web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vlora, çfarë urbanizmi ?

14 Qershor 2015, 09:10, Politikë CNA

Nga Artan FUGA

 

Ndofta është pak qesharake ta thuash por nuk e kisha kaluar kurrë rrugën e re të shpejtësisë të madhe që të con në drejtim të Fierit dhe Vlorës.
Nja dy herë që duhej ta kisha marrë atë në fakt e kisha humbur aty afër Manastirit të Ardenicës. Duke dashur të bëja një kthesë te ky i fundit, zakon i mbetur qysh nga koha kur ishte pikë turistike dhe restorant me famë, kënaqesha përsëri jo pak duke e rivizituar si kuvend, si manastir. Një vizitë te kisha e vogël por gjithë sharm brenda manastirit, e vjetër, me histori, por jo fort e mirëmbajtur, sytë i kam kthyer si vjedhurazi për të parë gjëkundi në oborr tre murgjit e mbetur atje, sikurse më kanë thënë. Por, gjë nuk kam parë. Doja të flisja me ta duke dashur të ndjej konservimin e tyre që ngjason dhe dallon njëherësh nga eremitët e vjetër, nga të ngujuarit që në cdo komb, dhe te ne, sikurse aq bukur ka treguar Ismail Kadare te ?Prilli i thyer?, është rasti edhe i të ngujuarve nga gjakmarrja. Dramë dhe tragjedi njëherësh, sigurisht, por sikurse cdo dramë me madhështinë e vet shpesh herë tragjike.

Pikërisht aty te manastiri i Ardenicës kam pas humbur rrugën për në Fier dhe Vlorë duke vazhuar pastaj gabimisht në rrugën e vjetër gjithë gropa e kthesa të forta, mbuluar anët me ferra dhe bimësi.
Kush gjurmon të vjetrën mund ta paguajë këtë cmim, pra të humbë rrugën e së resë?
Nejse këtë rradhë miku im që drejtonte veturën nuk e bëri këtë gabim që më conte mua në shtigje të vjetra dhe të rrahura, si një forcë zakoni.
Rruga e re na paskësh qenë sipas meje e nivelit vërtet europian. Thonë se do të ketë në plan Europa një rrugë të dytë përgjatë bregut, pra në ultësirën perëndimore shqiptare. Mbase. Në e bëftë me paratë e saj, pra me euro, hallall i qoftë, nga xhepi i vetë i nxjerr. Dhuratës nuk i thuhet kurrë jo, por edhe disa negociime me dhuruesin mund të bëhen se nuk ka asnjë të keqe. Por, nëse është fjala për lekët e buxhetit shqiptar, sepse më duket që kjo rrugë e re që të con në drejtim të Llogarasë, të paktën ky segment, gjynah të braktiset, se ne cdo gjë që braktisim e lëmë të shkrumohet si rruga që të con nga Tirana te Plepat e Durrësit, duke kaluar nga Ndroqi. Ne po morrëm rrugën e së resë e lemë në shkatërrim dhe harresë të vjetrën, mos e diskuto. Gjithmonë marr shembullin e përdorimit të celularëve duke harruar pothuajse fare telefoninë fikse.
Rruga për në Fier e Vlorë, me përjashtim të një segmenti pikërisht aty poshtë kodrave të Ardenicës, duket si mjaltë. Është mbrëmje dhe vetura e kapërcen vetiu njëqindshin. E vijëzuar mirë e bukur, me një ndarje të fortë metalike midis dy krahëve të saj, e shenjuar në të dy anët me pllakëza fosforeshente që ndrisin pa harxhuar energji nën fashat e fenerëve të veturës. E pse duhet në këtë segment rrugë tjetër, mirë do të kishte qene andej nga Llogoraja e tutje, andej nga shkohet për në Sarandë, aty ka nevojë. Se ne edhe duam të lidhim ndonjë port tonin, kam ndrojë se nënkuptojnë Vlorën, packa, me portet e Detit të Zi, sa mirë, por edhe harrojmë se kjo ide europiane duhet të na turpërojë pakëz meqë ne ende nuk lidhim mes tyre në rrugë detare portet tona, pra Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shengjinin me njeri tjetrin. Cfarë komunikimi mund të jetë ai detar për mallra dhe urdhëtarë! Hipën njeriu në Sarandë dhe në rrugë detare me një traget të shpejtë përfundon në Durrës a Shengjin pa pasur nevojë të strapacohet rrugëve, pale pastaj për mallrat.
