web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mallra kontrabandë dhe pa certifikim pushtojnë marketet

16 Maj 2026, 08:28, Denoncim CNA

Siguria ushqimore në Shqipëri dhe garancia për produktet që përdorin shqiptarët është një nga problematikat më të mëdha të ngritura në kuadër të procesit të integrimit në BE. Së bashku me sigurinë ushqimore, procesi i integrimit kërkon edhe kontrollin e markave të produkteve në treg që vijnë direkt nga prodhuesit.

Kryeministri Rama, një vit më parë e shkriu fare AKU-në, e futi në formatim të plotë, por me sa duket rezultatet janë shumë larg asaj që pritet.

CNA ka raportuar një fenomen shumë të rëndësishëm, sipas një vëzhgimi, i cili na tregonte që jo vetëm shmangeshin taksat apo vidhej produkti i autorizuar për distributorë të caktuar, por rrezikohej edhe shëndeti i konsumatorëve, nëpërmjet shitjes së mallrave të siguruara kontrabandë, pa certifikim dhe garanci nga prodhuesit. (LEXO KETU)

Ne morëm rastin e verërave dhe treguam se si në treg shiten me dhjetëra lloje verërash, të cilat janë me çmime të shtrenjta, që fillojnë nga 1000 euro shishja, që i gjen rëndom në çdo restorant pa pullë fiskale nga tatimet dhe doganat me çmime edhe nën kosto.

Produkte të pashpërndara nga distributori i autorizuar, pra nga ai që shkon dhe furnizohet në origjinë, ai që ka lejen për ta marrë dhe trajtuar atë produkt dhe që garanton që është produkt origjinal deri te produktet që mund të mbushen në qilarët e Jugut të Italisë apo Turqisë, që u vendosin etiketa false dhe brenda nuk dihet se çfarë kanë.

Një qytetar shkon të blejë një shishe verë që mendon se është 20 apo 30 euro në tregun shqiptar, e cila në fakt mund të jetë e kontrabanduar, mund të jetë false, e prodhuar në zonën e Kombinatit (dikur vatra kryesore e falsifikatorëve), siç ka pasur raste rëndom të denoncuara nga emisionet investigative apo e mbushur nëpër kantina abuzive mashtruesish, të cilët mund të rrëmbejnë çdo lloj shisheje, mund t’i vendosin një etiketë e ta nxjerrin në treg dhe askush nuk e di cilësinë e as çfarë ka brenda.

Ky është rreziku më i madh sepse është rrezik për shëndetin e qytetarëve, pa folur pastaj për dëmin që ka konkurrenca në treg dhe kostot që ka shitësi i autorizuar deri te humbjet e mëdha që i ndodhin shtetit shqiptar.

Nuk është problem në Shqipëri vetëm tregtimi i verërave, siç e kemi raportuar.

CNA do të fillojë një cikël shkrimesh, ku do të trajtojë në mënyrë të pandalshme dhjetëra produkte, të cilat vijnë dhe u serviren qytetarëve në forma të tjera abuzive, jashtë standateve dhe kontrrollit.

Njëra formë është ajo që hyn kontrabandë, që stimulohet nga dogana. Forma tjetër është hyrja e një produkti që duhet të blihet te një distributor i autorizuar, të ketë sipas ligjit edhe një pullë të ngjitur të përkthyer në gjuhën shqipe me atë çfarë përmban produkti dhe si duhet të konsumohet, të cilën kemi filluar ta hasim shpesh në marketet shqiptare, në krah të një produkti të njëjtë, por që nuk ka as përkthim shqip, nuk ka asgjë në gjuhën shqipe, por është produkt i huaj dhe për këtë arsye shitet edhe më shtrenjtë.

Nuk janë vetëm pije, janë dhjetëra produkte kozmetike deri tek ato farmaceutike dhe ushqimore.

Një tjetër fenomen problematik në treg është edhe ai i pijeve, që në raftet e supermarketeve të Tiranës, minimarketeve të lagjeve e marketeve në të gjithë Shqipërinë, gjen produktin që është origjinali, që vjen me një distributor të autorizuar, që ka një certifikatë, që ka dhe përkthimin në gjuhën shqipe, në krah të tij e gjen në italisht; një birrë, një pije energjike, një lëng frutash.

Të dyja ndodhen në vitrinë. Edhe produkti që është i autorizuar nga prodhuesi në fabrikë dhe produktin që nuk ka asnjë parametër ligjor, por thjesht e lexon në italisht apo greqisht.

Mallra kontrabandë dhe pa certifikim pushtojnë marketet
Foto ilustruese

Së pari, skandali është si mund të vijnë këto produkte në marketet tona? Nga hyjnë? Kush i sjell? Si i kalojnë doganat?

Janë mallra kontrabandë apo vetë furnitorët e supermarketeve mbushin furgonët dhe kamionët dhe brenda kanë arka me mallra të ndryshme që nuk plotësojnë asnjë standard ligjor shqiptar, për më tepër konkurrojnë në mënyrë abuzive tregun? Dhe ajo që është më për të qeshur është fakti se “kjo është origjinale se shkruan greqisht ose italisht”. Në fakt, burimi i saj nuk dihet.

Ajo që shkruan greqisht apo italisht mund të ketë hyrë nga dogana dhe mund të jetë blerë në një treg shumice, por askush nuk garanton origjinën e tij të prodhimit, askush nuk garanton cilësinë dhe standardin e tij, pa folur më tej për abuzimin që u bëhet qytetarëve, ku produkti i cili plotëson parametrat ligjorë dhe u është dhënë nga prodhuesi me autorizim si markë për t’u tregtuar në Shqipëri ka çmim më të lirë, ndërsa produkti i cili ka të shkruar vetëm italisht, greqisht apo gjermanisht, apo sllavisht është më i shtrenjtë.

Mallra kontrabandë dhe pa certifikim pushtojnë marketet

Pse, lind pyetja?

Sepse abuzohet. Është i njëjti produkt, s’ka asnjë ndryshim, është prodhuar në të njëjtën linjë, por është më i shtrenjtë, cilësia dhe siguria nuk janë të garantuara kur nuk ka as autorizim nga prodhuesi, por thjesht e gjen të shitet rëndom për konsumatorin.

Shqiptarët, të prirur për të marrë produkte më të kontrolluara, shkojnë dhe marrin atë me shkrime të huaja që nuk dihet se në ç’treg ka dalë dhe çmimin e ka më të shtrenjtë.

Paguajnë më shumë për të marrë një produkt që s’ka asnjë garanci, thjesht dhe vetëm shkruhet në gjuhë të huaj.

Pa folur për tregjet e hapura ku mund të gjenden mallra të falsifikuara pa fund, produkte, pije, ushqime nga më të ndryshmet që nuk kanë asnjë kontroll, asnjë etiketë, asnjë garanci që vijnë nga prodhuesi, nga linja e prodhuesit dhe distributori është i autorizuar, thjesht dhe vetëm “kap, shit ç’të shesim, të kapim ç’të kapim”.

Përtej asaj që ne kemi denoncuar me verërat, ky është një tjetër rast shumë flagrant, që jo vetëm rrezikon shëndetin e qytetarëve, jo vetëm i jep shtetit më pak taksa, por i vjedh konsumatorët, i vjedh në xhepa, me parullën se këto janë produkte që nuk janë të shkruara shqip.

Dëmi që u bëhet distributorëve zyrtarë është edhe më i madh, më pas edhe vetë të ardhurave në buxhetin e shtetit. (vijon)/ CNA





Lajmet e fundit nga