web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dokumentet e CIA/ Ja grupet në Shqipëri që punonin për rrëzimin e Hoxhës, roli i Zogut dhe Ballit Kombëtar

25 Qershor 2016, 07:20, Aktualitet CNA

Dalin të tjera detaje sa i takon planit të amerikanëve për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës më 1949. Në dokumentin e 15 qershorit të këtij viti, që agjentët e CIA njoftonin bazën, janë dhënë detaje mbi rezistencën që bëhej në vend dhe në diasporë kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në pjesën e parë të publikuar nga gazeta jepeshin detaje mbi arsyet që kërkohej rrëzimi i regjimit, që ishte bashkëpunimi me rusët, ndërsa tani plani i SHBA ka qenë që të përdorte grupet guerile. Në dokument është bërë një ekspoze e të gjithë kundërshtarëve të Enver Hoxhës. CIA ka pasur informacione të qarta mbi grupet që operonin brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka treguar të gjithë emrat e atyre që punonin në Shqipëri kundër regjimit. Nga ana tjetër tregohen dhe tentativat e Ahmet Zogut dhe anëtarëve të Ballit Kombëtar për të përmbysur regjimin. Po ashtu në dokument përmendet roli i grekëve dhe italianëve.

(Vijon nga numri i kaluar)

Bashkëpunimi me sovjetikët

Nuk është e qartë nëse përdorimi i Shqipërisë si bazë  anti-Jugosllave, është praktike apo e dëshirueshme për sovjetikët. Deri tani, pjesëmarrja e qeverisë shqiptare në fushatën e Kremlinit kundër Titos ka qenë vetëm në formë fjalësh dhe një ripërshtatje e jetës ekonomike të vendit. Ndërsa Jugosllavia nga ana e tyre, fillimisht denoncoi Hoxhën dhe regjimin e tij si mosmirënjohës dhe të paudhë. Për një periudhë të shkurtër, ato ruajtën një qasje mospërfilljeje, që bëri që Shqipëria të mos kishte një publicitet falas në Jugosllavi, ndërsa kohët e fundit propaganda jugosllave anti-Hoxhë rriti volumin dhe ashpërsinë e saj. Kjo qasje mund të kishte lidhje edhe me lirimin nga burgu i dy krerëve të komuniteteve Gegë, Bajram Bajraktari e Gani Kryeziu. I pari kishte kryer aktivitet gueril kundër regjimit të Hoxhës deri sa u kap nga jugosllavët në qershor 1947, kurse tjetri ka qenë i burgosur që prej vitit 1944. Sipas disa raportimeve të pakonfirmuara të inteligjencës, ata u dërguan në Prizren për të organizuar aktivitete guerille kundër Hoxhës. Meqenëse të dy ata kanë emra nga familje që kryesojnë marrëdhëniet fisnore të Veriut të Shqipërisë dhe meqenëse Kryeziu është kosovar, raporti nuk është i besueshëm.

Çështja e Kosovës

Por gjithsesi nuk ka sinjalizime që as Shqipëria dhe as Jugosllavia janë të gatshme të dalin hapur për çështjen e Kosovës. Politika e reklamimit të “autonomisë” nga Jugosllavia, gjë të cilën kosovarët e kanë shijuar si pjesë të republikës federale, i përshtatet zhvillimeve të aktivitetit anti-Hoxhë në këto zona. Por efektiviteti i këtij aktiviteti (i diskutuar më poshtë) duhet të jetë i lidhur me guerrilasit shqiptarë anti-qeveritarë, të cilët raportohen të kenë vendosur kontakte me nacionalistë malazezë anti-Tito të kryesuar nga Krsto Popovic. Shqipëria dhe Italia nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike dhe disa çështje të hapura mes vendeve janë trajtuar me ndërmjetësimin jugosllav dhe kohët e fundit nga sovjetikët. Qeveria italiane, e cila sipas traktatit të paqes i detyrohet Shqipërisë 5 milionë dollarë dëme lufte, ka refuzuar të diskutojë këtë ashtu si dhe problemin më imediat, atë të pronave të sekuestruara nga Italia Fashiste, deri në mbajtjen e premtimit të Shqipërisë për riatdhesimin e rreth 600 italianëve që janë ende në Shqipëri. Atmosfera mes dy vendeve është helmuar më tej nga pjesëmarrja e Shqipërisë në sulmet verbale të zyrës së informacionit të vendeve komuniste, ndaj qeverisë italiane “reaksionare” e “të frymëzuar prej Vatikanit”. Siç ka deklaruar jo zyrtarisht një zyrtar italian, dëshira e Italisë është që Shqipëria të ketë një qeveri miqësore jo-komuniste.