Vë re me kujdes se rruga që përshkruajmë herë pas here ka segmente dalës dhe hyrës. Sidomos aty ku duket se ka ndonjë fshat a lokalitet me biznese, hotele, koncesionarë veturash, pompa karburanti, depozita karburanti etj. Ja paskan gjetur marifetin të keqes të rrugës më në fund, mendoja sa kohë vetura jonë cante drejt Dhërmiut atë mbrëmje. Dhe bëhej fjalë për segmente dalës dhe hyrës në rrugën e shpejtësisë të madhe me nivel cilësor fort të mirë, pa rrezikuar aksidente. Jo si ato që shohim ndonjëherë në rrugë të tjera, pa respektuar asnjë siguri dhe ku për të hyrë në trasenë e e shpejtësisë të madhe nuk duhet përshpejtuar ecja, sikurse është e udhës, por, thuajse duhet ndaluar, parë pas e përpara, hapur sytë, ndryshe thyhen kokën.
Fierin e kisha parë, por frikën që në nisje ja kisha rrugës të Ujit të Ftohtë në Vlorë sepse dikur rradha e veturave që kërkonin të kalonin tunelin aty ka pas qenë si rradhët e qumështit në monizëm kur te lagjia kalonim orë të tëra për një bidon lëngu të bardhë lope a deleje, shpesh holluar me ujë. Në fakt edhe aty isha i vonuar. Kisha pas ardhur deri te Hotel Nju Jorku, në të dalë të Vlorës dhe nuk kisha vënë re se përtej, tuneli i vjetër ishte zgjeruar, rindërtuar, kthyer në parametra thuajse cilësorë. Problemi nuk paskësh qenë atje por te detyrimi që për të kaluar Vlorën dhe dalë udhës të Llogarasë duhej tekjshkuar mespërmes Vlora.
Mbrëmje, njerëzia gjysëm zhveshur edhe tani në mbrëmje duket sikur e gjitha ka dalë në rrugë për të shëtitur. Jemi mesdhetarë ne në mendje dhe mentalitet, më shumë qendrojmë jashtë, rrugëve, sesa në shtëpitë tona, qenie ekstravertite.
