web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Politika e tenderave dhe transparenca

19 Tetor 2015, 07:26, Opinione CNA

Nga Mero Baze

 Qeveria shqiptare ka hapur një faqe të re në internet për të sqaruar çdo akuzë që i bën opozita ministrave apo kryeministrit. Qëllimi i faqes duket se është të krijojë një dimension transparence në veprimtarinë e qeverisë dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe nga pikëpamja teknike. Por, e kufizuar si faqe sqaruese për akuzat, ajo nuk ka ndonjë vlerë politike. Madje mund të them pa frikë, se ushqen kulturën e tërheqjes së qeverisë në betejat që shpik opozita në shumicën e rasteve fare banale.

Le të marrim për shembull deklaratat e përditshme për shtyp të Partisë Demokratike mbi çdo tender publik që zhvillohet në Shqipëri, duke sulmuar çdo fitues, vetëm se tek selia e tyre shkon ankohet dikush nga ata që ka humbur. Qeveria shqiptare përmes kësaj faqe ka filluar i sqaron të gjithë sesi është zhvilluar tenderi dhe pse nuk ka korrupsion në atë proces.

E gjithë kjo më duket më shumë një fitore e opozitës sesa një sukses i  qeverisë. Të tërheqësh qeverinë në një debat banal si ky, se kush e fitoi filan tender dhe pse nuk e fitoi filani, do të thotë ta mbash debatin publik në kënetë dhe të bësh pis gjthkënd që tenton të hyjë si konkurrent në një tender dhe, larg qoftë fiton.

Tenderat zhvillohen sipas një ligji të vjetër në Shqipëri,  ndryshuar për herë të fundit nga Sali Berisha dhe ka një procedurë ankimimi për çdo humbës. Nëse ka dyshime për korrupsion, humbësit në jo pak raste i kanë çuar tenderat në prokurori dhe në kohë të Berishës, dhe ia kanë dalë. Pra, tenderimi është një procedurë ligjore, e cila nuk mund të bëhet nga qeveria pjesë e punës së saj si avokate publike e atyre që fitojnë apo atyre që akuzojnë. Sqarimi për çdo tender dhe për çdo fitues, jo vetëm që është një bezdi për biznesin që hyn në këta tendera, por dhe një humbje energjish pa kuptim i qeverisë për të shkuar pas lojës që i dikton opozita, e cila është thjesht një klub klientësh, që po shkojnë të ankohen se ka përfunduar parajsa e tyre kur fitonin vetëm ata tenderat publikë.

Transparenca e qeverisë në raport me median, nuk mund të jetë përgjigjia që qeveria jep për çdo akzuzë, por aksesi që qeveria duhet t?i japë medias për t?i verifikuar vetë akuzat, apo dyshimet që ajo ka. Ky është proces transprence, kurse një faqe ku përgjigjet qeveria, është  një tjetër deklaratë për shtyp, që në të vërtetë nuk të bën asgjë të besosh që je sqaruar, por thjesht se ke dëgjuar dy palë. Ndonjëherë e vërteta është diku midis dhe nëse qeveria dëshiron të jetë transprente deri në fund me median, duhet të krijojë akses tek dokumentat dhe provat që ka rreth dyshimeve për korrupsion. Dhe kjo nëse duan ta bëjnë, duhet të jetë një standard që u ofrohet të gjitha palëve.

Sot Shqipëria ka një ligj për informimin publik, që detyron institucionet t?i japin informacion shtypit për 40 ditë, nga momenti që ia kërkon, por ky vlen vetëm për tema të gjata hetimi nga gazetaria dhe jo për çështje të ditës.

Nëse qeveria kërkon të jetë transparente me tenderat për shembull, ajo mund të shtojë opsione në faqen e Agjensisë së Prokurimit Publik, që pas përfundimit të një tenderi të jenë disponibël në PDF online gjithë dokumentat e tenderit dhe palët që kanë konkurruar si dhe kriteret si fitohet një tender. Nëse media ka akses nuk ka nevojë të dëgjojmë Eduard Halimin që vajton pse nuk fiton më tendera, se i shikojmë vetë dokumentat. Kështu mund të bëhet dhe për konçesionet dhe çdo garë publike që ka të bëjë me taksat e qytetarëve shqiptarë. Ky është një dimension transparence, pasi e lë gjykimin në dorë të shtypit, kurse reagimi i qeverisë është thjesht një qëndrim tjetër, ndaj një debati, shpesh aspak interesant.

Është në të mirë të qeverisë të shmangë debatet për tendera dhe konçesione publike, jo vetëm se baltos një proces normal zhvillimi në vend, por mbi të gjitha se nuk e bën dot aleate median në propagandën e saj. Media fitohet duke i dhënë akses në informacion,  ose thënë më thjeshtë, duke i dhënë grepat të peshkojë dhe jo duke i dhënë peshk të gatshëm të hajë. Nëse qeveria do të avancojë në këtë drejtim, do të jetë lajm pozitiv. Por në spiralen ku ka hyrë, duke faktorizuar disa idiotësi të përditshme të opozitës, që nuk ka me se merret, vetëm sa fuqizon një lum balte, që bën pis gjithkënd dhe dëmton besimin publik tek funksionimi i shtetit.





20:53 Opinione

Si evropianë!

Nga Mero BAZEKualifikimi i Shqipërisë për në Kampionatin Eur...

Lajmet e fundit nga