web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Basha: Isa Boletini shkëlqen si diamant i historisë shqiptare

11 Qershor 2015, 07:10, Politikë CNA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mori pjesë dje , në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë.

Fjala e kreut të Partisë Demokratike dhe kryebashkiak i Tiranës Lulzim Basha në ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit

Z. Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. kryeministër i Kosovës, z. president i Republikës së Shqipërisë, të nderuar zotërinj, anëtarë të qeverisë dhe kuvendit të Kosovës, zotërinj ambasadorë, të dashur e të nderuar anëtarë të familjes Boletini, i nderuar pasardhës i Ismail Bej Vlorës, bashkëngjitur në këtë ceremoni, krah për krah familjarëve të Isa Boletinit si 100 vite më parë, të dy Isa-t ishin të bashkuar, si dy kokat e shqiponjës sonë kombëtare, i nderuar z. ish-president, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, i nderuar princ Leka, fort i nderuar kryetar i Mitrovicës e prej mbrëmjes së djeshme edhe kryetari im Agim Baftiri, të nderuar bashkëqytetarë, rini e Mitrovicës!

Jam me fat dhe shumë i nderuar të jem sot këtu bashkë me ju e me çdo shqiptar tjetër që ndonëse nuk është fizikisht, është sot me zemër në Mitrovicë për të nderuar këtë burrë të madh të kombit tonë, për tu përulur me nderim, mirënjohje dhe respekt përpara Isa Boletinit dhe veprës së tij të pavdekshme.

Nga sot, baca Isë do të prehet në tokën e tij, në kullën e tij të pamposhtur, në Kosovën e lirë. Sot, Mitrovica dhe familja Boletini realizojnë amanetin e tij që është amaneti i çdo shqiptari, për tu prehur në vendlindjen e tij, por sot ky amanet është dyfish i përmbushur, sepse Isa Boletini prehet në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë, në Shqipërinë e lirë e të pavarur siç e deshi e për të cilin u sakrifikua ai dhe familja e tij.

Isa Boletini lindi për të mbetur i pavdekshëm në altarin e lirisë. Burra si ai lindin rrallë dhe janë përjetë mes nesh! Ata janë gjeneza dhe tapia historike e Pavarësisë! Që në moshën 17 vjeç, Isa Boletini kishte filluar të ishte pjesë e historisë së Kosovës martire dhe gjithë kombit shqiptar, me pjesëmarrjen e tij të parë në betejat e Lidhjes së Prizrenit, 137 vjetorin e së cilit përkujtojmë sot.

Pavarësia e Shqipërisë kujtohet pazgjidhshmërisht e lidhur me emrin e Isa Boletinit, kreshnikut që me 400 trimat e tij më të mirë mbrojtën pavarësinë mbarëshqiptare, asokohe ende e brishtë si një foshnjë. Ata mbrojtën qeverinë e Ismail Bej Vlorës si garda e parë shqiptare e shtetit të parë modern shqiptar, në vitin e trazuar 1912.

Në këtë qytet, në Mitrovicë, Mitrovicën tuaj, Mitrovicën time e të gjyshit tim, shpesh Porta e Lartë, Krajlia e të tjerë pas tyre kanë sjellë më shumë asqerë e milicë, se sa vetë qyteti kishte banorë. Kishin frikë e tmerr nga Isa Boletini, nga tradita e tij madhështore që la pas, deri tek heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye komandantin legjendar, Adem Jashari. (Baca Rifat, të përshëndes!). Iu blatuan Isës e iu premtuan ar e prona, çifligje e tituj por ai nuk i ndërroi kurrë ato me gurët e Boletinit, sepse kish besë dhe i kishte dhënë besë një kombi të tërë, nga Mitrovica në Vlorë.

Kulla e Isës dhe gurët e saj të mëdhenj farkëtuan qëndresë e më vonë farkëtuan dije përmes shkollës shqipe të ngritur aty në vitin 1899, farkëtuan zgjim dhe vetëndijësim kombëtar, frymëzim. Një kullë e djegur gjashtë herë dhe e rindërtuar për të shtatën. E rrethuar, e bombarduar dhe e djegur por askush, as dje, as sot dhe as nesër nuk mund ta çrrënjosë!

Nga sot, kjo kullë do të jetë prapë e plotë, me të gjithë burrat e saj si njëherë e një kohë. Isa Boletini do të prehet aty, bashkë me bijtë e tij e trimat e tjerë të familjes Boletini që dhanë jetën për këtë tokë. Ne do kthehemi te kulla e Isa Boletini për të marrë forcë, guxim, kurajo dhe vendosmëri për të çuar përpara vendin tonë, popullin tonë e për t?i dhënë atij të ardhmen që meriton, për ta plotësuar deri në fund, pa asnjë mëdyshje e me çdo sakrificë amanetin e Isa Boletinit.

Ndihem krenar që jam sot këtu bashkë me ju, që kam gjak si gjaku i tij, që jam shqiptar e bashkëkombas i tij! Jam i lumtur që më së fundi ne do të përulem mbi varrin e tij e do të vijmë te kulla e tij për t?u treguar brez pas brezi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, me krenarinë legjitime të çdo shqiptari se kush ishte ky burrë i madh i kombit tonë, ky kreshnik i pamposhtur, kush ishte Isa Boletini, do të shohim e prekim madhështinë dhe forcën e kullës së tij. Isa Boletini nga sot e tutje do të jetë mes nesh siç e meriton, siç është në nderin tonë, siç ishte dhe është amaneti i tij që s?e treti as dheu.





Lajmet e fundit nga