Nuk kisha qenë në Vlorë që prej ndofta pesë ose gjashtë vjetëve. Nuk e di përse. Nganjëherë njeriut i tiposen disa klishe në kokë dhe për një kohë mbetet rob i tyre derisa nën presionin e rrethit të vet të ngushtë i hedh tej dhe risheh botën me syze të reja. E vërteta është se mua personalisht më pëlqen ta shoh pasqyrën e detit rrafsh me detin, dhe jo ta kundroj nga lart ? poshtë. Deti i Jugut shihet shpesh nga maja malesh të thepisura, kodrash me lartësi të konsiderueshme. Një bukuri e frikshme. Ndofta kjo frikë dhe tmerr më ka mbetur nga vegjëlia kur kalimi i qafës të Llogarasë ishte sa madhështor aq edhe i frikshëm, ishte si të thuash një kok a pil i përjetshëm, kishe mundësi ta kaloje qafën dhe te shkoje në parajsën e Jugut, ose ta thyeje qafen, e përfundoje në rrëpirat e gurta që zbresin thikë ne det duke kaluar në atë parajsën tjetër ku shkohet vetëm nëse ke qenë një njeri i mirë, thonë. Ndofta ajo kohë e kapërcyer tashmë më jep ndjesinë e frikës nga lartësitë, sado që në të folur, citoj një gjeograf të njohur francez, Lacoste, i cili thotë se kur njeriu admiron pejsazhe nisur nga një lartësi e caktuar, ky gëzim i frikshëm, kjo ndjesi bukurie, i vjen në fakt nga inkoshienti kolektiv i trashëguar prej mijra shekujsh, ku lartësia është edhe pozicion pushteti dhe sundimi, lufte karshi dhe kundër të tjeëve. Ja pse mua durrsaku më duket njeri i butë dhe paqësor, edhe kavajsi, qerretsi, golemsi, malirobsi, karpensi, etj., kurse po kalove Fierin ke karaktere më të ndryshme, gjithsesi shqiptare dhe interesante, por paksa të ashpra dhe luftarake. Kur dikush më thotë se pëlqen detin e Jugut, ndonëse e kuptoj fare mirë se ka të drejtë për bukuritë e paana të atyre anëve, me vete, ndoshta nga zilia, them, hopa ja edhe një njeri tjetër që vdiska për ca pushtet, që do ta shohë detin nga lart. Në Durrës një anije parë nga bregu duket si një gjigand i madh, kurse një anije parë nga maja e Llogarasë, njësh me retë, duket si prej letre nën mëshirën e një pasqyre te paanë blu që e rrok deri larg tutje.
Shohin larg malësorët e Jugut, sepse nganjëherë ne harrojmë se edhe ata janë malësorë sikurse malësorët e Veriut. Ka malësorë deti dhe malësorë malesh. Sikurse shpesh herë, sikurse gjithmonë më ka habitur, dhe interesuar, ka luanë toke dhe luanë deti. Sigurisht në këtë rast është ndofta vetëm emri që i lidh, por në të dy rastet flitet ama për luanë? pra në një farë mënyre për qenie me pushtet.
Natën Vlora është e hatashme. Poqese dikush do të me kishte shpënë atje me sy mbyllur, dhe të më pyeste : Na thuaj tani ku je, sigurisht do të kisha thënë se ndodhem në ndonjë nga brigjet europiane perëndimore të Mesdheut, nga ato portet e mëdha ku Europa ka derdhur histori dhe flukse parash. Duhet të jetë derdhur para e madhe, e paparë, në Vorë, në këtë pesëvjecarin e fundit.
Pallate pa fund, dhe të një stili arkitekturor të pëlqyeshëm, ballkone të gjëra, të harkuar, dritare të larta, tarraca, ngritur në një farë lartësie, shpesh vendosur në shpatet e kodrave të buta, natën, një gjerdan dritash që shkojnë tutje e ndjekin njera tjetrën drejt Orikumit e i vinë përqark gjithë gjirit të Vlorës.
Pa fund ndërtime.
Poshtë kateve të pallateve te larta, bare, restorante, kafene, klube, pa fund. Emrat italianë të tyre përzihen me emra cunash vlonjatë. Bar ?Beni? sepse pronari ka dashur të përjetësojë emrin e vet dhe ta shkruajë me drita natën e ta shohin të tjerët. Nuk ka turp fare nga vetja, sikurse ka deputetë që ende në disa cepa rrugësh lënë afishet e tyre elektorale të qendrojnë ngjitur në mure të vjetër, shpesh herë afër kazane plehrash. Afishe të vjetruara nga koha. Por, hiqi more ditëbardhë, pse i le më aty, fushata ka kohë që ka mbaruar dhe po afrohet tjetra.
