LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të penduarit e drejtësisë zbulojnë lidhjet mes biznesit dhe krimit të organizuar

21 Prill 2016, 15:56, Aktualitet CNA

Dy vëllezër, biznesmenë në qytetin e Vlorës në jug të Shqipërisë u gjendën përballë një kërcënimi me gjobë në vjeshtën e vitit 2013. Duhej të paguanin, ose rrezikonin të sulmoheshin nga një bandë kriminale. Në vend të denoncimit në polici, vëllezërit zgjodhën rrugën më të shkurtër,  që  e besonin si më të sigurtën; pajtimin e një bande tjetër kriminale për t?i mbrojtur.

?Unë kam qëndruar roje me automatik për 10 ditë me radhë tek këta vëllezër,? tregon Ndriçim Gjokona, një nga detajet e shumta në dëshminë e tij të gjatë për Prokurorinë, e cila hedh dritë mbi bashkëjetesën midis biznesit dhe krimit në Shqipëri.

Ndriçim Gjokona është bashkëpunëtor i drejtësisë që prej janarit të vitit 2014. Ai u pendua bashkë me shokun tjetër të bandës, Julian Sinanaj, e të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.

Dy të penduarit e drejtësisë ishin krahu i armatosur i grupit kriminal prej 7 anëtarësh, që akuzohenga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje me pagesë, vepra për qëllime terroriste, prodhim dhe shitje të lëndësh plasëse dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Procesi gjyqësor kundër grupit kriminal të Sinanajt sapo ka filluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shtatë të pandehurit akuzohen për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.

Nëpërmjet dëshmive të tyrë përpara prokurorëve, dy të penduarit, Sinanaj dhe Gjokona, i kanë servirur Prokurorisë të dhëna mbi nëntokën e krimit në qytetin e Vlorës dhe konvertimin në biznesmenë, të disa njerëzve me të kaluar të errët në këtë qytet.

Dëshmitë e Ndriçim Gjokonës dhe Julian Sinanajt, të siguruara nga BIRN zbulojnë një panoramë të detajuar të implikimit të krimit me biznesin në Shqipëri, veçanërisht në fushën e ndërtimit, në atë të pasurive të patundshme apo të investimit të parave të pista në biznese të ligjshme.

Ata tregojnë gjithashtu luftën e përgjakshme të konkurrentëve në këto biznese dhe kërcënimet e tyre ndaj zyrtarëve lokalë, në rastet ku ata zvarrisnin apo nuk aprovojnë kërkesat për leje ndërtimi.

Kriza solli lulëzimin e vrasjeve me pagesë

Sektori i ndërtimit mbajti peshën kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë për vite me radhë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2008 ai zinte 15 për qind të PBB-së, ndërsa më 2013 kishte rënë në 12.3 për qind.

Kriza e këtij sektori duket se ka sjellë rritjen e dhunës në biznes dhe futjen në lojë të atentatorëve me pagesë si Julian Sinanaj apo Ndriçim Gjokona, për zgjidhjen e konflikteve.

Përveç Julian Sinanajt dhe Ndriçim Gjokonës, në bankën e të akuzuarve janë edhe Erjon Mëhillaj, Genis Mëhillaj, Marion Mitro, Ilir Karçini dhe Albin Mexhaj.

Ekspertë anti eksploziv dhe forca të policisë, duke çaktivizuar 200 gram eksploziv C4, të vendosur në makinën e ish prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në hyrje të godinës së kryeministrisë. | Foto nga : LSA

Para se të zbulohej aktiviteti i tyre kriminal, Erjon dhe Genis Mëhillaj njiheshin si biznesmenë ndërtimi, Marion Mitro si punonjës i Bashkisë së Vlorës dhe aksioner në ndërtime, ndërsa Ilir Karçini si biznesmen në tregun e gazit.

