LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Krimi që komandohet nga burgu “41 bis”, i pafuqishëm përballë “bosëve”

21 Nëntor 2021, 11:29, Aktualitet CNA

Ligji ?41-bis?, që parashikon izolimin e bosëve të krimit, që drejtojnë aktivitetin kriminal edhe nga dhomat e qelive, ka dështuar plotësisht. Me vetëm 9 kërkesa izolimi në dy vite, përkundër listës me 270 dënuar, që duhet të prekeshin nga ?41-bis?, sipas ish-ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pasi të dhënat tregonin se drejtonin aktivitetin kriminal edhe nga dhomat e qelive, autoritetet ligjzbatuese shfaqen krejt të pafuqishme për ta zbatuar. Për më tepër, nga këta 270 personazhe vetëm dy të dënuar dhe dy të paraburgosur janë në izolim total.

Autor: Elvis Myrta

Nga qelitë e burgut personazhe të përfshirë në krim të organizuar apo në struktura të larta të krimit të organizuar menaxhojnë sistemin jashtë territorit të burgut, duke kryer aktivitete kriminale dhe duke u bërë edhe më të rrezikshëm për shoqërinë. Në këto kushte, ndërhyrja ligjore ishte e domosdoshme dhe e nevojshme?, – deklaronte drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, në përfundim të një takimi me krerët e institucioneve ligjzbatuese, më 29 korrik të vitit 2020, për regjimin ?41-bis?, i cili nënkupton vendosjen në izolim të bosëve të krimit, që vazhdojnë e komandojnë nga qelitë e burgut.

Tryeza kishte bërë bashkë drejtuesit e agjencive të zbatimit të ligjit dhe nga aty u njoftua lista me 7 personat e parë që duhet të izoloheshin, pasi informacionet tregonin se nga brenda qelive kryenin aktivitet kriminal.

Vonesat e zbatimit të atij ligji u justifikuan nga ish-ministrja, Etilda Gjonaj, me procesin kompleks dhe përballjen për herë të parë të autoriteteve me këtë praktikë.

Por, sot, kur ka kaluar një vit e 5 muaj nga ajo konferencë, ?41-bis? ka ngelur në vend numëro, ku në regjimin e posaçëm ndodhen vetëm 4 persona.

Sipas Arben Krajës, aplikimi i këtij sistemi ishte i nevojshëm, pasi personazhe të organizatave kriminale vijojnë aktivitetet kriminale edhe brenda qelive.

Këtë deklaratë e përforcon historia e Admir Tafilajt, një personazh mjaft i njohur i botës së krimit, mbi të cilin rëndojnë dy dënime me burg përjetë.

Referuar vendimit të 20 marsit të vitit 2018, të dhënë nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, Admir Tafilaj nga burgu i Peqinit drejtonte një grup kriminal, që përbëhej nga 10 persona, anëtarët e të cilit kryenin vrasje me pagesë dhe vinin gjoba.

Në këtë vendim, të cilin INA MEDIA e disponon, thuhet se Admir Tafilaj me anëtarët e grupit kriminal u njoh në burgun e Bradasheshit, ku u miqësuan dhe u bënë ?vëllezër gjaku?, duke i premtuar njëri-tjetrit mbrojtje, deri në dhënien e jetës, po të ishte nevoja. Sipas gjykatës, i pandehuri Admir Tafilaj ishte ideuesi dhe krijuesi i grupit kriminal bashkë me kunatin e tij, Elson Merdanin dhe Kristi Pinen. Ky i fundit pas arrestimit u bë dëshmitar i drejtësisë dhe zbuloi rolet e të gjithë anëtarëve të tjerë.

 ?Gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se ndërmjet të pandehurve Admir Tafilaj, Kristi Pine, Elson Merdani (por edhe personave të tjerë në varësi të episodeve), ka patur marrëveshje të mëparshme, ku kanë përcaktuar mënyrën se si do të funksiononte kjo marrëveshje dhe rolet që do të kishte secili në realizimin e veprave penale, fillimisht në drejtim të vrasjes për hakmarrje dhe më pas për interes. Kështu, pasi gjendej ?objektivi? nga i pandehuri Admir Tafilaj (nëpërmjet lidhjeve të tij, si brenda burgut, ashtu edhe jashtë tij), i transmetohej më pas të pandehurit Elson Merdani dhe Kristi Pine për realizimin e tij?, – thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, përveç vrasjes së Bahir Manes, që Pine ia ka bërë si nder Tafilajt, për të tjerat ?pazari? ka variuar nga 15 mijë në 50 mijë euro. Hetimet kanë zbardhur katër atentate nga ky grup, dy prej të cilave janë me viktima. Përgjimet telefonike ishin provat e prokurorisë në gjykim. Në një bisedë që mban datën e 31 tetorit 2014, Kristi Pine i tregon Tafilajt në burg për përgatitjet për eliminimin e Leonard Muratajt, vepër e pakryer prej tij.

Ndërkohë, nga informacionet e siguruara nga INA MEDIA i pasqaruar mbetet fakti që edhe sot për këtë personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore nuk ka asnjë kërkesë për izolim në regjimin ?41-bis?.

