Më tej, Lulzim Basha mbajti një fjalim dhe më pas largoi kamerat. Fjalim nga ato të tijtë, ku kërkonte falje për të shkuarën e largët apo të afërt, premtonte se do të ndryshonte veprime të cilat ai i ka bërë shpesh.

Foli për krimin, foli për Shkodrën, por nuk tha asnjë emër. Fliste në përgjithësi me akuza a thua se ishte një gazetar në një studio televizive dhe jo  kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, që në fakt nuk u bë dot lider kurrë.

Shkon në Shkodër të flasë për krimin, flet në parim, merr makinën dhe bodiguardët dhe kthehet në Tiranë.

Nuk tha asnjë emër, nuk drejtoi asnjë akuzë të drejtpërdrejtë. Thjeshtë akuza politike në ajër drejtuar kryeministrit Edi Rama, asgjë faktike, asgjë ndryshe.

Dhe sot më të gjithë pritshmëritë e medias, ajo që ishte lajmi, është braktisja që i bënë shkodranët Lulzim Bashës dhe asgjë më tepër.

Në ditën kur Lulzim Basha mund të prodhonte shumë lajme, ai nuk mundi ta bënte dot këtë edhe sot./ CNA.al





Lajmet e fundit nga