Vetura jonë tashmë ka ngecur dhe lëviz si ndonjë breshkë, ajo luanesha e rrugës Fier ? Vlorë. Rroftë kondicioneri se përndryshe me siguri do të ishim zënë me njeri tjetrin sepse thonë që vapa e rrit agresivitetin te njeriu. Nuk ka ngecur asfare te tuneli i Ujit të Ftohtë sikurse kisha pas frikë unë, por te tuneli i rrugës poshtë pallateve. Vetura që përpiqen të hapin rrugë me ndihmën edhe të policëve të lodhur dhe djersitur që duken të stresuar, kanë ngut që qarkullimi në aksin që con drejt Ujit të Ftohtë të mbetet fluid, qoftë edhe duke na devijuar në rrugë anësore dhe dytësore ku të gjendet drejtimi i duhur për të dalë nga qyteti është pothuajse e pamundur. Asnjë tabelë shenjuese në këto rrugë dytësore.
Me sigurit që tani Vlora ka nevojë të urbanizohet me rrugë, një unazë thotë i afërmi im që drejton veturën, këtu është bërë urgjente. Përndryshe Vlora është edhe qytet edhe udhë, dhe një vend pushimesh këtë nuk e pëballon dot. Me siguri udhëtarët në vetura janë të pakënaqur me shëtitësit e rrugës, por edhe këta të fundit nuk kanë përse durojnë veturat.
Mbase ajo Lungomarja e famëshme do ta zgjidhë disi këtë problem. Përzihet aktualisht aroma e birrës, e qofteve, e bërxollave të pjekura, edhe e peshkut të skarës a të fërguar me aromat e naftës apo të benzinës, e gazrave që lëshojnë lloj lloj veturash që përdhosin rrugët ku shëtisin turistët. Përtej xhamit të veturës, sapo ai ulet pak, dëgjon sesi përzihen jugorja si dialekt, me kosovarcen, tingujt të fjalëve dhe fjalive në italisht, greqisht dhe gjuhësh të tjera që nuk i dalloj se cfarë janë sepse më vijnë si jehona të largëta përzjerë me zhurmat e detit, të uturimave të veturave.
Pesë vjet kaluar pa vajtur në Vlorë, dhe ndodhem përpara një fakti tronditës. Fakt i bukur, Vlora na paskësh qenë krijuar një pol urban i hatashëm, për nga pasuria, nga investimet, ndërtimet. Një pol urban i drejtuar nga turizmi dhe drejt ekonomisë të turizmit. Shqipëria më duket tani si një gomone që duke ecur me shpejtësi ne det të hapur, ngre majën përpjetë sepse pesha e rëndesës i shkon në fund, atje ku ndodhet motorri. Gjithmonë më ka mahnitur kjo pamje motorrike ne det. Pesha e rëndesës që shkon në nje cep të varkës, atje ku është motorri, e domosdoshme për të ecur shpejt, por edhe me dy rrisqe të mëdhenj që një drejtues barke duhet t?i mbajë mirë parasysh, i pari sepse nën këtë shtysë varka mund të përmbyset, duke humbur ekuilibrin, dhe e dyta që mund të përmbytet sepse pikërisht aty mund të hyjë uji.
Gjithsesi mendoj se industria e turizmit kur theksohet i jep zhvillim zonave bregdetare dhe kjo medoemos në rastin e Vlorës duhet të ketë pas sjellë edhe ndryshime në kartën e sjelljes elektorale dhe në raportet e reja të vendosura mes forcave politike, aleancave politike në Shqipëri. Kjo mbetet për t?u studjuar, pra cfarë pasojash paten në hartën e shpërndarjes të votës, zhvillimet urbane në Vlorë dhe në bregdet përgjatë dhjetvjecarit të fundit. Se aktualisht kemi një përqendrim force politike pushtetesh më shumë ardhur nga Jugu sesa më parë nga Veriu, më shumë me origjina fetare ortodokse, sesa myslimane, por fundja kështu është alternanca e forcave politike në pushtet kudo. Pas alternancave politike fshihen kudo edhe ndryshime në raportet mes popullsive a krahëve politikë me identitete rajonale, origjinash fetare, gjuhësore a të tjera të ndryshme.
