web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/Memo Ambasadës Amerikane për faktorët e ndikimit rus në Shqipëri

23 Mars 2017, 21:29, Aktualitet CNA

Nuk mund të kuptohen faktorët e ndikimit rus në Shqipëri nëse nuk kihet parasysh se sot Rusia e shikon si bazë për ndikimin rus ekzistencën në disa vende europiane, të traditës antifashiste komuniste, me prejardhje nga Moska (kominterniane), traditë e cila është materializuar në kulte përkujtimore deri edhe zyrtare. Pikërisht këtë traditë antifashiste kominterniane ka parasysh sot Presidenti rus Putin kur flet për luftën antifashiste si një nga themelet e miqësisë mes Rusisë dhe vendeve europiane dikur të pushtuara nga fashizmi. Me ?miqësi? këtu duhet nënkuptuar ndikimi rus në këto vende. Shqipëria është vendi që ka një trashëgimi të tillë problematike.

Çdo analizë e ndikimit rus në Shqipëri duhet të konsiderojë faktin se sot partia më e madhe politike në Shqipëri, Partia Socialiste, është pasardhëse e drejtpërdrejtë e të vetmes parti komuniste që u krijua në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore pas hyrjes së Bashkimit Sovjetik (trungu i të cilit ishte Rusia) në luftë. Megjithëse Shqipëria ishte pushtuar që prej prillit 1939, komunistët shqiptarë nuk lëvizën për t u bashkuar për luftë kundër pushtuesve fashistë, deri kur nuk ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik, atdheu ideologjik. Me këtë, komunistët shqiptarë u bënë shembulli më i qartë i atij antifashizmi kominternian të ideuar dhe të përgatitur në Moskë, në zyrat e Internacionales Komuniste (Kominternit), në trajtë manuali udhëzues, për t? u zbatuar në vendet europiane.

Partia Komuniste e Shqipërisë ishte Partia Ruse në Shqipëri. Që prej krijimit të saj në 1941, kjo parti ndryshoi dy herë emrin, herën e parë në 1948 me këshillën e Stalinit, kur u quajt Partia e Punës dhe herën e dytë në 1991, kur u quajt Partia Socialiste. Por, nga pikëpamja që ka Moska sot për faktorët e ndikimit rus në vendet e huaja, dhe që e kam thënë më lart, edhe Partia Socialiste e Shqipërisë është efektivisht Partia Ruse në Shqipëri.

Nuk mund të kuptohet ndikimi afatgjatë rus në Shqipëri, nëse nuk kihet parasysh një episod gjatë së ashtuquajturit konflikt shqiptaro-sovjetik, përkatësisht mes diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxhës dhe homologut sovjetik Hrushov (Khruschev). Enver Hoxha, në korpusin e veprave të tij të botuara në kohën që ishte gjallë, u kujdes që të saktësojë se nuk ishte ai që i prishi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, por këtë e bënë udhëheqësit sovjetikë, hrushovianët siç i quante ai sipas emrit të liderit sovjetik të kohës.

Sipas transkriptit të bisedës midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit në Moskë, në 12 nëntor 1960 (në kohën kur mbahej Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste), Enver Hoxha iu kërkonte rusëve që të mos largoheshin nga baza ushtarake e Vlorës. Transkripti është botuar te vëllimi 19 i veprave të Enver Hoxhës, në kohën kur ky ishte gjallë, dhe përmban këtë dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit:
?N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t? jua falë?.(Enver Hoxha: Vepra, vëllimi. 19, Shtëpia botuese ?8 nëntori?, Tiranë 1975, f. 379)

Kështu, sipas dokumenteve që ka botuar vetë Enver Hoxha, se ai nuk e ka dashur largimin e rusëve nga baza e Vlorës dhe nga Shqipëria. Por Kremlini e braktisi Shqipërinë, duke e përdorur si monedhë shkëmbimi në tregun gjeopolitik, me amerikanët, duke marrë në këmbim miratimin për ndërtimin e Murit të Berlinit.

Por mes Enver Hoxhës dhe Moskës pati një pakt të fshehtë për vazhdimësinë e ndikimit rus në Shqipëri edhe pas ndërprerjes zyrtare të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo vazhdimësi do të sigurohej me anë të ruajtjes dhe shtimit të simbolikës sovjeto-ruse në Shqipëri, të kamufluar si antifashiste dhe që do të përbënte kult zyrtar.

Kështu, përveç shtatoreve të Leninit dhe Stalinit, që ishin vendosur në qendër të Tiranës, Enver Hoxha në 1971 ngriti në Shqipëri monumentin sovjetik të ?Rodina Mat?, të quajtur ?Nënë Shqipëri?, në varrezën e dëshmorëve në Tiranë. Monumenti ?Nënë Shqipëri? është krejt i ngjashëm me monumentet sovjetike ?Rodina Mat?. Jo më kot për të bërë monumentin u përzgjodh skulptori Kristaq Rama, babai i kryeministrit të sotëm Edi Rama. Kristaq Rama kishte studiuar në Rusi dhe ishte i familjarizuar me Rodina Mat. Dhe Rodina Mat në version shqiptar, që ngriti Kristaq Rama, është një kombinim i këtyre lloj monumenteve ruse me kullat e Kremlinit. ?Rodina Mat? shqiptare, një femër me belin e shtrënguar nga një rrip ushtarak, mban në dorën e ngritur lart yllin pesëcepësh komunist, ashtu si kullat e Kremlinit. Monumenti ?Nënë Shqipëri? nuk ka asnjë simbolikë kombëtare shqiptare. Këtë monument mund ta vendosje fare mirë në çdo qytet të Rusisë. Monumenti ?Nënë Shqipëri? nuk është Mëmëdheu Shqiptar, por është shtriga ruse, ?Rodina Mat?, e transvestuar si ?Nënë Shqipëri?.

