web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Totozani: Përgjimi dhe gjurmimi i qytetarëve shkel privatësinë, kemi nisur hetim administrativ për skandalin

19 Maj 2016, 13:16, Aktualitet CNA

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka folur në lidhje me debatin e përgjimeve që ka mbizotëruar ditët e fundit në opinionin publik dhe jo vetëm. Në një intervistë për gazetën “Sot”, Totozani thotë se duhet të priten konkluzionet e hetimit të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me këtë çështje për të gjykuar më pas nëse ka pasur apo jo shkelje të të drejtave të njeriut dhe konventave ndërkombëtare me përgjimet e bëra. Sipas Igli Totozanit, shteti ka për detyrë të garantojë dhe të mbrojë privatësinë e çdo individi dhe jo ta shkelë atë. Totozani thotë se për sa kohë përgjimet nuk bëhen sipas parashikimeve ligjore ato janë të paligjshme dhe bien ndesh me konventën e të drejtave të njeriut që vendi ynë e ka ratifikuar disa vite më parë. Totozani është përfolur si një nga emrat që ka qenë nën përgjim, por ka vendosur të mos shprehet në lidhje me këtë çështje pa parë se çfarë do të nxjerrin në pah hetimet që tashmë kanë nisur.

-Avokat, ditët e fundit Policia e Shtetit është përfshirë nga dyshimet dhe akuzat për një skandal përgjimesh të paligjshme të personaliteteve më të larta të vendit. A kemi të bëjmë me një situatë flagrante të shkeljes së të drejtave të njeriut?

Kam ndjekur me interes dhe shqetësim zhvillimet më të fundit, si dhe deklaratat e debatet e bëra publike lidhur me këtë çështje. Padyshim që nëse ka ndodhur një ndërhyrje e tillë e paligjshme në jetën private të cilitdo qytetari, përbën shkelje të të drejtave të afirmuara në një sërë aktesh të rëndësishme, ku vendin primar e zë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut me parashikimin e bërë në nenin 8 të saj për të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare, si dhe jurisprudenca e pasur e Gjykatës së Strasburgut mbi këtë çështje. Publikisht është bërë e ditur se Prokuroria ka filluar hetimin e kësaj çështje, ndaj dhe në këtë situatë nuk mund të shprehem nëse kemi apo jo shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. I takon tashmë organit të Prokurorisë që pas hetimeve serioze dhe profesionale të dalë në konkluzionin nëse kemi të bëjmë me përgjime të paligjshme nga Policia e Shtetit ose jo.

Avokati i Popullit ka ndjeshmërinë e lartë institucionale mbi këtë çështje, pasi flitet për një nga të drejtat më të rëndësishme dhe më sensitive të njeriut, e cila kërkon një garantim të plotë dhe të gjithëhershëm nga ana e shtetit. Efektivisht ne jemi në pritje të përfundimit të hetimit të ndërmarrë nga ana e organit të Prokurorisë, por ndërkohë po ndjekim me vëmendje dhe jemi angazhuar institucionalisht për ta ndjekur atë edhe në rrugë zyrtare.

-Kur flisni për angazhim të institucionit tuaj, çfarë keni parasysh?

Avokati i Popullit ka regjistruar dhe administruar me iniciativë (konform ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 ?Për Avokatin e Popullit?, i ndryshuar), dyshimet e bëra publike në media për përgjime të kundërligjshme të bëra nga Policia e Shtetit. Për rastin konkret të bërë publik në media jemi në pritje të konkluzioneve që do të nxirren nga ana e organit të prokurorisë. Hetimi administrativ që kemi ndërmarrë ne si institucion, ka si qëllim të analizojë në mënyrë të kujdesshme bazën ligjore ekzistuese, e cila lejon dhe mundëson veprimtarinë e organeve përkatëse shtetërore për kryerjen e gjurmimit, përgjimit, interceptimit. Kjo e ngritur mbi dyshimin e arsyeshëm  se përmbajtja e akteve normative në fuqi, mund të përbëjë premisë për shkeljen e të drejtës së privatësisë apo  se aktet normative në fuqi mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet e Kushtetutës apo Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtës së privatësisë.

-Si mbrojtës i të drejtave të njeriut, cili është opinioni juaj për përgjimet, nga pikëpamja ligjore por edhe mbi cënueshmërinë e privatësisë së individit?

Përgjimet apo interceptimet e çfarëdolloj forme, të kryera nga organet shtetërore janë një veprimtari e cila nëse nuk kryhet në përputhje me parashikime strikte dhe rigoroze proceduriale ligjore rrezikojnë cenimin e rëndë të së drejtës për privatësi të individit. Në këtë kuptim shteti ka detyrimin të garantojë respektimin e jetës private dhe familjare të individit. Shteti ka detyrimin negativ të mos ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte veç kur sipas ligjit gjithmonë bëhet fjalë për masa të domosdoshme për sigurinë kombëtare , sigurinë publike, mirëqënien ekonomike të vendit, mbrojtjen e rendit dhe një sërë arsyesh të tjera të përligjura, të parashikuara shprehimisht në nenin 8 të Konventës Europiane të të drejtave të njeriut. Edhe në Shqipëri, procedurat e përgjimit, (duke përjashtuar çdo praktikë të paligjshme) janë të përcaktuara ligjërisht dhe zhvillohen nga organet përkatëse me miratimin paraprak të dhënë nga ana e organit të Prokurorisë dhe Gjykatës.

-Po gjurmimi dhe interceptimi a përbën shkelje të të drejtave të njeriut?

Më lejoni të përsëris se çdo ndërhyrje në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, përsa i takon gjurmimit, përgjimit, interceptimit janë që të gjitha shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.  Sfera private dhe e interesave private të njeriut gëzon një mbrojtje ligjore shumë të madhe dhe specifike. Është për këtë arsye që shteti ka detyrimin negativ të mos ndërhyjë në asnjë moment në këtë sferë, përveç rasteve të përmendura më lart dhe nëpërmjet ndjekjes rigorozisht të procedurave të parashikuara qartësisht në ligj. Të gjithë qytetarët duhet të dinë se sfera private e tyre dhe e interesave private të tyre personale dhe familjare duhet të gëzojë në çdo rast garanci solide  ndaj çdo ndërhyrje të paligjshme të shtetit dhe jo vetëm.  Kur ekzistojnë dyshime për ngjarje të kësaj natyre transparenca është jo vetëm e  detyrueshme por  edhe jetike.

-Avokat, emri juaj është përmendur si një ndër personalitetet e vëna nën përgjim të paligjshëm nga Policia e Shtetit. Cili është reagimi juaj për këtë?

Mbetem në pritje të zbardhjes së kësaj çështje nga Prokuroria.

-A mundet të legjitimohet përgjimi i paligjshëm për korrupsionin apo aferat mes zyrtarëve të lartë apo personave me statusin ?të paprekshëm? në Shqipëri?

Çdo veprim që përbën një akt të paligjshëm përgjimi apo çfarëdo lloji tjetër interceptimi ndaj kujtdo, pavarësisht personit apo statusit që ka është dhe mbetet cenim i rëndë i të drejtave njeriut dhe më konkretisht të së drejtës së privatësisë së këtyre personave.  Nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi të pranueshme për të legjitimuar shkelje ligjore nga ana e strukturave ligjzbatuese në asnjë rast.  Nuk mund të ketë ndërhyrje nga një autoritet publik në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në ato raste kur kjo ndërhyrje parashikohet nga ligji, i cili lejon se një masë e tillë është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.





Lajmet e fundit nga