web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

VETTING-u përgjysmon korrupsionin

15 Prill 2017, 15:13, Aktualitet CNA

REFORMA, E DOMOSDOSHME PËR SISTEMIN E DREJTËSISË

Politika, pengesë për dekriminalizimin e shtetit

“Sikur të miratohej ligji i ‘Vetting’-ut, dhe ai të zbatohej si duhet në reformën e brendshme në sistemin e drejtësisë, automatikisht mbi 30% të rasteve korruptive jashtë sistemit të drejtësisë vetvetiu do të pastroheshin dhe automatikisht do t’u dridheshin gjunjët të gjithë atyre që janë pasuruar përmes rrugëve antiligjore”, theksoi për Gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se të gjithë ata që janë të inkriminuar në korrupsion dhe veprime antiligjore, i frikësohen reformës së thellë në drejtësi, përshirë këtu edhe pushtetarët e inkriminuar, por edhe të tjerët. Sipas tyre, në këtë drejtim pa një presion të jashtëm as pozita dhe as opozita në Kosovë nuk do të kërkojnë një ligj të tillë, i cili mund t’ua heqë “tortën” nga goja, dhe madje edhe mund që t’i ndëshkojë. Ndaj është shtruar edhe çështja se përse as njëra, as tjetra nuk po iniciojnë një proces “Vetting”-u si në Shqipëri, ku pa reformim nga e para të sistemit të drejtësisë nuk hapen as negociatat për anëtarësim, gjersa një reformë e tillë është imperativ kohe mbase do të hiqte totalisht kontrollin e interferimin e politikës nga drejtësia dhe njëkohësisht do të pastronte drejtësinë tërë- sisht nga të korruptuarit e të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë, por rrjedhimisht edhe përmes vetë- pastrimit nga ligji i “Vetting”-ut do të kthehej besimi i plote i qytetarëve në drejtësi, dhe gjithashtu do të ndodhte edhe zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia për qytetarët kosovarë. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për Gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se pushteti apo politika e inkriminuar nuk e do të mirëqenë reformën e thellë në drejtësi, ngase çfarëdo reforme në drejtësi do të largonte ndikimet e politikës në sistemin e drejtësisë apo do të pastroheshin figurat e dyshimta që janë të inkriminuar dhe të lidhur me pushtetin apo të influencuar nga politika.

“Peshqit e mëdhenj”, të paprekshëm

Sipas Kelmendit, pavarësisht se me reformën në sistemin e drejtësisë, përkatë- sisht në gjykata e prokurori do të lëndoheshin interesat e politikës, është imperativ i kohës për ta pastruar drejtësinë nga të inkriminuarit dhe figurat e lidhura me politikën, kështu që përfundimisht të shkëputej kontrolli e interferimi i politikës në drejtësi, por njëkohësisht edhe pastrimi i drejtësisë nga gjykatës e prokurorë të korruptuar, për ta vendosur në funksionin e tij shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit. Ai thotë se vetëm atëherë do të kthehej besimi në drejtësinë kosovare dhe do të kishim një shtet të së drejtës me integritet dhe në funksion të ligjit dhe të së drejtës krejtësisht në etikën dhe pavarësinë e tij. “Kjo mbase dhe duhet të jetë objektiv i kësaj klase politike për t’i larguar ndikimet e saj nga drejtësia, derisa kjo do të ishte me interes për funksionin dhe të ardhmen e sistemit të drejtësisë, e ku do të kthehej pastaj besimi i plotë i qytetarëve në drejtësi, dhe si rrjedhojë e kësaj edhe zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve”, u shpreh analisti Naim Kelmendi. Analisti tjetër, Shefqet Dibrani thotë se në Kosovë, si duket, sistemi i drejtë- sisë vetëm sa për sy e faqe ekziston, ngase ky sistem me këta hapa breshke as që mund t’i përafrojë lëndët, ndërsa rasteve të rënda as që iu ka afruar, sepse ndikimi i politikës është i dukshëm, prandaj automatikisht sistemi i drejtësisë bie në nivelin e drejtësive me dy standarde, pasi ‘peshqit e mëdhenj’ mbeten vetëm shprehje në eter “Deri më sot nuk kemi ndonjë rast që ia vlen për t’u veçuar, derisa, siç tha, reformës në drejtësi i frikësohen të gjithë ata që janë të inkriminuar në korrupsion dhe veprime antiligjore, e në këtë plan duket se çdo i dyti ose i treti është i prekur nga kjo sindromë, prandaj reformës i frikësohen të gjithë, pa përjashtim”, ka vijuar më tej ai.

