web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mashtrimi me leximin e shifrave totale të buxhetit

25 Shtator 2014, 22:00, Opinione CNA

NGA SHEREFEDIN SHEHU

   Pas një viti qeverisje, me një vetëkënaqësi të sforcuar, z. Rama doli para mediave ku u mundua që disa rregullime të imponuara në buxhetin e vitit 2014 t?i shesë si një rishikim buxheti me rritje. Në të vërtetë këtë e bëri për të fshehur dështimin në administrimin fiskal dhe për t?u thënë qytetareve se po ia kalon Berishës, i cili bëri për 5 vite rresht buxhete suplementare. Por të gjithë e dinë se nuk mund të rrisësh buxhetin pa rritur të ardhurat. Dhe më poshtë do të shikojmë që qeveria do t?i ulë të ardhurat e saj mbasi sot qeverisë i mungojnë të paktën 2,24 miliardë lekë nga tatimet dhe doganat. Në muajt në vijim ky deficit pritet të rritet dhe në të ashtuquajturin rishikim në rritje i buxhetit, shpenzimet dhe investimet nuk rriten asnjë qindarkë.
Z. Rama bën ndërhyrje të imponuara në buxhet, ndërsa PD-ja bënte buxhete suplementare. Historia e buxheteve tregon se historia e Shqipërisë nuk fillon kur z. Rama u bë Kryeministër. Që në 4-mujorin e parë të qeverisjes së PD-së në vitin 2005 u tejkaluan të ardhurat, u ul deficiti buxhetor dhe u rritën investimet publike për rreth 50 milionë dollarë. Më tej, në vitin 2006, me një barrë tatimore të përgjysmuar, u dyfishuan të ardhurat tatimore. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 ka pasur buxhete suplementare nga 70 deri në 150 milionë dollarë dhe paratë e shtuara janë destinuar vetëm për investime. Për rrjedhojë, në vitin 2008, kur kriza botërore ishte në kulmin e saj, financat publike shqiptare ishin në gjendjen e tyre më të mirë të këtyre 24 viteve. Në vitet e mëpasshme kriza nuk mundësoi buxhete suplementare, por deficiti buxhetor u mbajt në nivelet e praktikave më të mira fiskale, rreth 3-3.4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërsa z. Rama, sapo u ul në karrigen kryeministrore, e rriti deficitin buxhetor në 6.8% të PBB dhe sot që mburret me rishikim buxheti e ka atë në nivelin 6.6% të PBB.
Mashtrimi me leximin e shifrave totale të buxhetit
Në vend të prezantimit të ndryshimeve të imponuara, Kryeministri tha se ka tejkaluar të ardhurat me 3,2 miliardë lekë dhe për të njëjtën shumë ka ulur deficitin. Përmendi se do të bëhen shumë investime, por nuk tha të vërtetën që shpenzimet dhe investimet totale nuk rriten asnjë qindarkë. Atëherë, cila është e vërteta e këtij rishikimi? Deficiti prej 2,4 miliardë lekësh nga tatimet dhe doganat dhe mundësia e thellimit të tij mbulohen duke ulur ndjeshëm planin e të ardhurave nga akcizat, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale. E gjithë rritja e të ardhurave nga rishikimi i buxhetit bëhet te pushtetit lokal dhe të ardhurat jotatimore. Por për të ardhurat e rritura të pushtetit lokal, ligji dhe teknikat e buxhetimit e detyrojnë qeverinë që të rrisë shpenzimet e tij. Kështu, 3.2 miliardë të rritura në të ardhurat nuk shkojnë për uljen e deficitit, por mbulimin e shpenzimeve të rritura të pushtetit lokal dhe institucioneve të tjera buxhetore që u janë rritur të ardhurat. Pra kuptohet lehtë se kur nuk janë rritur shpenzimet në total dhe brenda tyre janë rritur shpenzimet lokale të mbuluara me të ardhurat e rritura, atëherë ulja e deficitit buxhetor përballohet nga ulja e shpenzimeve të buxhetit qendror.
Me këtë ndërhyrje në buxhet Kryeministri po fsheh rritjen faktike të borxhit. Ai rrit të ardhurat lokale sepse mund të bllokojë edhe kryerjen e shpenzimeve nga pushteti lokal, siç po bën në Bashkinë e Tiranës. Kështu synon që të përdorë të ardhurat e pushtetit lokal si burime të financimit të deficitit të fshehur në buxhetin e shtetit. Por kjo manovër e ndihmon z. Rama për disa muaj sepse të ardhurat e pushtetit lokal të papërdorura këtë viti do të duhet t?i paguajë në vitin 2105.
Përveç rritjes së fshehtë të borxhit, qeveria nuk bën asnjë ndryshim cilësor te shpenzimet. Që në amendimet e buxhetit të viti 2013 qeveria shkeli rregullin fiskal të ligjit të buxhetit, i cili lejon marrjen e borxhit vetëm për investime dhe të njëjtën gjë bëri në buxhetin 2014 dhe po e bën në rishikimin e tij. Edhe pas rishikimeve qeveria do të marrë 21.2 miliardë lekë borxh për shpenzime administrative dhe inproduktive.
Çfarë tregojnë ndryshimet e bëra në buxhetin 2014?
Qeveria ka ulur të ardhurat nga taksat e rritura dhe ka bërë arnime në programet e shpenzimeve duke korrigjuar gabimet e bëra në miratimin e buxhetit fillestar dhe kënaqur disa klientë të qeverisë. Në mënyrë më të sistemuar ndryshimet tregojnë:
