web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjoka zbulon gjendjen e ekipit/ Shkëmbi: Nuk e doja këtë situatë me Skënderbeun

11 Prill 2025, 17:31, Sport CNA

Gjoka zbulon gjendjen e ekipit/ Shkëmbi: Nuk e doja këtë

Skënderbeu dhe Tirana do të përballen mes tyre këtë të shtunë, në atë që është një nga finalet për mbijetesë në këtë fund sezoni.

Sfida në Korçë mund të përcaktojë shumë për të ardhmen e dy ekipeve dhe për këtë arsye pritet të jetë shumë e luftuar.

Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka deklaroi se skuadra e tij është gati, ndërsa nuk i kurseu vlerësimet për kundërshtarin.

“Gjendja është pozitive, është një gjendje që skuadra po e merr veten nga ana psikologjike. Jemi gati për një tjetër finale.

Mund të mungojë vetëm një lojtar, por mund të jetë edhe gati. Bëhet fjalë për Dokën, i cili nëse lufton me kohën mund t’ia dalë. Pas Janarit të gjitha ndeshjet kanë qenë finale për ne. Skënderbeu kaloi në momente të vështira. Skuadra është pjekur shumë dhe ka ardhur momenti që i dimë përgjegjësitë tona. Po luftojmë t’ia dalim që Skënderbeu të rrijë në elitë.

Tirana është një skuadër që ka bërë mirë. Fitorja në derbi ishte e merituar. Tirana fitoi “lehtë”, sepse rrallë ndodh ndaj Partizanit me të tillë rezultat në derbi. Mendoj se edhe ata janë mirë dhe merr rëndësi të veçantë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Kush do të gabojë më pak taktikisht, mund të fitojmë. Ne do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin”, deklaroi Gjoka.

Në krahun tjetër, trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi u shpreh se Skënderbeu po bën mirë, por kërkon maksimumin e pikëve nga skuadra e tij.

“Objektivi i Tiranës, të fitojmë 3 ndeshjet e mbetura duke nisur nga ndeshja e radhës kundër Skënderbeut. Më e vështira është ndeshja e radhës kundër Skënderbeut.

Fitorja në derbi na dha njëfarë qetësie, duhet të na japë moral dhe besim për takimin e radhës. Nuk i besoj shumë statistikave, e di që është ndeshje e vështirë kundër Skënderbeut. Është një skuadër që po bën mirë, ka lojtarë dhe skuadër të mirë, po luan mirë futboll dhe duhet të bëjmë maksimumin si në derbi. Duhet ta mendojmë këtë ndeshje në atë mënyrë si menduam dhe luajtëm kundër Partizanit.

Ernest nuk do të jetë. Pjesa tjetër janë të gjithë lojtarët që ishin të gatshëm në ndeshjen e fundit.

Skuadra kishte krijuar një fizionomi me Ernest në sulm. Një skuadër nuk duhet të varet nga një lojtar dhe jam i bindur se do të bëjmë mirë.

Edhe Skënderbeu do të luajë për të fituar. Llogaritë për pikët bëhen pas ndeshjes. Kryesorja si luan dhe çfarë kërkon. Për skuadrën tonë kjo është e rëndësishme, që të bëjmë ndeshje të mirë, të kërkojmë ta fitojmë, të shfrytëzojmë shanset dhe të jemi të kujdesshëm në ato minuta që kemi pasur probleme pothuajse gjatë gjithë kampionatit.

Kundër Skënderbeut nuk do doja të ishim në këtë situatë. Unë do bëj maksimumin dhe dëshiroj shumë të fitoj këtë ndeshje, të marrim 3 pikë, pavarësisht atyre ndjenjave që kemi për skuadra të ndryshme, në rastin konkret Skënderbeu”, deklaroi Shkëmbi.

Ndeshja Skënderbeu-Tirana do të luhet këtë të shtunë, duke nisur nga ora 15:30, në stadiumin e qytetit të Korçës.





Lajmet e fundit nga