web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SHBA deporton emigrantë në Republikën e Afrikës Qendrore/ Mes tyre dhe një aktiviste iraniane

13 Qershor 2026, 18:09, Kosova & Bota CNA

SHBA deporton emigrantë në Republikën e Afrikës Qendrore/

SHBA ka deportuar një grup emigrantësh në Republikën e Afrikës Qendrore (CAR), një nga shtetet më të varfra dhe më të paqëndrueshme në botë, në kuadër të një marrëveshjeje që i lejon Uashingtonit të dërgojë në vende të treta persona që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Avioni i deportimit u nis nga shteti i Luizianës të enjten në mbrëmje dhe mbërriti të premten në Bangui, kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore. Sipas avokatëve dhe organizatave për të drejtat e emigrantëve, në bord ndodheshin rreth 24 persona nga vende të ndryshme, përfshirë Iranin, Jordaninë, Armeninë, Turqinë, Gjeorgjinë dhe Afganistanin. Mes të deportuarve ishte edhe një aktiviste iraniane pro-demokracisë, e cila sipas avokates së saj kishte ikur nga persekutimi në vendlindje. 

Sipas të dhënave të monitorimit të fluturimeve të ICE, avioni bëri një ndalesë në Akra, kryeqytetin e Ganës, para se të mbërrinte në Bangui. Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur se ku do të strehohen të deportuarit apo sa kohë do të qëndrojnë në vend.

Burime pranë Ambasadës së SHBA-së në Bangui thanë për Associated Press se disa prej emigrantëve janë vendosur përkohësisht në një bazë zjarrfikësish pranë kompleksit të ambasadës amerikane, ndërsa të tjerë janë sistemuar në lokacione të ndryshme. Sipas të njëjtave burime, burrat dhe gratë u ndanë menjëherë pas mbërritjes.

Fondi i Mbrojtjes Ligjore Iraniano-Amerikane (IALDF) deklaroi se tre gra iraniane rrezikonin deportimin, por vetëm njëra prej tyre përfundoi në fluturim. Sipas organizatës, kërkesat e tyre për azil ishin refuzuar për shkak të një rregulli që kërkonte aplikimin fillestar për mbrojtje në vendet tranzite para mbërritjes në SHBA. Ky rregull u rrëzua nga një gjykatë federale në Kaliforni gjatë muajit maj.

Administrata e presidentit Donald Trump ka nënshkruar gjatë viteve të fundit disa marrëveshje me vende afrikane dhe latino-amerikane për pranimin e personave të deportuar nga vende të treta. Këto marrëveshje janë kritikuar gjerësisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat i konsiderojnë ato një mënyrë indirekte për të detyruar azilkërkuesit të kthehen në vendet nga të cilat janë larguar.

Sipas avokatëve të emigracionit, shumë nga personat e deportuar kishin siguruar më parë mbrojtje ligjore nga gjykatat amerikane kundër riatdhesimit. Megjithatë, administrata amerikane këmbëngul se marrëveshjet janë të ligjshme dhe përbëjnë pjesë të politikës së saj për forcimin e kontrollit ndaj emigracionit të paligjshëm. /CNA





Lajmet e fundit nga