web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Përplasjet PS-LSI, tashmë për çdo ngjarje që ndodh! Çfarë pritet të ndodhë?

4 Korrik 2016, 11:47, Aktualitet CNA

Duket se përplasjet mes Partisë Socialiste dhe LSI-së, në aleancë mes tyre, po thellohen edhe më tej. Pas çdo ngjarjeje që ndodh apo çështjeje të diskutueshme nuk është e vështirë të dallosh përplasjet mes përfaqësuesve të forcave politike, të cilat prej zgjedhjeve parlamentare të 2013 qeverisin vendin.

Përplasjet nuk kanë të bëjnë vetëm mbi çështjet më të rëndësishme, por ato janë zhvilluar qoftë edhe për një aksident automobilistik, apo edhe për zgjedhjen e një drejtuesi Qarku apo Këshilli Bashkiak. Tashmë duket se dy aleatët në qeverisje po i tregojnë muskujt njëri-tjetrit, ndërsa sinjalet e vazhdueshme që përcjellin është se qoftë Rama ashtu edhe Meta pavarësisht qëndrimin në një koalicion qeveritar, janë pozicionuar në llogoret respektive duke ruajtur njëri-tjetrin.

Vetëm gjatë ditëve të fundit janë të paktën dy përplasje mes përfaqësuesve të LSI dhe atyre të PS-së, ku herë njëra palë drejton gishtin e akuzës dhe herë pala tjetër reagon duke drejtuar sulmin e rradhës ndaj aleates në qeverisje.

Pak ditë më parë, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, përfaqësues i LSI-së pati një debat të ashpër, që kaloi deri në fyerje, në mbledhjen e Qeverisë me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe Kryeministrin Edi Rama në lidhje me fondet për indrastrukturën, pasi nga rreth 14 milionë euro të përftuara nga privatizimi i INSIG, vetëm 1 milionë euro iu akorduan Ministrisë së Transporteve, të cilat do të përdoren për Unazën e Madhe të Tiranës.

Debati Haxhinasto-Ahmetaj-Rama, u pasua nga qëndrimi i  LSI-së në rastin e grabitjes spektakolare të ndodhur në  Rinas, ku përfaqësues të forcës së dytë më të madhe qeverisëse në vend, e cilësuan ngjarjen si cënim të sigurisë kombëtare, madje kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kërkesa në emër të LSI-së u artikulua nga Luan Rama, deputet i kësaj force politike dhe anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë. Kjo kërkesë e LSI-së, ishte pothuajse e njëllojtë me atë të PD-së, e cila përmes Kreut të Grupit Parlamentar Edi Paloka kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.  Në anën tjetër, Ministria e Brendshme, përmes Policisë së Shtetit, ia ka kaluar përgjegjësinë për grabitjen e kryer në Rinas, kompanisë private të sigurisë në këtë aeroport, duke u munduar të heqë çdo përgjegjësi të sajën nga kjo ngjarje, por duket qartazi se ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, nuk do të ketë mbështetjen e aleates së PS në qeverisje.

Por përplasjet PS-LSI duket se tashmë janë kthyer në një proces normal në raportet mes dy forcave politike, të cilat mund të çojnë në një çarje përfundimtare të koalicionit qeveritar. Fakti që secila nga palët pret gabimin e kryer nga përfaqësues të palës tjetër, duke bërë gati sulmin e rradhës, është një sinjal që tregon se marrëveshja e firmosur më 1 Prill 2013 mes Ramës dhe Metës mund të jetë drejt fundit, përsa kohë debatet dhe përplasjet janë shtrirë për çdo çështje, pavarësisht rëndësisë së tyre.

Kështu një debat i tillë ndodhi edhe në rastin e Kryebashkiakut të shkarkuar të Dibrës, Shukri Xhelili, ku pas një video përmes të cilës ai kërkonte favore seksuale për një vend pune, LSI përmes deputetit të saj në Qarkun e Dibrës, i kërkoi Kryeministrit Edi Rama të kërkojë falje për kandidaturën e Shukri Xhelilit, si kryebashkiak i Dibrës.

Por, një tjetër përplasje, në distancë këtë herë, mes PS-së dhe LSI-së ishte ajo se pranë cilës forcë politike është më shumë Klement Balili, i etiketuar si Eskobari i Ballkanit, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dyshimet se ka trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Ndërsa një pikë tjetër përplasje mes aleatëve ka lidhje me aksidentin e para disa javëve në Kavajë.  U raportua se pika e karburantit, e cila u bë shkak që barrierat e rrugës të ishin të hapura, duke sjellë aksidentin, ishte në pronësi të Pilo Kërit, babai i Krislen Kërit, shefit aktual të kabinetit të Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Por ditën që nisi mbyllja e kësaj hapësire, deputeti socialist, Erion Vraçe shkruan se ?po mbyllet hapësira e krimit, e lënë e tillë nga një interes privat mbështetur në rrugë korruptive!?.

Këto janë disa nga çështjet jo të një rëndësie të veçantë, që gjatë periudhës së fundit, kanë prodhuar jo pak përplasje mes PS dhe LSI-së, Kryeministrit Edi Rama në njërën anë dhe Kryeparlamentarit të Kuvendit nga ana tjetër.

Tashmë duket se as takimet e përjavshme mes dy drejtuesve të koalicionit, që zakonisht mbahen çdo të mërkurë, nuk japin më asnjë rezultat në raportet e acaruara mes dy partive qeveritare, të cilat nisin në Tiranë, por janë të shtrira në pothuajse çdo bashki, prefekturë apo qark. /citynews/





Lajmet e fundit nga