web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë ka mbetur për të vjedhur?!

11 Shtator 2017, 15:20, Aktualitet CNA

Nga Aulon Kalaja

Sigurisht që kjo do të jetë qeveria më pa shije që ka pasur ndonjëherë vendi ynë. Cdo gjë po kalon pa buje dhe askujt nuk i bën përshtypje se kush u emërua ku. Nuk ka pikë interesi, se sa ministri ka dhe sa kishte. E vërteta është se Rama po zvogëlon oligarkinë. Dje kishte 20 oligarkë, sot ka 13. Përtej iluzionit se reduktimi i numrit të ministrive u bë për të mirën e përgjithshme, shkurtimin e shpenzimeve, parandalimin e burrokracive, qëllimi kryesor ka qënë përqëndrimi i pushtetit tek njerëzit më të besuar të tij. Jo se kabinetin e djeshëm nuk e kishte nën kontroll, por pushteti ka gjithmonë nevojë për njerëz akoma më të besueshëm. Me emrat e ri të kabinetit “Rama 2”, duket sikur Kryeministri ka shporrur nga tava e oligarkisë që drejton, emra që krijuan zhurmë në media, ose të diskretituarit nga opinioni publik, rasti Tahiri-Beqaj, Por nga ana tjetër ai po rrit përbindësha, që do të bëhen peshkaqenë në korrupsion, sepse janë të uritur dhe nuk kënaqen me peshq të vegjël.

Duke përfituar se populli është i tulatur, ai bën cfarë të dojë, sepse në fund të fundit, e di që nuk do të ketë ndonjë kundërshti. Sfidon jo vetëm të përndjekurit, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ia kanë ndaluar përjetëshit hyrjen në ShBA Gramoz Rucit dhe këtë të fundit e emëron si Kryetar Kuvendi, me një trimëri të paturpshme. Bash njeriu që ka bërë krime në komunizëm, ka qënë arkitekti i masakreës së “2 prillit 1991” në Shkodër, Apo emëron Ministër të Brëndëshëm një hetues që akuzohet për tortura, në regjimin e kaluar.

Por nuk është vetëm këtu e keqja. Nesë shikon me një sy të mprehtë ministrat e tij, duket se ata janë të paaftë për dikasteret që drejtojnë. Duket se Kryeministri i ka gjetur njeriut punën dhe jo punës njeriun.

U shpreha më sipër se kjo do jetë qeveria më pa shije dhe që do kalojë mandatin e plotë ose të paplotë pa dhënë asnjë mesazh, pa lënë asnjë gjurmë. Nuk e di se cfarë do të vjedhin më këta ministra e drejtorë. Shqipëria tanimë është e rrënuar, e varfëruar, në mjerim. Ajo po përjeton sot ditët e një shtëpie të vjedhur, që nuk ke asgjë tjetër përvec mëshirës. Por mesa duket këta nuk do të kenë asnjë pikë mëshire. E them këtë. sepse do të ulet piaca e korrupsionit. Koncensionet e majme qindra milion euro u dhane mandatin e kaluar. Sepse Kryeministri punoi sikur të ishte dita e fundit, duke mataruar të tijtë dhe duke futur duart në cdo pasuri kombëtare. Droga u ezaurua, U mboll fuqishëm dhe u kontrollua nga shteti. Policia kishte përqindjen e vet, ministri i linjës po ashtu dhe Kryeministri merte hisen e tij. Them se droga u ezauua, pasi i përmbahem fjalës së Kryeministrit që u shpreh se “nuk do të ketë më drogë këtë vit”, Po si ka mundësi që Kryeministri e di këtë gjë. Ai për 4 vjet nuk e pranonte që kishte drogë në vëndin tonë dhe jo vetëm kaq. Ai e kthente situatën në sarkazëm, duke bërë shaka me akuzat që bëheshin, që ishin jo vetëm akuza por fakte me foto dhe video. Ai nuk e pranonte drogën si realitet, ndërsa tani thotë se nuk do të ketë më drogë. Si ka mundësi që është kaq i sigurtë?! Kjo lloj sigurie ndodh vetëm at’herë kur e ke vetë nën kontroll drogën, Apo hashashi e përfundoi misionin e tij, sepse paratë blenë votat dhe u sigurua një mandat i dytë?! Vetëm se kjo periudhë do të mbahet mend, që shteti ishte vetë trafikanti i madh, burgosi të pambrojturit dhe bosta e mëdhenj janë po aty, kanë bërë para të madhe. Do të mbahet mend edhe se fëmijët e 9-vjecares filluan të tymosnin hashash në klasë dhe se gra e burra lanë punët e mëparshme dhe shkuan të punojnë nëpër parcela me 30 mijë lekë dita. I di edhe Kryeministri këto, sepse i dijnë të gjithë. Megjithatë jam sërish skeptik, sepse ai nuk e mban fjalën që këtë vit nuk do të ketë drogë…

Lejet e minierave, korrupsioni tek ilacet, tek licensat e bizneseve, tek hipotekat dhe aluizni, vjedhjet galopante të rilindjes urbane, apo të cdo lloj projekti që u vodh barbarisht në 5 fishin e tij, Mjeshtra të korrupsionit dhe të uritur. Ndaj them sot, se për cfarë ju duhet më kjo qeveri? Cfarë ju duhet ky vend, o Kryeministër? Kur e vodhët dhe zgrapët mandatin e parë. Nuk ka mbetur më asgjë për të vjedhur. Do e ulni piacën e korrupsionit dhe vetë ministri do të meret me 5000 euro për një vend pune, apo për ndonjë leje aty-këtu. Nuk keni se si t’a rripni më këtë vend.

Ka dhe një mënyrë tjetër, që nuk doja tia fusja në mëndje, T”i fusni dorën në xhep qytetarit. Jo se nuk e keni bërë, se shembulli i fundit ishte për qytetarët e Tiranës, me datë 31 korrik ku rritët në mënyrë të turpshme cmimin e ujit, ndërkohë që ujë nuk ka dhe Shqipëria është ai vend me resurse të tilla që duhet t’a shpërndajë falas ujin.

Nëse i fusni dorën në xhep drejtpërdrejtë qytetarit, është e vetmja zgjidhje për babëzinë tuaj, por at’herë do të përballeni me zemëratën popullore që do ju demaskojë. Do ju konfiskojë pasuritë tuaja të vendosura nga gjaku ynë dhe do ia kthejmë ato pronarit të vërtetë, pra vetes tonë.

/Citynews





Lajmet e fundit nga