Para një viti Veriu kishte më shumë akses në pushtet, sociologjikisht flas, kurse tani mbizotërimi i jugorëve është më i pranishëm. Majtas ? djathtas, jugorë ? veriorë, malësorë deti ? malësorë malesh, ortodoksë ? myslimanë, shoqëria i ka të gjitha influencat dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm në disa skema të caktuara ideologjike. Politika fsheh raporte të reja që krijohen.
Vlora më jep kënaqësinë e zhvillimit, por përse ta fsheh më ngjall edhe ndonjë xhelozi të vockël. Më mirë ta them sesa ta mbaj brenda meje. Xhelozia që thuhet hapur quhet sinqeritet dhe dashamirësi, quhet stimul për të ecur përpara. Xhelozia e fshehur e tharton shpirtin dhe vetveten dhe nga vera kthehet e bëhet uthull. Ka pabarazira të mëdha territoriale tani me këtë industri të fuqishme turizmi që po ravijëzohet rreth Vlorës dhe qyteteve të bregut të Jugut. Kush nuk e pranon, mund t?i jap shifra që e vërtetojnë këtë. Mos bëjmë llogje pazari kot me njeri tjetrin. Fakti është fakt. Duke parë Vlorën mendja më shkon te Berati i të parëve të mi, por edhe drejt Gjirokastrës, më tej te zona që nuk kam ndonjë lidhje të privilegjuar drejt Librazhdit, Gramshit, Skraparit, pse jo edhe andej nga Lushnja, Rrogozhina, Peqini, Elbasani?
Dallime që po rriten, pabarazi të mëdha midis zonash të ndryshme urbane, midis territoreve bregdetare dhe atyre të zonave lindore, ku duket se jemi në Kinën e madhe, atje ku këto pabarazi mes bregut dhe territorit kontinental janë bërë të famshme për nga padrejtësia e tyre. Por, Shqipëria është një margaritar i vogël dhe nuk ka përse ta pësojë këtë. Duhet shumë kujdes. Berati im i lënë në harresë e pa investime, me atë shesh të vockël që më kujton përherë e më shumë filmin Koncert ne vitin 1936? Kur e krahason me investimet gjigande në Vlorë.
Por, industria e turizmit, mendoj ndërkohë që vetura ka ngecur në pyllin e njerëzve në rrugët e Vlorës, nuk kam se cfarë bëj tjetër dhe nis e mendoj, ka edhe një pabarazi tjetër që krijon, midis fshatit dhe qytetit ose zonave turistike. Nëse ekonomia e turizmit mbështetet harmonishëm në zonën rurale përqark, kjo e fundit ka shanse të zhvillohet. Por, nëse jo, atëhere qyteti, duke përthithur edhe komunat përreth, tanimë mund ta shpërdorojë pushtetin që mendon të marrë, duke e shprehur këtë pushtet si pushtet të qytetarit dhe politikanit qytetas kundrejt elektoratit rural, dhe politikanit fshatar. Nuk e idealizoj këtë të fundit sepse në shumë raste edhe ky e shpërdoroi mjaft pushtetin që iu dha në këto njëzet vite, por edhe shoqëria nuk e ndihmoi sa duhet që ai demokracinë lokale të mos e kthente ne egoizëm lokal kundër interesit të përgjithshëm. Ndarja e re territoriale, këtë presupozon sipas meje, përqendrim fuqish dhe kompetencash cka sjell mundësi zhvillimi, por edhe një rivendosje e politikave rurale të ushtruara nga vetë ruralët nën thundrën e politikanëve urbanë dhe elektoratit urban.
Ta shohim nëse këta të fundit do të dinë ta ushtrojnë me drejtësi pushtetin e tyre, apo do të abuzojnë me të duke i kthyer flukset e investimeve drejt zonave urbane ose bregdetare të urbanizuara, në favor të turizmit dhe kundër dinamikave rurale. Monodrejtimi dhe orientimi ekskluziv ekonomik bazuar te turizmi dhe vetëm aty mund të jetë me pasoja të dëmshme mbi territorin dhe zhvillimin e vendit.