Roli i Britanisë së Madhe

Megjithëse qeveria britanike ruajti kontaktet e oficerëve të saj me forcat çlirimtare shqiptare edhe pas tërheqjes së njerëzve nga Veriu i Shqipërisë në 1944, Britania nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me regjimin aktual, por vetëm e ka njohur. Misioni i fundit ushtarak britanik është larguar nga Shqipëria në prill 1964, atëherë kur trajtimi i vrazhdë ndaj tyre nuk mund të tolerohej më. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan shpejt. Në maj roja bregdetare tokësore shqiptare qëlloi kundër dy anijeve britanike ushtarake në kanalin e Korfuzit, dhe dy anije të tjera britanike hasën në mina detare në po të njëjtin vend në tetor. Kur Shqipëria nuk plotësoi kërkesat britanike për informacion mbi incidentin e fundit, për të cilin britanikët besonin se të paktën duhet të dënohej, çështja u soll përpara Kombeve të Bashkuara dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi në favor të britanikëve. Britania ka qenë sigurisht objekt demonizimi nga politika shqiptare sa herë e kërkonin këtë sovjetikët. Kurse qeveria britanike ka vazhduar programet e saj të BBC në shqip, me pikëpamje në lidhje me çështjet aktuale në Shqipëri. Nuk mund të përjashtohet që britanikët të jenë në kontakt të fshehtë me grupe rezistence në Shqipëri ose jashtë saj. Franca është i vetmi vend perëndimor që mban marrëdhënie direkte diplomatike me Shqipërinë. Por përfaqësuesi francez në Shqipëri duket shumë i zënë në aktivitete aq sa vë në dyshim rolin e tij si burim informacioni. Qeveria franceze është treguar e gatshme të vërë në dispozicion të britanikëve dhe amerikanëve informacionet e saj dhe në mungesë të tyre është e gatshme të lërë gjërat siç janë.

Rezistenca guerile në Shqipëri

Informacionet mbi masën dhe cilësinë e rezistencës guerile në Shqipëri janë të vështira për t?u gjetur, po aq sa dhe ato mbi regjimin. Por informacionet kanë pasur një rritje kohët e fundit kështu që mund të përcaktojmë një rrjedhë të përgjithshme. Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Hoxhës mbizotëron në rreth 80% të popullatës. Faktorët që bëjnë të mendosh këtë janë shtypja ndaj rezistencës tradicionale të zonave malore, persekutimi i regjimit ndaj të gjitha besimeve fetare. Gjendja e rëndë ekonomike në vend, mungesa e prestigjit e liderëve politikë e ushtarakë dhe sigurisht një urrejtje e gjerë e sllavizmit në përgjithësi. Shumica e rezistencës aktive gjendet në zonat malore qendrore e veriore, mes gegëve katolikë, të cilët i konsiderojnë rivalët e tyre toskë si përgjegjës të tokave të Jugut. Kështu që faktorit negativ të antagonizmit mes policisë së regjimit dhe komuniteteve fisnore, i është shtuar faktori pozitiv i armiqësisë etnike. Raportet aktuale i referohen vetëm përciptas rezistencës në Jug të Shqipërisë. Në listën e mëposhtme gjejmë informacionet aktuale mbi zonat e rezistencës dhe liderëve të përfshirë, bazuar në llogaritjet dhe shpeshtësinë e përmendjeje.

