LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse është e pamundur diplomacia e Perëndimit me Rusinë e Putinit

24 Nëntor 2022, 08:13, Kosova & Bota CNA

Pse është e pamundur diplomacia e Perëndimit me Rusinë e

“Jepini një shans diplomacisë!”

Kjo frazë përsëritet pothuajse në çdo konflikt, dhe lufta në Ukrainë nuk bën përjashtim. Një kor analistësh, ekspertësh dhe ish politikëbërësish kanë ushtruar presion për një paqe të negociuar në çdo fazë të luftimeve në fushën e betejës: pas mbrojtjes së suksesshme të Kievit, kur Rusia u tërhoq në lindje, gjatë përparimit të shpejtë të Rusisë në Donbas gjatë verës, pas tërheqjes së trupave ruse nga rajoni i Kharkiv, dhe së fundmi nga Kersoni.

Sa më shumë shtohen sukseset e ushtrisë ukrainase, aq më të forta bëhen edhe thirrjet që Ukraina të negociojë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Dhe sot nuk janë më vetëm ekspertët, ata që e mbështetin këtë qasje. Një grup demokratësh në Kongresin e SHBA-së i shkruan një letër presidentit Xho Bajden, ku bënin thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, vetëm për t’u tërhequr pak kohë më vonë nga kjo kërkesë.

Udhëheqësi i shumicës së re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin Mekarthi, ka premtuar se do të rishikojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, dhe do të ushtrojë presion për t’i dhënë fund luftës. Thuhet se edhe shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, Mark Millej, ka kërkuar që Ukraina të negociojë, edhe pse më pas e bëri të qartë se vendimi për këtë i takon vetëm Kievit.

E pse të mos negociohet? A nuk është një zgjidhje diplomatike alternativa më e mirë - në fakt e vetmja - për çdo lloj zgjidhjeje afatgjatë midis Rusisë dhe Ukrainës? Dhe nëse po, çfarë dëmi mund të vijë nga eksplorimi i këtyre opsioneve? Në fakt dëmet janë të shumta.

Pse është e pamundur diplomacia e Perëndimit me Rusinë e

Pasi pavarësisht nga mënyra se si portretizohet zakonisht, diplomacia nuk është në thelb gjithmonë e mirë. Në konfliktin e Ukrainës, përfitimet e mundshme nga negociatat janë minimale, ndërsa kostot e mundshme mund të jenë të konsiderueshme.

Së pari, argumenti se shumica e luftërave përfundojnë me një zgjidhje diplomatike, dhe për pasojë kështu do të përfundojë lufta në Ukrainë, është mashtrues në rastin më të mirë. Disa luftëra - si Lufta Civile e SHBA-së dhe Lufta e Dytë Botërore - vazhduan deri në kapitullimin e njërës nga palët.

Të tjerat - si Revolucioni Amerikan, Lufta Spanjolle-Amerikane, Lufta e Parë Botërore apo Lufta e Parë e Gjirit - u fituan në fushën e betejës përpara se palët të uleshin në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë luftëra të tjera - si Lufta e Koresë - përfunduan me një armëpushim, por vetëm pasi palët kishin luftuar derisa konflikti ishte futur në një ngërç.

Në të kundërt, përpjekjet për një zgjidhje diplomatike, në një kohë që situata ushtarake ishte dinamike - siç u përpoqën të bëjnë Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Vietnamit dhe së fundmi në Afganistan - kanë përfunduar në katastrofë. Edhe nëse shumica e luftërave në fund mbarojnë me një zgjidhje diplomatike, kjo nuk është një zëvendësuese e fitores.

Pse është e pamundur diplomacia e Perëndimit me Rusinë e

Presioni ndaj Ukrainës për të negociuar tani, dërgon një sërë sinjalesh, ku asnjëri prej tyre nuk është i mirë. Në këtë moment të veçantë, diplomacia nuk mund t’i japë fund luftës në Ukrainë, sepse interesat ruse dhe ukrainase ende nuk mund të mbivendosen mbi njëra-tjetrën.

Kuptohet që ukrainasit duan rikthimin e të gjithë territoreve të pushtuara. Po ashtu duan dëmshpërblim për dëmet që ka u shkaktuar Rusia, dhe gjykimin e përgjegjësve për krimet e luftës.

Ndërkohë Rusia e ka bërë të qartë se ende synon që ta nënshtrojë Ukrainën sipas vullnetit të saj. Ajo ka aneksuar zyrtarisht disa rajone në Ukrainën Lindore dhe Jugore, ndaj tërheqja tani do të ishte e barabartë, me lëshimin e këtyre zonave tek Rusi. Ekonomia ruse është e dërrmuar, ndaj Ukraina nuk mund të paguajë dëmshpërblime.