Bashkia e Vlorës duhet të ketë bërë parà të madhe këto pesë vite me gjithë ato taksa që duhet të ketë ngritur nga tërë këto ndërtime. Por, si kudo, ajo nuk i ka shpëtuar si vendimmarrje lokale trajtimeve të njëanshme, krahas kthimit të fytyrës nga moderniteti. Kot i biem më qafë politikanit fshatar, duke ngritur vlerat e politikanit qytetas. Edhe ky i fundit ka pasur mangësitë dhe gjynahet e veta. Ja si kudo duken pabarazitë e mëdha, ndërtime por pak hapësira të gjelbëra kanë mbetur në qytet. Palmat e dikurshme me famë të bulevardit të Vlorës duken shumë të lodhura, të drobitura.
Veturat janë parkuar si mos o Zot poshtë pallateve nëpër disa hapësira gjithë gropa, gurë e shkretim. Sapo mbaron pallati luksoz nis një hapësirë përreth ku askush nuk ka vendosur dorën e vet, kanalizime të hapura, gropa, ferra. Vetura që në disa rrjeshta të pengojnë të hysh në shtëpi, në bare, në restorante. Kush turist i huaj do ta pranonte këtë pamje tmerri vecse ndonjë zëmërmiri që ka bërë krushqi me shqiptarë!
Turistët shëtisin në ca vende të ngrituar gërxhe gërxhe që dikur kanë qenë trotuare. E cfarë të bën kapitali poqese nuk e kontrollon tregun sipas interesit publik! Jep trotuare të shkatërruar dhe parkingje të munguar sikurse edhe diploma fallco.
Por rreziku i këtyre ritmeve të larta të urbanizimit turistik është se cikli ekonomik urban njeh pastaj ulje të forta. Pallati i banimit nxjerr jashtë fabrikën dhe uzinën, Puna del jashtë qytetit. Pasuria polarizohet në duart e ndërtuesve dhe nuk jep mundësi integrimi eknomik dhe profesional për të gjithë atë popullsi që industria e ndërtimit ka ftuar për tu mbledhur në qytet. Ndërtimi punëson në fazën e tij të parë, shumë domethënëse, kur ndërtohet pallati, por më pas, e kthen banorin në parazit, sepse i heq mundësinë për të pasur fronte pune, qyteti kthehet në një fjetore të madhe. Kujdes sepse kurthi është pikërisht atje.
Zhvillim ? bjerrje.
Kurse industria e turizmit ose është e plotë dhe e kompletuar tërësisht ose nuk është fare. Përse do të vijë turisti gjerman në një qytet me trotuare të shkatërruar për të lënë ta zemë zonat turistike të Korfuzit!!! E kjo na bën pastaj që investimet të mbeten të pashfrytëzuara. Turisti që kthehet vetëm drejt detit dhe jo edhe drejt zonave në brendësi të vendit nuk gjeneron para vecse për disa hotele, pra pasuria përqendrohet në disa duar, por në fakt ajo pa kujdesin menaxherial që duhet nis dhe i bën gropën vetvetes, nuk punëson dhe bukuria nis e venitet?
Por, le të mos humbim shpresën dhe optimizmin e këtij udhëtimi mbrëmësor, ndërkohë që vetura po i afrohet tunelit, tuneli të Ujit të Ftohtë?
Na duhet të ecim drejt Bregut, drejt disa zonave me konotacion politik, gjeografik, ekonomik, kulturor, gjeostrategjik krejt të vecantë, po aq sa edhe lugina e Valbonës, drejt fshatrave me emra ndjellës, Palasë, Dhërmi, Qeparo, Jalë ?





Lajmet e fundit nga