Katër të akuzuarit, sipas Prokurorisë shqiptare kanë përdorur Julian Sinanajn dhe Ndriçim Gjokonën për të larë hesapet me rivalët e tyre të vjetër dhe të rinj.

Sipas rrëfimit të Julian Sinanajt, katër nga tetë porositë që ai mori për atentate kishin të bënin me probleme pronësie apo konflikte të biznesit të ndërtimit në qytetin e Vlorës. Njëra prej porosive ishte vrasja e dy ndërtuesve të njohur në këtë qytet.

?Këta dy biznesmenë që më kërkuan t?i vrisja, kishin një konflikt për një rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin Mëhillajt. Unë nuk e pranova të kryeja këtë vrasje, pasi ende nuk më kishin paguar detyrimin që më kishin për vrasjen e Sokol Veizit,? thotë Sinanaj në dëshminë e tij.

Dëshmia e siguruar nga BIRN implikon gjithashtu edhe persona të tjerë, të mbetur jashtë fushës së veprimit të Prokurorisë, që e kanë njërën këmbë në krim dhe tjetrën në biznes. Këto personazhe rezultojnë të dënuar për trafik droge në Itali, por që paratë e tyre i kanë investuar në sektorin e ndërtimit në Vlorë dhe Tiranë.

Gjergj Buxhuku, administrator i organizatës ?Konfindustria? që përfaqëson biznesin në Shqipëri, mendon se pompimi i parave të pista në ekonomi ka prishur rregullat e lojës dhe ka shkaktuar konkurrencë të pandershme. Për këtë arsye, janë rritur edhe mundësitë e eliminimeve fizike mes njerëzve që merren me biznes.

Kriza ekonomike është një tjetër arsye për dhunë sipas Buxhukut. ?Në kushte krize, biznese të paafta për të mbijetuar në treg rrisin përpjekjet për të asgjësuar rivalët me mjete të pandershme, që fillojnë nga korrupsioni klasik deri te asgjësimi fizik,? thotë ai për BIRN.

Pllakosja e krizës dhe mungesa e parave kesh në biznesin e ndërtimit gjeneroi një skemë të re pagesash; apartamente në këmbim të shërbimeve. E njëjta formë kleringu u fut në lojë edhe për pagesat e atentateve për llogari të bizneseve në telashe. Për atentatet me pagesë, Julian Sinanaj është paguar një herë me tokë dhe dy herë të tjera me apartamente në zonën e Orikumit.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Erion Mëhillaj i kishte premtuar 1500 metra katrorë tokë në Karaburun Sinanajt për vrasjen e Sokol Veizajt. Por kur ky atentat u mbyll me vrasjen e Veizajt, në gusht të vitit 2012, ata refuzuan ta kalojnë tokën në emrin e Julian Sinanajt.

Vonesat në pagesa u bënë shkak për refuzime nga ana e tij dhe konflikte të brendshme mes anëtarëve të grupit kriminal. Për këtë arsye, shumë prej biznesmenëve të vendosur në listën e hakmarrjes i shpëtuan atentateve.

Problemet në biznesin e ndërtimit lidheshin me vështirësitë për të siguruar lejet, por edhe me ngërçin e pagesave për nënkontraktorët. Për këto arsye, Julian Sinanaj ishte gjithmonë i joshur nga ofertat për atentate mes viteve 2012-2014.

Në dëshminë e tij, bashkëpunëtori i drejtësisë rrëfen bisedën me një ndërtues nga Orikumi i Vlorës, që ishte i gatshëm të paguante për të trembur për vdekje një zyrtar lokal në këtë qytet.

?Ai kishte probleme me një person nga Orikumi për punën e lejeve të ndërtimit. Ky person ishte zgjedhur kryetar bashkie a diçka e tillë në këtë qytet. Më kërkoi që t?i bëja presion nëpërmjet ndonjë shpërthimi ose të qëlloja me armë në ajër,? i thotë Sinanaj Prokurorisë.

