web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fasoni, mes konsolidimit dhe presionit të kostove në 2026

18 Janar 2026, 13:24, Ekonomi CNA

Fasoni, mes konsolidimit dhe presionit të kostove në 2026

Industria e veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri po hyn në vitin 2026 në një nga momentet më kritike të ekzistencës së saj që prej tranzicionit.

Pas më shumë se dy dekadash si një nga motorët kryesorë të eksporteve dhe punësimit me pagë, fasoni po përballet me një kombinim faktorësh negativë, që po e çojnë sektorin drejt tkurrjes. Prodhuesit paralajmërojnë se, nëse kushtet aktuale vijojnë, numri i fabrikave mund të përgjysmohet brenda tre deri në katër viteve të ardhshme.

Rënia e vazhdueshme e Euros, rritja e mëtejshme e pagës minimale, tkurrja e kërkesës nga tregjet europiane dhe kostot shtesë që priten nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian po e vendosin fasonin shqiptar nën presion të dyfishtë.

Në të njëjtën kohë, konkurrenca nga platformat kineze të tregtisë online si “Temu” dhe “Shein” po godet prodhuesit europianë, duke reflektuar drejtpërdrejt edhe te porositë për Shqipërinë.

Pas tre viteve të vështira, ku aktiviteti u orientua kryesisht drejt mbijetesës dhe jo fitimit, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po hyn në vitin 2026 me pritshmëri më pozitive, por ende jo të sigurta.

Fabrikat e vogla dhe të mesme do të ketë vështirësi dhe falimente, kurse fabrikat e mëdha, që kanë më shumë aftësi të përshtaten, pritet të rikthejnë fitimet më 2026.

Sektori përgjysmohet në periudhën afatmesme

Florian Zekja, biznesmen me përvojë në prodhimin e veshjeve për eksport, rendit disa faktorë që po e thellojnë krizën, të cilët pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vitin 2026.

Së pari, ai thekson se rënia e Euros po e nxjerr Shqipërinë jashtë konkurrencës rajonale, pasi çmimet nuk mund të rriten në një monedhë që vijon të zhvlerësohet.

Së dyti, pasiguria ekonomike në Europë, e përkeqësuar nga tensionet tregtare dhe politikat fiskale globale, po ndikon negativisht në shitjet e veshjeve dhe këpucëve të punës.

Së treti, rritja e kostove operative, nga transporti te qiratë dhe pagat, po e bën gjithnjë e më të vështirë menaxhimin e ndërmarrjeve fason. Së fundi, situata gjeopolitike po ndikon drejtpërdrejt në industrinë e modës dhe në porositë për koleksionet e ardhshme.

Z. Zekja paralajmëron se anëtarësimi në BE do të sjellë kosto të reja të papërballueshme për një pjesë të madhe të fabrikave. “Vetëm një certifikatë standardesh më kushton 20 mijë euro dhe nuk është e vetmja”, – thotë ai, duke parashikuar një tkurrje të fortë të sektorit që nga viti 2026.

2026, mes stabilitetit dhe rrezikut

Edvin Prençe, president i Shoqatës ProEksport Albania, thotë se sektori e pret vitin 2026 me besim dhe ambicie, por edhe me sfida strukturore që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Ai nënvizon se rritja e kostove të prodhimit dhe paga minimale po ndikojnë drejtpërdrejt konkurrueshmërinë, duke kërkuar politika të balancuara që mbështesin punonjësit, pa cenuar qëndrueshmërinë e biznesit.

Hapja e kapitujve të negociatave me BE-në, sipas z. Prençe, e bën jetike përfshirjen reale të industrisë në procesin vendimmarrës, pasi prodhuesit do të jenë zbatuesit praktikë të standardeve europiane.

Një tjetër sfidë madhore mbetet mungesa e likuiditetit për investime, që po ngadalëson automatizimin dhe modernizimin, si dhe kostot e larta të certifikimeve dhe promovimit ndërkombëtar.

Megjithatë, ai shprehet se viti 2026 mund të shënojë ritëm të qëndrueshëm rritjeje, i nxitur nga partneritete më të forta europiane, investime në teknologji dhe bashkëpunim strategjik mes qeverisë dhe industrisë.

Rritje nga klientët ekzistues dhe segmentet teknike

Rritja e pritshme për vitin 2026 po mbështetet si te klientët ekzistues, ashtu edhe tek ata të rinj, me fokus të qartë në produkte me vlerë të shtuar.

Segmentet kryesore ku po orientohet prodhimi janë materialet teknike për sektorë si ushtarake dhe hiking, ku kërkohen standarde të larta cilësie dhe inovacioni.

Sfida e fuqisë punëtore dhe presioni i kostove

Në aspektin e burimeve njerëzore, viti 2026 mbetet sfidues. Nevoja për aftësi të specializuara po rritet në të gjitha kategoritë, ndërsa rekrutimi nga jashtë vendit mbetet kompleks.

Furnizimi kryesor me fuqi punëtore vijon të jetë tregu i brendshëm, me numrin e punonjësve që ka ardhur në rritje, nga rreth 600 në 750 persona.

Megjithatë, rritja e kostove të punës, që në disa raste arrin deri në 25%, po kthehet në një shqetësim serioz afatmesëm. “Klientët ankohen për çmimet dhe presioni i kostove rrezikon të vërë në diskutim madhësinë e fabrikave në të ardhmen”, – paralajmëron znj. Laro nga “Prodyn” duke shtuar se akomodimi i këtyre kostove nuk është i lehtë dhe kërkon optimizim të vazhdueshëm.

Tkurrja e aktivitetit po reflektohet drejtpërdrejt edhe në punësim. Në vitin 2023, industria e tekstileve dhe këpucëve punësonte mbi 48.4 mijë persona, duke kontribuar me 6.61% të punësimit total me pagë në vend. Por që nga ajo periudhë, sektori ka hyrë në një spirale rëniesh.

Sipas të dhënave të INSTAT, industria ka shkurtuar rreth 8% të punonjësve vetëm ndërmjet tremujorit të dytë 2024 dhe atij 2025. Në krahasim me vitin 2023, fabrikat kanë humbur gati një të pestën e fuqisë punëtore. Emigrimi, plakja e fuqisë punëtore dhe rënia e atraktivitetit të punës në fason po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e kapaciteteve ekzistuese.

Diversifikimi dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit

Përballë këtij realiteti, kompanitë po riorganizojnë portofolin e klientëve dhe po zgjerojnë praninë edhe në segmente të reja, përfshirë produktet e nivelit të mesëm dhe të luksit.

Ndryshimi i trendeve të konsumit, veçanërisht te brezi i ri, po ndikon drejtpërdrejt në strategjitë e prodhimit dhe konceptimin e produkteve të reja.

Diversifikimi shihet si element themelor për mbijetesë dhe rritje në vitin 2026, krahas fokusit në qëndrueshmëri, minimizimin e mbetjeve dhe riciklimin e materialeve.

Standardet, certifikimet nga anëtarësimi në BE rrisin kostot

Në drejtim të përgjegjësisë sociale dhe mjedisore, kompanitë po investojnë në standarde të larta si BSCI, ku vlerësimi “B” konsiderohet shumë i mirë për kushtet e Shqipërisë, për “ProDyn”.

Hapi i radhës lidhet me matjen dhe reduktimin e emetimeve të karbonit, përmes indekseve si IGG, që monitorojnë performancën dhe planet për përmirësim./Monitor 

 





Lajmet e fundit nga