Presioni ndërkombëtar, vendimtar

Ndërsa, sa i përket asaj se përse politika në përgjithësi, si pozita ashtu edhe opozita, nuk po iniciojnë një proces “Vetting”-u si në Shqipëri, ngase pa reformim nga e para të sistemit të drejtësisë nuk hapen negociatat për anëtarësim, Dibrani në këtë aspekt thotë se edhe në Shqipëri “Vetting”-u nuk është miratuar me dëshirën e atyre që janë të korruptuar dhe të involvuar në krime të rënda ekonomike dhe politike, sikurse me këtë “Vetting” nuk janë pajtuar as prokurorë dhe gjyqtarë, që nuk kanë ndarë drejtësi sipas ligjit, por kanë ndarë drejtësi sipas interesit të klaneve të caktuara. “Prandaj, pa një presion të jashtëm as pozita dhe as opozita në Kosovë nuk do të kërkojnë një ligj, i cili mund t’ua heqë tortën nga goja, dhe madje edhe mund që t’i ndëshkojë. Përndryshe, sikur të miratohej ligji i ‘Vetting’-ut, dhe ai të zbatohej si duhet në reformën e brendshme në sistemin e drejtësisë, automatikisht mbi 30% të rasteve korruptive jashtë sistemit të drejtësisë vetvetiu do të pastroheshin dhe automatikisht do t’u dridheshin gjunjët të gjithë atyre që janë pasuruar përmes rrugëve antiligjore. Por, mendoj se me një presion të fuqishëm nga vendet e BE-së dhe Amerika, ky ligj do të miratohej në Kosovë, me që rast do t’u hapte udhë reformave të gjithmbarshme dhe do të ngjallte shpresën se një reformë e përgjithshme do ta përfshinte Kosovën”, theksoi për Gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani. Avokati Emrush Kastrati mendon se në mënyrë indirekte ka ndikime të politikës te gjyqtarët, ngase këta të fundit, sipas tij, derisa e kanë periudhën trevjeçare provuese duhet të kenë kujdes për të pasur pastaj standardin e përhershëm ku mund të jetë ndikimi i përgjithshëm për mundësitë e shkeljeve procedurale, etj. ” Pra, indirekt mund të ketë ndikim, por drejtpërdrejt nuk besoj se mund të ketë ndikim politika në gjyqësor. Ndërsa, në anën tjetër, vlerësoj se një lloj ‘Vetting’- u, apo disiplinimi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve mund ta bëjnë edhe palët nëse hetojnë se ka shkelje procedurale të qëllimshme të caktuara përmes Zyrës së prokurorit disiplinor ne mund ti shohim këto”, tha Kastrati.

Të forcohen aktet ligjore

Profesori i së Drejtës, Riza Smaka ka konsideruar se Qeveria e bart përgjegjësinë dhe fajësinë për dështimet e mëdha të njëpasnjëshme në të gjitha sferat e jetës shoqërore, përfshirë edhe në fushën e gjyqësisë dhe drejtësisë, dhe këto dështime për shkak, siç tha, të huqeve qeveritare. ” Po e zëmë janë përgatitur dobët aktet ligjore, ato dosido kapërcehen dhe miratohen derisa ka shumë dispozita të paqarta e kundërthënëse, por edhe zbrazëtira juridike dhe për këtë nuk funksion në masë të konsideruar sa dhe si kërkohet, as administrata publike dhe as prokuroria e gjyqësori, ndërsa në anën tjetër qeveria nuk e financon sa duhet sistemin e drejtë- sisë, dhe aty nuk ka as gjykatës e as prokurorë aq sa duhej sipas standardeve, dhe kjo ngase Qeverisë dhe pushtetarëve në përgjithësi u përshtatet që të mos funksionojë gjyqësori, pasi do të binin edhe vetë dikush nga ta në vargun e trajtimeve në proces për shkaqe të korrupsionit dhe formave më se të ndryshme korruptive”, ka shtuar ai. Tutje, Smaka ka nënvizuar se në vendin tonë do duhej të përgatitej e të procedohej dhe më pastaj të miratohej e të zbatohej me përpikëri ligji për origjinën e pasurisë, përmes të cilit, siç tha, do të dilte në pah pasuria dhe asetet e dyshimta të shumëkujt, por, sipas tij, këtë nuk e bën Qeveria derisa detyrë e saj apo ekzekutivi i përgatit aktet ligjor edhe i arsyeton, i sponsorizon dhe kur të miratohen i zbaton. “Por, nuk e bën këtë, sepse frikohet se po të ishte ai ligj, atëherë do të dilte se shumë qeveritarë do të ishin objekt i trajtimit, sepse pasuritë e tyre do të sekuestroheshin, ngase nuk do të kishin kapacitete për t’i argumentuar format e fitimit të pasurive të tilla. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe te gjyqtarët e prokurorët, ngase korrupsioni ka marrë hov të madh dhe është i papenguar. Nëse e marrim në gjyqësi, ka numër të madh të lëndëve të zhdukura, pastaj të parashkruara me qëllim, etj. Ndërsa tek ‘Vetting’-u natyrisht ky hyn në këtë kompleks, sepse reforma sjell institucione të pastruara, që do të kishin vitalitet, po ashtu do të kishin energji dhe motivacion për punë dhe gjatë punës shumë lëndë do të zgjidheshin, prandaj edhe tani për tani nuk u përshtatet pushtetarëve zgjidhja e lëndëve”, u shpreh Smaka./Kosova Sot





Lajmet e fundit nga