web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Një jetë në skenë dhe një njeri i rrallë"/ Korça i jep lamtumirën aktorit Koço Qendro

5 Korrik 2026, 12:35, Aktualitet CNA

"Një jetë në skenë dhe një njeri i

Korça i dha këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Koço Qendro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike dhe njerëzore.

Familjarë, kolegë, artistë, qytetarë dhe dashamirës të artit u mblodhën për ta nderuar, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua në mënyrë private, në përputhje me amanetin e tij të fundit.

"Një jetë në skenë dhe një njeri i

I ndjeri kishte kërkuar që të mos zhvilloheshin homazhe publike apo ceremoni madhështore, por një përcjellje e thjeshtë dhe modeste, ashtu siç kishte jetuar gjithë jetën.

“U nda nga jeta një nga aktorët më të vjetër, kuptohet, kishte lënë 99 vjet. Po u nda nga jeta një nga aktorët që krijoi karaktere të mrekullueshme. U nda nga jeta një nga aktorët që punoi tërë jetën pa u lodhur. Sigurisht simboli i tij mbetet ‘Kopraci’. Kur Koço ka luajtur Kopracin, unë kam luajtur Kleantin. Kemi qenë djalë e rritë, domethënë, që është rritur ka tre vjet në skenë ky ‘Kopraci’. Me nderim të madh e kujtojmë. Ishte njeri shumë i mirë, aktor shumë i mirë dhe mbi të gjitha aktor karakteresh. Me karaktere të shkëlqyera, ka pak, po i ka shumë pikante. Për mua ishte një njeri”, u shpreh aktori Kiço Kërri.

“Tashi unë falënderoj që juve më merrni në intervistë. Unë kam qenë oficer dhe Korçën e njoh prej 45 vitesh. Jam njohur me Koçon kur vinte me teatrin dhe që atëherë mbetëm miq deri ditën që mbylli sytë. Sa herë vija nga Amerika, e takoja dhe pinim kafe bashkë. E kam ndjekur gjithë aktivitetin e tij. Edhe në moshën 92–93 vjeç e thirrën të luante ‘Kopracin’. I thashë: ‘Ti dole në pension, pse vazhdon?’ Më tha: ‘Jam ende energjik dhe dua të jem me brezat e rinj.’ Më këshillonte gjithmonë që dijet, puna dhe sjellja ime të ndikonin pozitivisht te familja e te njerëzit përreth dhe se mbi gjithçka vlen njerëzillëku. Këto porosi i zbatoj edhe sot në familjen time”, tha Seladin Hoxhalli

Kolegët dhe bashkëpunëtorët e kujtuan Koço Qendron si një qytetar model, prind të përkushtuar, artist të rrallë dhe njeriun që dokumentoi historinë e teatrit dhe estradës së Korçës.

"Një jetë në skenë dhe një njeri i

Ata vlerësuan kontributin e tij në skenën shqiptare, duke theksuar se ai mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të humorit dhe teatrit shqiptar.

“Të flasësh për Koçon do të thotë të flasësh për mirënjohjen e qytetit. Dhe kur themi për mirënjohjen e qytetit është nderi më i madh që mund t’i bëhet një veprimtarie të shquar siç ka qenë Koço. Koçon duhet ta shikojmë si qytetar shembullor, si prind të përkushtuar, si artist të veçantë, por edhe si shkrimtar e historian. Ai bëri historinë e teatrit dhe të estradës. Koçoja rroi gjatë dhe la shumë mbresa jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që jetojnë. Ai ishte një humorist i talentuar, e nisi me skeçin dhe e përfundoi me komedinë. Sot i përkulem këtij njeriu që u bë simbol për qytetin tonë”, tha aktori Andrea Pepi.

“Është një ditë e vështirë për të gjithë ne kolegët e tij. Koçoja jetoi relativisht gjatë, por më kryesorja është se ai la pas veprën dhe rolet e tij. Ishte një nga aktorët themelues të estradës dhe teatrit. Ashtu si shumë aktorë të tjerë njohu shkëlqimin në skenë. Është një nga aktorët që publiku e deshi fort dhe që është i vlerësuar jo vetëm nga korçarët, por nga i gjithë publiku shqiptar për atë çka lë pas. I qoftë dheu i lehtë”, u shpreh Ligoraq Riza.

Një vend të veçantë në kujtimet e kolegëve zuri interpretimi i Harpagonit në komedinë “Kopraci”, rol që Koço Qendro e riktheu në skenë edhe në një moshë të thyer, duke dëshmuar se pasioni për artin nuk njeh kufij. Për bashkëpunëtorët e tij ai mbetet një aktor i madh, por mbi të gjitha një njeri fisnik.

“Sot i japim lamtumirën Koço Qendros, një prej figurave më të rëndësishme të teatrit dhe të filmit. Kemi ndier një dhimbje të madhe, sepse për pak muaj do të festonim 100-vjetorin e tij dhe do të ishim shumë të lumtur ta arrinim atë ditë. Unë kujtoj Frosinën që kam luajtur në krah të tij te ‘Kopraci’ dhe kam qenë me fat që kam pasur një Harpagon të tillë. Publiku kujton shumë role të tij në film, estradë e teatër. Ka qenë një aktor brilant karakteresh. Por për mua Koço ka qenë edhe një mik shumë i mirë. Më ka ndihmuar në drejtimin e punës sime me këshillat e tij, në arkivën e teatrit si një arkivist i shkëlqyer dhe në rrugëtimin tim si artiste. Do të më mungojë shumë Koço Qendro”, tha aktorja Zamira Kita.

"Një jetë në skenë dhe një njeri i

Me ndarjen nga jeta të Koço Qendros, arti shqiptar humbet një prej figurave të tij më të mëdha, ndërsa Korça përcolli me thjeshtësi, ashtu siç ishte amaneti i tij, një prej simboleve më të rëndësishme të historisë së saj kulturore. Emri, rolet dhe kontributi i tij do të mbeten të gjalla në kujtesën e publikut dhe në historinë e teatrit shqiptar. /CNA





Lajmet e fundit nga