web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rama, ultimatum kryebashkiakëve/ “10 agroturizme e 3 SHBB ose nuk kandidoni më"

25 Prill 2026, 12:42, Aktualitet CNA

Rama, ultimatum kryebashkiakëve/ “10 agroturizme e 3 SHBB ose nuk

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Dibrën për të dhënë një mesazh të prerë për drejtuesit vendorë se zhvillimi i agroturizmit dhe krijimi i Shoqërive të Bashkuara Bujqësore janë kusht për mbijetesën e tyre politike. Gjatë takimit me fermerët dibranë, kreu i qeverisë prezantoi modelin e ri të kooperativave sipas stilit europian, duke i cilësuar ato si të vetmen rrugë për të mbijetuar në tregun e Bashkimit Europian.

Gjatë këtij takimi Rama iu drejtua edhe kryebashkiakëve, duke thënë se nëpërmjet Paketës së Maleve duhet të ngrenë 10 agroturizme dhe 3 Shoqëri të Bashkuara, ose në të kundërt, nuk kanë për të kandiduar më.

“Nuk është më problemi te paratë, është te projekti dhe aplikimi. E kemi rritur mbështetjen dhe për pak ditë do të firmosim edhe marrëveshjen me Bankën e Shqipërisë dhe do të vendosim në dispozicion të të gjithë atyre që duan të dyfishojnë sipërmarrjen një linjë kredie me interes të ulët dhe me garanci jashtë shteti. Askush nuk ka alibi, as kryetarët e bashkive. U kam thënë kryetarëve të bashkive, po nuk bëtë 10 agroturizme me Paketën e Maleve dhe 3 Shoqëri të Bashkuara, as mos pretendoni të kandidoni më. Nuk janë bashkitë, vetëm shtro rrugë, vendos drita e pastro plehra. Bashkitë duhet të jenë aleate të fermerëve”, tha Rama.

Duke u ndalur tek organizimi i fermerëve, Rama ironizoi skeptikët që i krahasojnë këto shoqëri me kooperativat e dikurshme komuniste. Ai theksoi se Bashkimi Europian funksionon përmes bashkimit të prodhuesve, ku secili mbetet pronar i tokës së tij, por shitja dhe negocimi i çmimit bëhen si një trup i vetëm.

Si shembull konkret i këtij vizioni, në Dibër është krijuar shoqëria "Dibra Origin", ku bashkia është aksionere krahas fermerëve të qershisë.

Fermerët shpjeguan se ky bashkim do t'u mundësojë atyre akses në fondet e IPARD-it për teknologji paketimi dhe përpunimi, ndërsa Rama njoftoi se së shpejti do të nisë edhe një linjë kredie me interesa të ulëta.

Takimi në Dibër u zhvillua në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, me fokus rritjen e sigurisë ushqimore dhe standardizimin e prodhimit vendës përpara integrimit të plotë në familjen europiane./ CNA





Lajmet e fundit nga