Përfshirja e krimit deri në këto nivele, sipas publicistit Fatos Lubonja tregon se ai ka kapur për fyti të gjithë shoqërinë. ?Unë them se më së pari duhet pastruar politika nga krimi. Politika duhet kthyer në shërbim të së mirës publike dhe jo të trajtohet si një biznes për pasurimin e individëve që merren me të. Ky lloj pastrimi mund të reflektohet edhe poshtë sidoqoftë,? thotë Lubonja për BIRN.

Gjobëvënia dhe pastrimi parave në rritje

Një tjetër akuzë në dosjen e krimeve të Julian Sinanajt është përgatitja e atentatit kundër Pirro Bares. Bare është biznesmeni më i madh i gazit në Shqipëri, ndërsa fuqizimi i tij i kishte shkelur në kallo Ilir Karçinit, një sipërmarrës në prag falimentimi.

?Më ka bërë një gol 500 mijë euro?, citon Sinanaj një pjesë të bisedës me Karçinin, mbi arsyet se pse ky donte të hiqte qafe Pirro Baren. Për këtë krim, Karçini pagoi 50 mijë euro ndërsa Sinanaj i kërkoi edhe 100 mijë të tjera.

Forca te policisë, duke pastruar gjakun ne vendin e ngjarjes ku është qëlluar nga një motor nga dy persona te paidentifikuar, drejtori i bankës Credins, Artan Santo. | Foto nga : LSA

Julian Sinanaj u arrestua nga policia para datës kur kishte vendosur të vriste Pirro Baren. Në pranga përfundoi edhe Ilir Karçini, i cili para gjykatës mohoi akuzën se kishte paguar për të vrarë konkurrentin në biznes.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje tronditi opinionin publik, i cili ishte mësuar me kërcënime deri në vdekje të biznesmenëve, pa ditur arsyet që përgjithësisht nuk zbulohen nga Policia dhe Prokuroria.

Në të vërtetë, krimi i kërcënimit apo i gjobëvënies së biznesmenëve ka shënuar vetëm rritje në 5 vitet e fundit. Një raport i Prokurorisë së Përgjithshme tregon se gjatë këtij harku kohor janë regjistruar 132 krime të kësaj natyre në të gjithë vendin.

Pak muaj më parë, Prokuroria arrestoi një ish-punonjës të Gardës dhe truprojë të ish-kryeministrit Sali Berisha, me akuzën se i kishte kërkuar 100 mijë euro me kanosje një biznesmeni shqiptaro-amerikan.

Të tjerë biznesmenë kanë qenë më të pafat se shqiptaro-amerikani i kërcënuar me jetë në këmbim të pasurisë. Statistikat e policisë tregojnë 5 biznesmenë të vrarë në 12 muajt e fundit, ku rasti më i rëndë dhe ende i pazbardhur është ai i bankierit Artan Santo.

Pastrimi i parave është një tjetër krim i vështirë për t?u zbuluar nga Prokuroria. Drejtoria e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë nisur hetimet për 174 raste përgjatë viteve 2012-2013, por ato përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut të parave të pista, që qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

Përballë kësaj situate, biznesmenët shqiptarë gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t?u shpëtuar presioneve. Njëra prej tyre është blerja e sigurisë, përmes pagesave që u bëjnë bandave të gatshme për të ofruar këtë ?shërbim?.

Të tjerë paguajnë haraçin dhe shumë pak denoncojnë në polici. Publicisti Fatos Lubonja, që ka shkuar gjatë për lidhjet mes biznesit, krimit dhe politikës në Shqipëri thotë se policia nuk është zgjidhja e vetme. ?Krimin e shohim të gjithë, sepse ka kapur gjithë shoqërinë. E në këto kushte, lufta kundër tij është shumë e vështirë,? përfundon ai./BIRN

Vladimir Karaj është redaktor pranë gazetës së përditshme MAPO.

 

Lajmet e fundit nga