Në Dibër: Cen Elizi, Dan Kiloshi, Prenk Gjergj Keel; Në Mirditë: Ndue Bajraktari, Petu Lleshi,Gjion Markaj; Në Hanin e Hotit: Lek Mirashi; Në Pukë: Ndoc Mirakaj. Kruja paraqitet si një zonë serioze rezistence nën drejtimin e liderëve Kupi, Nikollë Pel Gjini, e të tjerë. Në Macukull: Met Kola; Në Prosek: Kros Buna (ose Buva); Marka Dodë Gjini. Në Gramsh: Riza Kishta; Në Martanesh: Ram Dervishi. Në Krrabë: Demir Sala; Jonuz Meta; Dodë Bib Pernoca, anëtarë të familjes Vokri. Asnjë prej raportimeve mbi këto grupe nuk flet për armët që ata zotërojnë, por supozohet të përdorin mjete të vjetra si mushqeta ose disa armë të lehta perëndimore të mbetura nga lufta. Municionet gjithashtu besohet të jenë të pakta. Për ushqim, grupet guerile pa dyshim mbështeten në dashamirësinë e njerëzve të malit. Në këto rrethana duket se me shumë gjasa rezistenca kundër regjimit është e kufizuar vetëm në veprime ngacmuese, pa pasur mundësi të kontrollojnë territore apo qendra komunitetesh.

Shpërndarja e shqiptarëve nëpër botë

Të gjithë anëtarët e mbijetuar të klasave të mesme e të larta të Shqipërisë, tashmë janë larguar nga vendi. Grupet përbëhen nga tregtarë, artizanë, profesionistë dhe disa pronarë tokash. Shumica e tyre është dejonizuar prej bashkëpunimit disa më pak e disa më shumë, me gjermanët, gjatë luftës. Shumica e tyre mbeten në Evropë dhe jetojnë në varfëri ose me ndihma bamirësie. Qendra të shqiptarëve të larguar janë krijuar në Itali, Greqi, Egjipt dhe në SHBA. Me përjashtim të atyre në SHBA, të emigruarit ndahen kryesisht në 3 grupe politike: Zogistët apo Legaliteti, i cili gjendet në Kajro rreth vetë mbretit Zog, i krijuar në vitin 1043 nga aktivisti Gegë Abaz Kupi. Kurse Balli Kombëtar ka shumicën e anëtarëve në Itali, të përhapur edhe në Greqi dhe më pak në Lindjen e Afërt, i themeluar në vitin 1942 nën kryesimin e Mit?hat Frashërit. Ndërsa Blloku Kombëtar i Pavarur është një grupim republikan, anti-italian, kryesisht i majtë e reformist, fuqimisht anti-komunist, i themeluar në Itali më 1947 nga kolaboracionistët e fashizmit me në krye Ismail Vërlaci bir i ish-kryeministrit Shefqetit. Grupi ka natyrë konservatore dhe kapitaliste.

Megjithëse Balli dhe Blloku botojnë gazeta në Itali, asnjë prej tyre nuk përballon dot një botim të rregullt. Ka gjithashtu një broshurë liberale shqiptare në Londër nga Tajar Zavalani

dhe Dervish Duna, me disa ndjekës në Turqi; kemi edhe një Komitet të Kosovarëve të drejtuar nga Xhemal Deva.

Përplasjet mes grupeve të diasporës

Deri në ndarjen e Titos nga Cominform (Zyra e Informacionit të vendeve Komuniste) në vitin 1948, tre grupet kryesore, megjithëse kishin të përbashkët urrejtjen ndaj regjimit të Hoxhës dhe ndaj pretendimeve territoriale greke në Jug, ishin vazhdimisht antagonistë ndaj njëri-tjetrit, dhe çështja institucionale ishte pika kryesore e debatit mes tyre; republikanët e Ballit Kombëtar propozonin se sipas rezultateve të referendumit pas çlirimit të vendit nga komunistët, një qeveri që përfaqësonte çdo grup të vinte në pushtet. Blloku Kombëtar kishte simpati për monarkinë, vetë monarkistët kërkonin rikthimin e Zogut, por linin të kuptohej se pranonin referendumin.

Të tjera çështje ishin programi reformist i Ballit, që ngrinte dyshime te dy grupet e tjera, apo dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës që kishte grupimi i Zogut. Liderët e Ballit dhe të Bllokut mund t?i toleronin këto çështje për momentin. Ishin gjithashtu përplasjet e karaktereve që ndalonin bashkimin e grupeve. Gjatë viteve 1947 e 1948, Zogu tregoi iniciativa drejt bashkimit, dhe propozoi formimin e një komiteti të çlirimit kombëtar, me kusht që të gjithë të pranonin:

1.      Mbajtjen e referendumit pas njohjes së qartë nga liderët e tre grupeve të Kushtetutës së vitit 1928, ku Shqipëria njihej si monarki;

