LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Në Shqipëri ‘kafja’ më e shtrenjtë”/ Mbesa akuzon xhaxhain: Mashtroi 29-vjeçarin nga Kosova për pasaportën shqiptare

22 Nëntor 2023, 21:15, Denoncim CNA
“Në Shqipëri ‘kafja’ më e
Foto ilustruese

Një denoncim i pazakontë ka mbërritur në redaksinë e emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan. Mbesa akuzon xhaxhain e saj, Nevruz Memaj, pasi ai i ka premtuar djalit të kunatit të saj nga Prishtina ta pajisë me pasaportë shqiptare kundrejt 5 mijë Eurove. Mbesa nga Berati ka 16 vjet e martuar në Prishtinë dhe mashtrimi i xhaxhait i ka krijuar probleme në familje.

Nevruz Memaj është një ish-punonjës policie, i dalë në pension. Ai ka bërë plotësimin fiktiv të dokumentacionit, duke nisur nga vërtetimi fals i shkollës, e duke paguar “kafe” sipas denoncuesit të rastit te zyra e Emigracionit për leje qëndrimi.

Denoncuesi: Unë jam 29 vjeç dhe merremi me makinat. Aty në Kosovë e kemi servisin tonë. Ato lekë që i kam marrë unë, i kam marrë shumicën hua sepse është qenë kohë shumë e shkurtër, i ka lyp në një kohë të shkurtër dhe është problem me zanat që punoj unë, t’i bëj aq shpejt. Në fillim kur jemi takuar me të, ia kemi dhënë Lekët në dorë, 400 Euro si fillim për kthim dokumentash. Këto janë certifikatat që na ka kërkuar, janë me vulë apostile. Kjo është adresa që i kemi dërguar personit në fjalë. Ky është vërtetim i gjendjes gjyqësore të shtetit shqiptar. Tani, shumicën e Lekëve i kemi dhënë, nuk kemi bërë ndonjë incizim dhe ndonjë video sepse nuk kemi besuar që vjen puna deri këtu dhe pasi kemi dyshuar diçka, kemi dyshuar, kemi bërë ndonjë video. Tani gjërat po shihen dhe vetë. Zakonisht, sa herë jemi takuar bashkë, gjithmonë ka thënë për t’i dhënë një kafe, por këtej “kafja” kishte qenë pak më e shtrenjtë.

Pyetje: Si u regjistruat në shkollën profesionale?

Denoncuesi: 3 vite kam qenë në Tiranë. Është shkolla e zanatit dhe aty kam qenë 2-3 ditë si lloj prakike, ashtu.

Pyetje: Po tek Emigracioni ke keni takuar dhe si ju dha “kafja”?

Denoncuesi: Afër Emigracionit është një kafe afër aty dhe unë hyra brenda aty. Shefi i Emigracionit, quhej Dritan. Jemi takuar me të kështu në zyrë edhe kemi kryer disa procedura ty. Jam ndalë unë dhe kam takuar Nevruzin aty përballë, domethënë tek Emigracioni dhe më than që “duhet t’i japësh shefit një kafe”. Për shefin e Emigracionit ishte 200 Euro një kafe. Aty duhej për të pritur gjatë për të hyrë brenda aty dhe unë në bazë të Nevruzit kam hyrë shumicën e rasteve dhe kam hyrë pa radhë. E kam takuar shefin, kemi hyrë në zyrë dhe kemi biseduar, por u vu re që ka njohje dhe thoshte “për filanin”. Ka pasur raste që i kam dërguar një djali aty që është i përmenduar në dokument, edhe atij një kafe. Tani kush është ai, nuk po e di. Besoj se kishte funksion shtetëror në Emigracion.

Tek kushtet për të marrë pasaportë duhet dhe një shtëpi dhe Nevruzi ka menduar edhe për këtë, duke bërë sërish një kontratë qiraje fiktive për 6 muaj dhe për këtë 29-vjeçari nga Kosova ka paguar 1250 Euro.

Denoncuesi: Atë banesën që e kam paguar për 6 muaj, 200 Euro në muaj, unë nuk kam qenë asnjëherë në jetën time aty, nuk e di.

Pyetje: Pra ke paguar dhe një shtëpi me qira, ju lidhi Nevruzi. Kujt personi ja keni paguar këto Lekë për 6 muaj, ndërkohë që nuk keni ndenjur fare në këtë shtëpi. A keni ndonjë dokument?

Denoncuesi: Kjo është kontrata e qirasë që banoj në Tiranë. Është një me mbiemër Avdia apo Kolega, nuk e di tamam. Videot i kam bërë kur ia kam dhënë Lekët. Aty në tavolinë është prindi im dhe gruaja e xhaxhait tim. Ky është vërtetimi i vendbanimit tim në shtetin shqiptar dhe pas një kohe që e kemi paguar qiranë, nuk kam qëndruar asnjëherë. Duhej që të paguaja ekstra hotel në një vend tjetër dhe ka thënë që “ka vdekur personi”. Nga ajo që dimë ne, personi është gjallë.

Pyetje: Pse nuk qëndruat në këtë shtëpi?                                                           

Denoncuesi: Na tha “është pak larg, jo kështu e jo ashtu” dhe më pas e lamë me ashtu dhe tha që vetëm 3 ditë ke për të qëndruar sepse nuk ke punë më gjatë këtu.

