web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: Drejtësia shqiptare në krizë

1 Shtator 2015, 17:23, Aktualitet CNA

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në një deklaratë për mediat,  shkruan se drejtësia shqiptare po përballet me dy sfida kryesore, me të drejtën dhe me qytetarët. Sipas KVV, këto dy sfida e implikojnë pashmangshmërisht njëra-tjetrën.

Deklarata e plotë e KVV:

Drejtësia shqiptare e gjendur në një krizë të trashëguar dhe në thellim, sot përballet me dy sfida kryesore, me të drejtën dhe me qytetarët. Të dyja këto sfida e implikojnë pashmangshmërisht njëra-tjetrën, ndonëse e para zbatohet në terma ligjorë dhe tjetra në terma socio-politikë. Dhënia e drejtësisë kërkon reforma ligjore, përmirësim të mekanizmave ligjorë, ndërsa rritja e besimit tek qytetarët kërkon prej tyre që ata të investohen sa herë institucionet nuk arrijnë të japin drejtësi, ose të ndërmarrin angazhime civile në përmirësimin e institucioneve.

Proceset zgjedhore janë shembulli me deklarativ i angazhimit civil, kur qytetarëve iu kërkohet të vetëvendosin drejtuesit politikë dhe administrativë të institucioneve publike. Megjithatë edhe procesi zgjedhor, përtej vlerave qytetare, është një proces ligjor i cili edhe për shkak të specifikës së vet kërkon rigorozitetin dhe skrupolozitetin më të lartë në respektimin e termave ligjorë.

Drejtësia Zgjedhore është momenti më suprem në procesin zgjedhor dhe në vazhdën e viteve 2000 po fiton gjithmonë e më shumë gravitet në tërë vendet demokratike. Kjo si për shkak të precedentëve të kësaj drejtësie që janë bërë vendimtarë në ecuritë zgjedhore, por sidomos lidhur me vlerat që përpiqet të vërë në zbatim. Në qasjen e vendeve të zhvilluara, procesi zgjedhor nuk përbën një administrim aritmetik të shumatoreve të vullneteve të qytetarëve, por konsiderohet si momenti ku vlerat perëndimore duhet të arrijnë manifestimin më të lartë.

Drejtësia Zgjedhore është përpjekja që, në sajë të shtratit ligjor, përgjatë regjimit elektoral të manifestohen këto vlera të artikuluara në një seri aktesh, dokumentesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare, në të cilat edhe Shqipëria aderon dhe është zotuar në zbatimin e tyre.   Shoqëria dhe politika shqiptare e gjendur në kompleksin e një sistemi drejtësie në tërësi në impass dhe të akuzuar si thelbësisht e korruptuar, e shikon edhe Drejtësinë Zgjedhore si një alternativë më shumë për të ndërhyrë padrejtësisht ose deri duke manipuluar procesin zgjedhor. Kjo qasje në zgjedhjet e 21 Qershorit 2015, u artikulua gjerësisht prej aktorëve politikë si dhe prej institucioneve përgjegjëse për dhënien e drejtësisë zgjedhore, si Komisioni Qendror Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor.

?Mos bërje pis e procesit? apo ?rreziku i rinumërimit të fletëve të votimit? kanë qenë dy prej frazave kryesore të përdorura prej tërë aktorëve të rëndësishëm zgjedhorë, për të rrëzuar tërë kontestimet e ngritura prej subjekteve zgjedhore, sidomos atyre minore. Argumentime këto që nuk gjejnë bazë as në dokumente ndërkombëtarë mbi rregullimin e proceseve zgjedhor, si dhe as në kuadrin ligjor shqiptar.   Nga ana tjetër, të përkushtuar për të nxituar në përmbylljen e tërë procesit zgjedhor të pa prekur prej kontestimeve, institucionet e ngarkuara për dhënien e drejtësisë zgjedhore në disa momente ceduan në zbatimin e vlerave më jetike të një procesi të rregullt ligjor apo të funksionimit korrekt të institucioneve publike.

Përmendim këtu si më kryesorin faktin e zhvendosjes së Kolegjit Zgjedhor nga pozicioni i tij ligjor që i jep Kodi Zgjedhor duke dubluar në disa raste Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në disa raste të tjera Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse një trupë gjyqësore speciale zgjedhore, ajo ka ndërmarrë edhe tagra ekzekutivë të administrimit zgjedhor, edhe tagra të një gjykate ligji në argumentime të pa bazuara në Kodin Zgjedhor duke u bërë kështu burim i së drejtës zgjedhore.   Shembull tjetër është cënimi i parimit më thelbësor të një procesi të rregullt ligjor prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përgjatë vendimmarrjes së tij,sikundër është ai i prezumimit të pafajësisë. Kjo e evidentuar në rastin e pranimit të kërkesës së Partisë Demokratike për çregjistrimin e kandidaturës së vet për Kryetar të Bashkisë Këlcyrë. Ky ç?regjistrim u krye në retorikën e dekriminalizimit, ndonëse kuadri ligjor shqiptar nuk e kërkon pastërtinë penale të kandidaturave për Kryetarë të njësive vendore.

Gjatë vëzhgimit u vërejt gjithashtu se Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja ceduan në disa raste edhe në zbatimin e parimit të koherencës (stare decis) në vendimmarrjen e tyre, si dhe në zbatimin e parimit të informimit publik gjatë punës së tyre, çka përbëjnë garanci tepër jetike për një proces ligjor.   Koalicioni i Vëzhguesve Vendore ashtu siç ka ngulmuar përgjatë punës së tij, ngre shqetësimin se nga moszbatimi i ligjit si shfaqje diskrecionaliteti dhe deri tek injorimi i tij prej institucioneve zgjedhore, jo vetëm dëmtohet rëndë procesi zgjedhor, por vendosen precedentë negativë. Këta precedentë vihet re se nga një proces zgjedhor në tjetrin, po vetëshndërrohen në praktika institucionale duke e vënë në pikëpyetje efikasitetin e çdo reforme zgjedhore në që mund të merret në vijimësi.

Në çmimin dhe mbi vëzhgimin e kryer prej Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, reforma e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të ketë në objektiv të vetin kryesor Sistemin e Zgjidhjes së Çështjeve Zgjedhore. Reforma duhet të nisë që prej ristrukturimit të Kodit Zgjedhor në një Kod Procedurial Zgjedhor dhe deri në rimodelimin qartë të tërë Sistemit të Zgjidhjes së Konflikteve Zgjedhore.





Lajmet e fundit nga