2.      Që liderët e grupeve të punonin për rivendosjen në Shqipëri të të larguarve, pas çlirimit të Shqipërisë

3.       Të ndalohej propaganda anti-Zog mes refugjatëve.

Pika e parë dhe pika e tretë duket qartë që nuk ishin realiste, kurse e dyta u konsiderua si një tentativë e Zogut për të sjellë të gjithë refugjatët në një zonë në mënyrë që ai t?i kontrollonte. Thuajse në të njëjtën kohë, Zogu dërgoi përfaqësues në ambasadën amerikane në Kairo për të deklaruar qëllimet e tij miqësore në lidhje me Greqinë. Të dërguarit thanë se Zogu ishte gati të formonte “Qeverinë e Lirë Shqiptare”, nga e cila do të përjashtoheshin refugjatët që kishin bashkëpunuar me fashistët dhe gjermanët. Ata thanë gjithashtu se Zogu ishte i përkushtuar ndaj parimit të referendumit. Më tej u fol për ndërmjetësimin britanik e amerikan në debatet greko-shqiptare, por Zogu dëgjoi se ministri grek në Romë po diskutonte me Frashrin dhe ndjekësit e tij; domethënë kur Zogu kuptoi se nuk do të kishte kontroll të plotë të lëvizjes së bashkuar të diasporës. Megjithëse Zogu nuk kishte hequr dorë nga përpjekjet e tij, iniciativa kaloi prej verës 1948 te Ismail Vërlaci, e nxitur prej ngjarjeve në Jugosllavi. Vërlaci ishte i vetmi refugjat që kishte para dhe mund të paguante për udhëtimet e shumta mes qendrave të lëvizjes së emigrantëve, si dhe kishin avantazhe me burokracinë italiane. Megjithëse liderët e Ballit Kombëtar në Itali nuk kishin entuziastë, Frashëri i cili tani ndodhet në Stamboll nuk i beson përpjekjeve të Vërlacit. Abaz Kupi ka prestigj me Ballin Kombëtar por vetë është monarkist, dhe ka shërbyer si një faktor kritik uniteti. Sipas një raporti të besueshëm, në takimet fillestare mes tre grupeve dhe grupit kosovar u propozua emri Besëlidhje për komitetin e përbashkët.

Roli i ndërkombëtarëve

Por asnjë prej vendeve ku qëndronin grupet e rezistencës nuk u ka dhënë atyre mbështetjen zyrtare. Ka sinjalizime se qeveria italiane do të pëlqente një bashkim nën drejtimin e Vërlacit; në verën e 1948, një zyrtar i ambasadës italiane në Uashington informoi një zyrtar të Departamentit të Shtetit mbi çështjen, ndërsa në fund të vitit zyrtarë italianë organizuan takimin e Ferenc Nagy me Frashërin dhe zogistin Gazi Khan Bessolt, në Stamboll. Aty dy shqiptarët reflektuan mosbesim mbi qëllimet greke në rastin e një revolte kundër Hoxhës, kurse Frashëri trembej se Zogu do të kërkonte kontrollin e lëvizjes. Ndërsa simpatia që gjenin Vërlaci dhe grupi i tij te rrethet zyrtare italiane, ishte në kundërshtim me përçmimin e burokratëve më të vegjël dhe  mendimin e përgjithshëm publik mbi shqiptarët dhe refugjatët në veçanti. Lajmet mbi mendësinë greke janë gjithashtu konfliktuese. Duket e sigurt se grekët përpiqeshin për të kundërvënë grupet e diasporës kundër njëri-tjetrit, kryesisht me anë të pengesave në marrjen e mbështetjes italiane apo të vendeve të tjera në Jugun e Shqipërisë. Dhe në fakt, grekët organizuan nisjen e Frashërit nga Italia duke e bërë të besonte se po përgatiste mbështetje ndaj rezistencës kundër Hoxhës, dhe më pas e lanë në baltë. Në të njëjtën kohë, qeveria greke dënonte ekzistencën e Athinës në një organizatë të ?refugjatëve nga Epiri i Veriut? e njohur si Keva, për 5000 anëtarët e të cilës rezistenca ndaj regjimit të Hoxhës ishte për koincidencë edhe pretendim territorial. Një propozim informal grek për diasporën ishte mbështetja e marrjes së Kosovës në këmbim të lënies së Jugut të Shqipërisë te Greqia, i cili u refuzua menjëherë. Më tej ka pasur një besim në rrethet shqiptare se qeveria britanike jo vetëm kundërshtonte marrëdhëniet e qeverisë italiane me grupet e diasporës por punonte për një afrim në marrëdhëniet greko-shqiptare.