a. Dështim të politikës së rritjes së taksave dhe të administrimit tatimor dhe doganor: Ndonëse u hoqën përjashtimet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, u rritën akcizat dhe u dyfishua tatimi mbi fitimin, në 8 muajt e parë qeveria mblodhi 2.24 miliardë lekë më pak se sa buxheti i periudhës. Në muajt e mbetur qeveria kishte lënë qëllimisht më të lartë planin e të ardhurave, me shpresë se mund të përmirësonte administrimin, por me ndërhyrjet në buxhetin e të ardhurave e ka pranuar dështimin. Kryeministri mburret se po rrit të ardhurat, por në fakt ka rritur të ardhurat e pushtetit lokal, i cili ka mbledhur 1,4 miliard lekë taksa lokale dhe tatim mbi pasurinë më shumë se sa plani, dhe ka ulur të vetat. Në buxhetin e rishikuar janë ulur të ardhurat nga akcizat rreth 4 miliardë lekë, nga tatimi mbi fitimin 1,1 miliard lekë, nga tatimi mbi të ardhurat personale 300 milionë lekë, nga taksat nacionale 2,2 miliardë lekë, nga kontributi i sigurimeve shëndetësore 300 milionë lekë dhe nga arkëtimet për kompensimin e pronarëve 1,2 miliard lekë. Kështu Kryeministri ka zgjedhur rrugën më të lehtë për t?u lavdëruar nesër, por kjo është mungesë e lartë përgjegjësie dhe rrezikon qëndrueshmërinë e buxhetit mbasi të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë të ardhurat që garantojnë qëndrueshmërinë e tij.
b. Dobësim të stimulit fiskal duke ulur investimet në infrastrukturë dhe marrë borxh për konsum joproduktiv. Më lart u tha se si në buxhetin fillestar, dhe në këtë që po ndryshon, qeveria merr përkatësisht 24,5 dhe 21,2 miliardë lekë borxh për konsum. Por Kryeministri gënjen duke thënë se 152 milionë dollarë do të shkojnë për investime, mbasi buxheti total i investimeve nuk ndryshon. Dhe përveç kësaj, nga rishpërndarja e investimeve përfitojnë ministrat që janë më të besuarit e Kryeministrit dhe ulen ndjeshëm investimet në infrastrukturë dhe në sektorët e tjerë që ndikojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kështu, ministritë që marrin rritje janë ajo e Brendshme 198 milionë lekë, e Jashtme 90 milionë lekë, e Kulturës 189 milionë lekë, e Shëndetësisë 196 milionë lekë, e Arsimit 75 milionë lekë, e Mjedisit 480 milionë lekë, administrata e Zhvillimit Urban 240 milionë lekë dhe i detyruar nga donatorët ka shtuar si bashkëfinancim te Fondi Shqiptar i Zhvillimit 3,6 miliardë lekë. Këto rritje paguhen nga ulja e investimeve për bujqësinë 900 milionë lekë, infrastrukturën rrugore 2 miliardë lekë, Ministrinë e Financave 335 milionë lekë, Ministrinë e Drejtësisë 690 milionë lekë, forcat e luftimit 277 milionë lekë, përkujdesjen sociale 656 milionë lekë, shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor 349 milionë lekë dhe arsimin e mesëm profesional dhe universitar 325 milionë lekë.
c. Kryeministri shpërblen veten. Ndërsa ulen investimet më të rëndësishme, Kryeministri ka shtuar shpenzimet për vete dhe administratën e tij me 1,2 miliard lekë.
d. Është shtuar fondi i munguar për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë. Rritja me 2 miliardë lekë e këtij buxheti tregoi falsitetin e deklaratave për luftë kundër informalitetit dhe vërtetësinë e kërkesës së opozitës për rritjen e buxhetit të kësaj shtrese. Por ky buxhet është përsëri i pamjaftueshëm pasi vetë z. Rama deklaroi se do të shtohen për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë 4.3 miliardë lekë, ndërsa në fakt janë shtuar vetëm 2 miliardë lekë.
e. Është shtuar fondi për shpërblimin e bizneseve afër qeverisë. Në buxhetin e shlyerjes së detyrimeve janë ulur 7 miliardë lekë nga fondi për rimbursimin e tatimeve dhe janë rritur 4 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të tjera që nuk i di askush se çfarë janë përveç Kryeministrit.
f. Shtohen risqet fiskale. Plani i të ardhurave të 4 muajve të fundit është nga 1,8 ? 5.2 miliardë lekë në muaj më i madh se sa mesatarja mujore e planit të 8 muajve të parë të vitit. Ruajtja në total e të njëjtit nivel të të ardhurave tatimore dhe mosrealizimi i konsiderueshëm në 8-mujorin e parë paralajmërojnë një mosrealizim të të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Për këtë qeveria duhej të rriste fondin e kontingjencës, por në vend të kësaj ka zgjedhur rrezikimin e financave publike duke ulur fondin e kontingjencës me 1,5 miliard lekë. Po kështu rritja e huamarrjes së brendshme me 9 miliardë lekë do të rrisë koston e borxhit të brendshëm dhe ulja e shpenzimeve për interesa mund të rrezikojë financimin e kostos së borxhit.
Pra të gjitha ndryshimet e bëra nuk sjellin asnjë përmirësim në qëndrueshmërinë fiskale dhe ulin ndikimin e financave publike në rritjen ekonomike. Në të kundërt, kanë shtuar rreziqet fiskale me qëllimin e vetëm për të maskuar përkohësisht dështimet e qeverisë.





16:32 Opinione

MË SHPËTOI FB?!

HABERET E MITROSNga Mitro CELAKur mbusha 65 pranvera, vendos...

Lajmet e fundit nga