Video-përgjimi nga momenti i ndarjes së Lekëve me qiradhënësin:

Denoncuesja: Shikoje xhaxhi! T’i numëroj njëherë unë pastaj ti…! Dy…dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë..numëroji njëherë këtu vetë!

Nevruz Memaj: Shtatë, tetë, tetë bëjnë 400…tri, katër, pesë aa… janë gjashtë, se njëra është 2 qindëshe… Jepja këtij atë 5 dhjetëshen…, të taksës!

Pronari i shtëpisë me qira, Destan Avdiu: 1 mijë i ke dhënë këtu…

Nevruz Memaj: Jepi dhe 250 Euro!

Denoncuesja: Ti ke me dhënë tani veç të noterisë?

Pronari i shtëpisë Destan Avdiu: Të noterisë 1200, ato ti Noke, jepi 70 e ca mijë Lekë..

Nevruz Memaj: Jepi 50 Euro, se i jap unë të tjerat…!

Pronari i shtëpisë Destan Avdiu: Jo unë, o burrë! Mbaji ti! Bëji ti letrat…!

Nevruz Memaj: I bëj unë dakord jam, se bëjnë 72 mijë Lekë… Nejse, se i rregulloj unë…

Denoncuesi: Po njëlloj është, se ju po na thoni njëherë në Lekë, njëherë në Euro…

Denoncuesit e rastit nuk kanë mundur që të kontaktojnë me Nevruz Memajn prej dy vjetësh, kur ky i fundit siguroi 5 mijë Eurot.

Pyetje: Sa kohë keni që nuk flisni me Nervruz Memajn?

Denoncuesja: Kjo zgjati Shtator-Nëntor 2020, në 3-4 muaj kemi pasur kontaktet me të derisa u morën Lekët dhe më pas nuk kemi kontakte të tjera. Jemi munduar shumë që të kontaktojmë me to, por në momentin që kemi rënë në kontakt, ka dëgjuar zërin tonë, i kemi thënë kush jemi dhe automatikisht na ka bërë bllok në çdo numër.

Në një audio-përgjim të denoncuesit me Nevruz Memajn, dëgjohet se si ky i fundit i premton të riut se pasaporta shqiptare do t’i dalë.

Denoncuesi: Si shkoi ajo puna e pasaportës?

Nevruz Memaj: Me punën e pasaportës, duhet të vish ti, rri këtu dy javë edhe hajde tani, se u zbut puna. Në 1 Janar Kosova, ikën pa pasaportë si Shqipëria, pastaj ikën 3 muaj. Do punosh 2 muaj e gjysëm andej, do kthehesh, nuk është gjë…Pasaporta ikën  e vjen… Do ta llafosim me drejtorin e kufirit, do i them këtu – këtu është puna…

“Stop” ka rënë në gjurmët e Nevruzit, i cili jeton në Durrës dhe në përballje me mbesën, ai mashtroi sërish, për të dalë nga situata. Ndërsa në përballje me gazetarin e “Stop”, Nervruzi pranoi se ka dhënë ryfshet nën dorë kudo, ku sipas tij i është dashur të plotësojë procedurat për të marrë pasaportën shqiptare.

Gazetari: Jemi për rastin e zotërisë që i keni premtuar për një pasaportë. Ju punoni në emigracion?

Nevruz Memaj: Unë madje vura dhe në siklet njerëzit e Drejtorisë së Emigracionit. 

Gazetari: Është një çun nga Durrësi me emrin Esmerald Rrustemaj, çfarë lidhje keni ju me këtë dhe pse këto Lekë i janë dërguar Esmeraldit?

Nevruz Memaj: Dëgjo tani, është në emigracion tani.

Gazetari: Po çfarë lidhje kanë Lekët?

Nevruz Memaj: Ndërhyrje problemi i përshpejtuar që nga Bashkia, që nga Drejtoria e Kufirit që ndërhyjmë me shoqëri, e bëjmë. Ky ka ndërhyrë me atë taksën e shtëpisë. Nuk ka qëndruar në shtëpi, por qiranë e mori tek noteri. Ika tani unë…Ty çupë do të të marr në telefon.

Denoncuesja: Shihemi në polici, kismet.

Në një telefonatë me punonjësin e Emigracionit, Dritan Hysi, ky i fundit nuk pranon se 29-vjeçari nga Kosova i ka dhënë ndonjë shpërblim për përshpejtimin e procedurave për pajisjen me pasaportë shqiptare.

Denoncuesja: Jam mbesa e Nevruz Memaj. Si je Dritan?

Dritan Hysi: Mirë! Si ia kalon?

Denoncuesja: Po, atë dokumentin që ia ke dhënë, pse ia ke dhënë?

Dritan Hysi: Po pra, leje qëndrimi kam dhënë. Tani çfarë kërkon tani ti?

Denoncuesja: Bilanci është i 5 mijë Eurove, që është marrë…

Dritan Hysi: Mirë o mirë, ti, avash…ule një çikë atë tytën, se e ngrite shumë lart..!

Denoncuesja: Po Nevruzi ka thënë, që një kafe e ka Dritani…?

Dritan Hysi: E ka Dritani ka thënë ai?

Denoncuesja: Po!

Dritan Hysi: Pooo pra.., po mu s’më ka dhënë kafe Nevruzi…/ Tv klan

Lajmet e fundit nga