Edhe përgjegjësia e plotë për krimet ruse të luftës, mund të çojë në bankën e të akuzuarve presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Prandaj pretendime të tilla nuk ofrojnë asnjë rrugë të qëndrueshme diplomatike. Madje as diplomacia nuk ka gjasa të parandalojë përshkallëzimin e ardhshëm të situatës.

Një nga pretendimet më të zakonshme se pse Shtetet e Bashkuara duhet t‘i japin një shans diplomacisë, është të pengohet Rusia që të vërë në jetë kërcënimet e saj për të përdorur armë bërthamore. Por çfarë po e nxit Rusinë ta bëjë këtë të fundit? Kjo ndodh sepse Rusia po humbet në fushën e betejës, dhe asaj i mungojnë opsionet e tjera.

Duke supozuar se “zgjidhja diplomatike” nuk është një eufemizëm për kapitullimin e Ukrainës, siç këmbëngulin ithtarët e saj, llogaritjet e Rusisë nëse dhe si ta përshkallëzojë konfliktin nuk do të ndryshonin. Rusia do të ishte ende duke e humbur luftën, dhe do të kërkonte një mënyrë për të ndryshuar fatin e saj në këtë luftë.

Diplomacia mund të zbusë vuajtjet njerëzore, por vetëm disi. Gjatë gjithë konfliktit, Ukraina dhe Rusia kanë negociuar shkëmbimin e të burgosurve dhe një marrëveshje për të lejuar eksportet e grurit ukrainas. Kjo lloj diplomacie taktike për disa çështje specifike ishte sigurisht një lajm i mirëpritur për trupat e kapura rob, dhe për ato pjesë të botës që varen nga eksportet ushqimore tw Ukrainës.

Por nuk është e qartë se si mund të shkohet më tej bazuar në këto fitore relativisht të vogla diplomatike. Për shembull, Rusia nuk do t’i braktisë sulmet e saj ndaj infrastrukturës ukrainase këtë dimër, ndërsa po përpiqet ta ngrijë Ukrainën deri në nënshtrim, sepse kjo është një nga taktikat e pakta që i ka mbetur Moskës.

Në të njëjtën kohë, një diplomaci më e gjerë e ka një kosto. Nxitja e Ukrainës për të negociuar tani dërgon një sërë sinjalesh, por asnjëri prej tyre nuk është i mirë. Ai u sinjalizon rusëve se mjafton që ata të presin lodhjen e mbështetësve perëndimorë të Ukrainës, duke e zgjatur pafund konfliktin.

Po ashtu, u sinjalizon ukrainasve  -për të mos përmendur aleatët dhe partnerët e tjerë në mbarë botën - se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë një luftë të mirë për një kohë, por në fund do t’i braktisin ata. Dhe i thotë publikut amerikan se liderët e saj nuk janë të prirur për ta fituar këtë luftë, gjë që nga ana tjetër mund të rrisë padurimin e brendshëm ndaj saj.

Fillimi para kohe i negociatave sjell kosto të tjera. Siç u shpreh Bajden në qershor “Çdo negociatë pasqyron faktet në terren”. Ai ka të drejtë. Ukraina është sot në një pozicion më të fortë negociues, pasi ajo luftoi në vend se të bisedonte. Sot çështja është nëse Ukraina do të rimarrë përfundimisht kontrollin mbi Donbasin dhe Krimenë, dhe jo mbi Harkiv dhe Kerson.

Por kjo nuk do të kishte ndodhur nëse dikush do të kishte dëgjuar ata që thoshin që në pranverë apo verë “jepini një shans diplomacisë”. Ka shumë arsye të besohet që me kalimin e kohës, Kievi do të jetë në një pozicion edhe më të fortë negocimi. Ukrainasit po arrijnë një varg suksesesh - së fundmi rimorën Kersonin - ndaj ata kanë iniciativën.

Ndërsa edhe Ukraina ka pësuar humbje, ndihma ushtarake perëndimore vazhdon. Pavarësisht nga sulmet raketore të Rusisë ndaj infrastrukturën civile, morali i ukrainasve mbetet i fortë. Ndërkohë ai i rusëve është shumë i zbehtë. Rezervat e saj ushtarakë janë harxhuar, dhe ajo po përpiqet të gjejë furnizime alternative.

Sigurisht një ditë do të vijë koha e negociatave. Dhe kjo do të ndodhë kur Rusia ta pranojë se ka humbur, dhe të dëshirojë që t’i japë fund luftës. Ose do të ndodhë kur Ukraina të thotë se rimarrja e gjithë territorit të pushtuar, nuk ia vlen sa kostoja e vazhdueshme të bombardimeve ruse. Dhe deri më tani nuk është realizuar asnjëri nga skenarët.

Shënim:Raphael S.Cohen, drejtor i Programit të Strategjisë dhe Doktrinës në Projektin e Forcave Ajrore në think-tankun amerikan “Rand Corporation”. Gian Gentile, zëvendësdrejtor i Divizionit të Studimeve Ushtarake në këtë institut.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga