web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Mero BAZE/E shtuna e çmimeve dhe e diela e krimeve shqiptare

12 Shkurt 2017, 21:34, Aktualitet CNA

Të shtunën dy shqiptarë të talentuar na bën krenarë. Ermal Meta, një kantautor shqiptar që jeton në Itali, zuri vendin e tretë në festivalin më prestigjoz të Italisë, në ?Sanremo?, ndërsa Majlinda Kelmendi mori përsëri Medaljen e Artë në garën e radhës në Paris. Nëse i hedh një sy shtypit shqiptar të shtunën dhe të dielën, të gjithë e kemi kaluar me një lajm të zakonshëm, suksesin e madh të dy shqiptarëve, thua se shqiptarët marrin përditë lajme të tilla.

Ndërkohë lajmet së dielës janë dominuar nga një kronikë perverse ekstreme. Në emisionet maratonë të së dielës, që shpesh janë kampion vulgariteti, në orët dhe ditën e vetme kur familjet janë bashkë në ditën e pushimit, lajm kryesor ishte një grua që la burrin ?live? në emision dhe një tjetër që akuzoi burrin se i kishte zënë dashnore motrën.

Ndërsa pjesa më tragjike e ditës ishte fakti që në tragjedinë e dashurisë së dy të rinjve në Fier, në varrimin e burrit që kishte lidhje jashtmartesore kishin shkuar 1 mijë vetë, ndërsa në varrimin e gruas ?tradhëtare?, vetëm disa të afërm të saj.

E di që ky është një debat i vështirë dhe pa shumë fitues në kohë. Të disiplinosh shtypin të zgjedhë mes rëndësisë që ka ajo që thotë për publikun dhe ajo që ka për vemendje ndaj tij, është pak e vështirë. Shtypi gjithnjë priret nga lajmet që prodhojnë vemendje, qoftë dhe përmes tmerreve.

Por nga ana tjetër injorimi i lajmeve të gëzuara që të bëjnë vërtet krenarë, dhe mungesa e interesit për të mbajtur shoqërinë të lidhur me to, është një papërgjegjësi publike.

Askush prej nesh nuk e njihte Ermal Metën deri dje. Unë së paku nuk kisha dëgjuar për të, kur befas mësova që është kantautor dhe autor tekstesh i shumë këngëtarëve të njohur në Itali, pasi deri dje injoroja çdo lajm që kishte të bënte me muzikën shqiptare, pasi ato dominohen nga lufta me thika e kallash, mes Stresit e Noyzit, nga nga gjithëfarë fjalëfolësish që quhen këngëtarë, apo kukulla me silikon, që u bëjnë dashnorët videoklipe.

Por ja që në heshtje, larg syve dhe vemendjes sonë, Shqipëria kishte një këngëtar të vërtet me standard Perëndimor, që ne, nuk kemi shkruar kurrë për të. Dhe kjo është një papërgjegjësi e shtypit, e imja, e kolegëve të mij, që e kanë për detyrë të promovojnë tek publiku, vlera për të cilat shoqëria ka interes.

Malinda Kelmendi olimpikja e vetme shqiptare, që vazhon të marrë medalje ari, po ashtu ka kaluar thuajse në heshtje. Sikur Majlinda të kishte shkuar të bënte shooping në Paris, me siguri që shumë gazeta shqiptare do kishin tituj, ?Ja parfumi që përdor Majlinda?!, apo ?Nuk do ta besoni se çfarë të brendshmesh ka blerë Majlinda??!

Ikja e shtypit nga përgjegjësia që ka për opinionin publik, dhe rendja e tij vetëm pas lajmeve që shuajnë etjen për klikime dhe audiencë, duke promovuar perversitete dhe krime ordinere, sidomos ato brenda familjes, është një nga regreset e mëdha të tij. Përgjegjësia ndaj opinionit publik, është ajo që ndan shtypin serioz nga ai bulevardesk, apo rretet sociale dhe mbi të gjitha është misioni i tij kryesor. Shtypi ka status të veçantë në opinion publik dhe në një shoqëri, pikërisht për shkak se ai është mbartës i një misioni publik. Fakti që çdo shoqëri është e ndjeshme ndaj lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së gazetarëve, nuk ka të bëjë me faktin që ata promovojnë zënkat e nuseve me vjehrrat apo tradhëtitë bashëkortore, por që promovojnë vlera që i shërbejnë shoqërisë dhe e mbrojnë shoqërinë nga sulmet e nëndheshme të krimit, korrupsionit dhe mungesës së moralit në politikë.

Degradimi i shtypit shqiptar dhe i botës televizive në një ekran krimesh ordiner dhe pervers, dhe shmangia nga betejat publike dhe misioni për të mbrojtur interesin publik, është një përpjekje për të zëvendësuar rëndësinë që ka shtypi si mision publik, me interesin fallco që zgjon media si thashethemnajë publike. Gazetaria e vërtetë, është ajo që e mban të mbërthyer opinionin publik me probleme që shqetësojnë shoqërinë, duke qenë roje të opinionit publik dhe jo përgjues bravash, apo perversitetesh që çdo shqoëri i ka me shumicë, po jo për publikun.

Shikoni si janë injoruar dy lajme të rëndësishme për shqiptarët të shtunën dhe shikoni kush ka dominuar të dielën nëpër ekrane, për të kuptuar se me çfarë po e ushqejmë shoqërinë.





Lajmet e fundit nga