Shqiptarët në SHBA

Shqiptarët në SHBA numërojnë rreth 30.000, shumica e të cilëve janë ortodoksë nga Shqipëria jugore. Shumë pak prej tyre janë refugjatë nga regjimi komunist. Ata janë vendosur kryesisht në Boston, dhe më pak në New York, Detroit, Philadelphia, Bridgeport, Southport, e Dorcester. Ka dy shoqata të shqiptarëve në SHBA të cilat duken se për momentin po ndjekin të dyja pro-Hoxha, por nuk janë bashkuar prej të njëjtës arsye që dëmton bashkëatdhetarët e tyre edhe në vende të tjera: antagonizmat personale “VATRA”, e drejtuar nga peshkopi Fan Noli, i cili ka qenë një kryeministër i majtë në Shqipëri për një periudhë deri në 1924, me seli në Boston. Vitet e fundit ajo ka qenë e paqëndrueshme, jo-aktive dhe oportuniste, para 1944 Vatra ishte republikane ndërsa atë vit u kthye në pro-Zogiste. Kjo deri në shtator kur po bëhej e qartë se komunistët po vinin në pushtet në Shqipëri dhe grupi mori linjën pro-Hoxha. Vatra boton gazetën e njohur si DIELLI. ?Shqipëria e Lirë? ka selinë e saj në Boston dhe drejtohet nga John T. Masse. Grupi ka qenë anti-Zog në 1944, kurse më pas pro-Hoxha. Boton gazetën e njohur si LIRIA. Disa tentativa për bashkimin e dy grupeve nuk kanë sjellë asgjë. Në vitin 1944, disa prej anëtarëve u përpoqën të krijonin një komitet të përbashkët, por në gusht 1946, Jakova e Shtylla erdhën për të drejtuar një delegacioni shqiptar në Organizatën e Shëndetësisë së OKB. Ata punuan në kolonitë shqiptaro-amerikane për bashkimin e Vatrës dhe Shqipërisë së Lirë, dhe duke lobuar për njohjen e regjimit të Hoxhës nga SHBA. Përveç këtyre grupeve kishte edhe një degë me seli në Boston, të njohur si “Grupi Demokratik i Pavarur Shqiptar”. Themeluesi i këtij grupi ishte Stavro Skëndi, i cili ka njëfarë simpatie me bashkëatdhetarët në Itali, dhe që gjithashtu në korrik 1947 prezantoi një program 5-pikësh për Departamentin e Shtetit, ku bëhej për një Shqipëri të lirë e të pavarur, si dhe për ?përfaqësim të të gjitha tendencave politike? dhe respektim të dinjitetit njerëzor. Ai kërkonte zhvillim të marrëdhënieve miqësore me shqiptaro-amerikanët dhe unifikim të elementeve demokratikë shqiptarë. Me sa dihet, Skëndi nuk ka qenë aktiv në 18 muajt e fundit por besohet se është në New York. Shqiptarë të tjerë të njohur në Amerikë janë Konstandinë Çekrezi, deri në maj 1945 President i Shqipërisë së Lirë dhe kryeredaktor i botimit Liria; Peter Kolonia, ish-përfaqësues i Zog I në Shtetet e Bashkuara. Ndër amerikanët që janë interesuar për çështjen shqiptare përfshihen gjykatësi Charles C. Hart, ish-ministër i Shqipërisë në Tiranë; Gerard F.Price nga Helena, Montana, që vizitoi Tiranën për disa muaj në fund të 1947 si këshilltar për marrëdhëneive sociale dhe Harry Fultz, drejtori i një shkolle amerikane të para-luftës në Shqipëri dhe atashe i misionit të shkurtër të pas-luftës në Shqipëri. Ka një numër shoqatash shqiptare në Amerikën Latine si “Shoqata e Bijve të Shqipërisë, dhe “Shoqata Skenderberg “, të dyja në Buenos Aires; shoqata shqiptare në Havana, dhe gjithashtu një grup i vogël uniteti shqiptar në Australia. /SOT





Lajmet e fundit nga