Ky monument ka një veçori se ai synonte të përfaqësonte jo më një figurë ideologjike individuale, por kombin dhe dëshmorët e tij të të gjitha kohrave, duke përbërë kultin kryesor zyrtar ceremonial të shtetit. Që nga viti 1971 kur u ngrit ?Rodina Mat? shqiptare, monumenti është vendi ku kryhen ceremonitë zyrtare me rastin e festave zyrtare dhe në nderim të dëshmorëve të kombit. Edhe shtetarët e huaj që vinin në Shqipëri dërgoheshin dhe ende dërgohen për të bërë nderime zyrtare, te ky monument.
Nuk është rastësi që ky monument u ngrit në vitin që nisi bunkerizimi i Shqipërisë. Në 1971 një plenum (mbledhje) e Komitetit Qendror të Partisë-Shtet mori vendimin për bunkerizimin e vendit. Shqipëria do të bunkerizohej me kultin e ?Rodina Mat? në mes të saj. Jo rastësisht, monumenti ?Rodina Mat? në version shqiptar, u bë prej betoni, jo prej mermeri apo bronzi. ?Rodina Mat? shqiptare prej betoni do të ishte nëna e bunkerëve.

Në Shqipërinë e sotme, antifashizmi kominternian, i simbolizuar në kultin e ?Rodina Mat?, mbetet ideologji zyrtare edhe pas deideologjizimit të shtetit shqiptar, pas vitit 1990. Kjo gjë ka ndodhur për shkak se këtë kult e ka si vlerë të saj të shenjtë partia e cila është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e asaj partie që u krijua në 1941, si pasojë e frymëzimit të komunistëve shqiptarë nga hyrja e Rusisë në luftë. Kjo parti është Partia Socialiste e Shqipërisë. ?Rodina Mat? shqiptare vazhdon të jetë vendi ku kryhen ceremonitë zyrtare me rastin e festave zyrtare dhe në nderim të dëshmorëve të kombit. Edhe shtetarët e huaj që vijnë në Shqipëri, kur dëshirojnë të bëjnë nderime zyrtare për dëshmorët e kombit, dërgohen adresohen te ky monument.

Në Shqipërinë e pas vitit 1990, çdo kritikë ndaj antifashizmit kominternian dhe kultit-simbol të tij, konsiderohet fyerje ndaj luftës antifashiste nacional-çlirimtare. Shembull për këtë qëndrim është Kryeministri Edi Rama, i cili në një fjalim të tij në 9 maj 2014, ka thënë:
?Denigrimi i papërgjegjshëm i luftës dhe përdhosja e gjithë atyre vlerave të larta, që populli shqiptar i nxori në pah pikërisht përmes asaj lufte që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve, një nga faqet më të shkëlqyera që ky popull ka shkruar. Është vërtet një akt i ulët publik, që gjen hapësirë për t?u shfaqur e rishfaqur në veprim, thjesht dhe vetëm në funksion interesash që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin real, për ta parë, për ta shkruar, për ta lexuar e për ta kuptuar historinë si një instrument në funksion të së ardhmes?.

Por, z. Kryeministër nuk na thotë se si i erdhën popullit shqiptar papritur idetë për të shkruar këtë faqe të shkëlqyer historike, siç thotë ai, që nuk e bënë dot popuj shumë më të zhvilluar, si ai danez, belg, çek, holandez etj. Edi Rama sot nuk e thotë atë që në kohën e diktaturës komuniste, ishte dogma zyrtare në vend, pra se ishte Partia Komuniste ajo që e ndriçoi mendjen e popullit dhe e udhëhoqi atë në luftën antifashiste. Komunistëve shqiptarë, nga ana e tyre, iu erdhi ndriçimi nga Moska.
Ekzistenca e kultit të ?Rodina Mat? shqiptare si simbol i antifashizmit kominternian prorus, madje edhe më tepër si simbol i të gjithë luftrave kombëtare të shqiptarëve, është tregues se Shqipëria ende nuk e ka përmbyllur procesin e desovjetizimit, përkatësisht derusifikimit. Ky kult nuk mbrohet dot as me argumentin se atë e duan disa nostalgjikë, të cilët i japin vota PS dhe LSI. Në të gjithë Europën nostalgjikët dhe ekstremistët e këtij lloji kanë partitë e tyre, ku shkojnë natyrshëm pasi partitë e mëdha të majta nuk kanë kulte të tillë si ?Rodina Mat?.

Është hipokrizi e madhe që të jepet alarmi për ndikim rus në Shqipëri nga ata që bëjnë ritualin e nënshtrimit ndaj ?Rodina Mat?, dy herë në vit. Nuk ka rëndësi nëse e bëjnë me bindje, apo për të fituar vota, efekti i dëmshëm është njëlloj i keq. Qënia në Shqipërinë e sotme e antifashizmit kominternian moskovit me statusin e ideologjisë zyrtare dhe qënia legale e kultit rus të ?Rodina Mat? nuk mund të justifikohen as me atë se nëse preken këto gjëra do të destabilizohet Shqipëria, do të nisë lufta civile. Nëse do të ishte e vërtetë kjo gjë, atëherë rrjedhimisht stabiliteti ose jo i Shqipërisë qenka në dorën e Moskës, çka nuk është e vërtetë. Shqipëria mund të destabilizohet vetëm nëse në mbrojtje të këtyre kulteve ruse do të ngrihen dy parti, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse udhëheqjet e këtyre dy partive nuk lëvizin, atëherë ekstremistët ideologjikë prorusë, do të jenë një pakicë e paaftë për të destabilizuar vendin, dhe as nuk do të guxojnë të lëvizin, madje./CityNews





Lajmet e fundit nga