web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Korça feston Ditën e Verës me kulaç, verore dhe zjarrin simbolik të pranverës

1 Mars 2026, 12:10, Kulturë CNA

Korça feston Ditën e Verës me kulaç, verore dhe zjarrin

1 Marsi në Korçë erdhi si çdo vit me aromën e kulaçit të sapopjekur dhe me flakët simbolike që paralajmërojnë fundin e dimrit.

Qyteti feston Ditën e Verës, një traditë e trashëguar brez pas brezi, që vazhdon të mbetet e gjallë në çdo familje korçare. Zonjat e qytetit tregojnë se kjo festë është pjesë e identitetit të zonës.

Korça feston Ditën e Verës me kulaç, verore dhe zjarrin

Sipas tyre, kulaci i Ditës së Verës përgatitet me përkushtim dhe ndahet mes anëtarëve të familjes, i shoqëruar me fiq të thatë dhe “verore”, byzylykët simbolikë bardhekuq që vendosen në dorë si shenjë e ardhjes së pranverës dhe e fatit të mirë. Me të gdhirë 1 Marsi, ndizet zjarri, një ritual që simbolizon largimin e të ftohtit dhe çeljen e një stine të re.

"Si traditë në qytetin e Korçës është 1 Marsi, Dita e Verës. Kjo është e trashëguar nga brezi në brez dhe ne si brez i vjetër që jemi, e festojmë atë duke bërë kulaçin e ditës së Verës dhe e shpërndajmë në pjesë. Po, qyteti i Korçës i ka ruajtur traditat, kulaçin e ndajmë në pjesëtarët e familjes të bashkëshoqëruar me fikun dhe "veroret" që i vendosim në dorë. Duke u gëdhirë 1 Marsi ne ndezim zjarrin, është simbol i kalimit të dimrit dhe ardhja e pranverës",-tregon një prej tyre. 

"Kemi gatuar kulaçin që është si traditë. Tani kemi dalë me këta fëmijët që kanë ndezur dhe kapërcejnë zjarrin. Dita e Verës tregon ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Zona e Korçës i ruan shumë këto traditat dhe i bën çdo vit. Vemë verore, bëjmë misra",-shprehet një zonjë korçare. 

Korça feston Ditën e Verës me kulaç, verore dhe zjarrin

Edhe këtë vit, fëmijët nuk munguan pranë flakëve, duke kapërcyer zjarrin nën vëmendjen e prindërve. Banorët thonë se ky veprim përfaqëson largimin e energjive negative të dimrit dhe mirëpritjen e një pranvere të bukur e të begatë. Krahas kulacit dhe veroreve, në disa familje përgatiten edhe misra të pjekur, si pjesë e tryezës tradicionale të kësaj dite.

Vajzat e vogla shprehen të lumtura që marrin pjesë në festë bashkë me shoqet dhe familjarët. Ato tregojnë se e kanë kapërcyer zjarrin disa herë, duke e konsideruar këtë një moment të veçantë që sjell gëzim dhe bashkim.

"Zjarrin e kemi ndezur me shoqet dhe bashkë me nënën. Po kalojmë shumë mirë, e kemi kapërcyer disa herë zjarrin. Simbolizon heqjen e të këqijave të dimrit dhe ardhjen e një pranvere të bukur e të re".

"Duket shumë bukur, po kalojmë shumë këndshëm. Janë momente të bukura me shoqet, me njëra tjetrën. E kemi kapërcyer zjarrin secila nga ne disa herë".

Në Korçë, Dita e Verës mbetet më shumë se një festë kalendarike dhe si një rit që bashkon brezat, forcon lidhjet familjare dhe rikthen shpresën për ditë më të ngrohta./CNA 

 

 

 

 

 

 





09:31 Kulturë Agim Xhafka

Nga fshati në Boston

Rastësisht pashë në facebook Aleksin, shokun tim të gjimna...

Lajmet e fundit nga