Hapat e parë për miratimin e ligjit nisën 3 vite më parë, kur më 25 tetor 2018 mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama depozitoi në Kuvend projektligjin me disa ndryshime të përcaktuara për t`u bërë në burgje, për sa i përket mënyrës se si do të trajtohen të dënuarit.

Projektligji, i kopjuar nga sistemi italian i mbarëvajtjes së dënimit, i titulluar si regjimi ?41-bis?, nënkupton vendosjen e themeleve për sigurinë në burgje. Regjimi i posaçëm prek personat e dënuar apo të dyshuar për krijimin e organizatës kriminale, grupit të strukturuar kriminal; trafik droge në kuadër të grupit kriminal; vrasje në rrethana të tjera cilësuese; vrasje të funksionarëve publikë; vrasje të punonjësve të policisë; të gjitha veprave të tjera penale që lidhen me terrorizmin, të parashikuara në Kodin Penal etj. Në fuqi ligji hyri në vitin 2019, ndërsa aplikimi i tij nisi në korrik të vitit 2020.

Ish-ministri, Sandër Lleshaj, deklaroi se, aplikimi i sistemit ?41-bis? synon goditjen e shumanshme të krimit.

 ?Krahas goditjes së financave, aseteve kriminale, edhe masat që po merren në kuadër të ligjit të njohur tashmë si ?41-bis?, synojnë pikërisht këtë goditjen e shumanshme të krimit?, – do të shprehej asokohe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Një ditë përpara hyrjes në fuqi të ligjit, më 29 janar 2019, ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, krah prokurorit të Antimafies italiane, Cafiero De Raho, deklaroi për mediat, se këtij regjimi do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi, që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave.

 ?Ne kemi marrë masa, – tha ajo, – për këtë grup, ku përfshihen 270 subjekte që pritet t`i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm. Ka subjekte që vijojnë veprimtarinë e tyre edhe në burgje?.

Po nga i njëjti aktivitet në krah të ministres Gjonaj, prokurori i Antimafies italiane, Federico Cafiero De Raho, deklaroi se këto masa do të sjellin rezultate konkrete në goditjen e krimit dhe korrupsionit.

Por, referuar të dhënave zyrtare të SPAK-ut dhe Ministrisë së Drejtësisë, izolim është kërkuar për vetëm 9 shtetas, ku vetëm 7 prej tyre u pranuan nga ana e Ministrisë së Drejtësisë gushtin e vitit 2020, ndërsa dy kërkesa të Prokurorisë së Posaçme u rrëzuan. Pas një hulumtimi, mësuam se ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kundërshtoi SPAK-un në dy kërkesa për të vendosur në të njëjtin regjim të burgosurin Arben Grori dhe Redjan Rraja.

Që nga ajo tryezë korriku 2020, as SPAK dhe as Ministria e Drejtësisë nuk patën më asnjë aktivitet. Ne i kërkuam informacion Ministrisë së Drejtësisë, por nga ky institucion nuk na është dhënë asnjë shpjegim.

Juristi Elis Bilali e shpjegon numrin e vogël të kërkesave për izolim të të dënuarve dhe të të paraburgosurve me mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve.

?Aplikimi i sistemit ?41-bis? e ka të domosdoshëm bashkëpunimin ndërinstitucional në identifikimin e këtyre personave, influenca, pushteti, fuqia ekonomike e të cilëve cenon sigurinë kombëtare. Ky bashkëpunim ndërinstitucional ka nevojë për vullnet nga institucionet kompetente. Fatkeqësisht, deri në këto momente ky vullnet ka munguar?, – sqaron ai.

Juristi Elis Bilali

Avokati penalist, Arbër Hoxha, thotë se ky ligj është shndërruar në statistikë. ?Për aq kohë sa ligji ekziston, duhet të aplikohet?, – na thotë ai.

?Mosaplikimi i ligjit dhe shndërrimi i tij në statistikë është tepër i rrezikshëm. Për aq kohë sa ligji ekziston, duhet që të zbatohet dhe kriteret e tij duhet të aplikohen mbi ata të dënuar apo të paraburgosur që plotësojnë elementet formale dhe substanciale të tij?, – tha për zbatimin e ?41-bis? avokati Hoxha

Arbër Çekaj, ?bosi i kokainës?, mban mbi shpinë akuzën e trafikut ndërkombëtar të 613 kilogramëve kokainë ?të postuar?. Transporti u krye përmes një kontenieri me banane nga Ekuadori me destinacion portin e Durrësit. Në seancat gjyqësore të zhvilluara ndaj tij pati kërcënime ndaj prokurorit të SPAK-ut dhe ndaj Gjykatës së Posaçme, por emri i 41-vjeçarit nuk u diskutua asnjëherë për të qenë midis problematikëve që u mbyllën në regjimin e ashpër.

Autoritetet qëndruan indiferente, edhe kur ai planifikoi arratinë me anëtarin e grupit kriminal të ?Babagjyshërve?. Si për të shmangur ?41-bis?, ai u dërgua në mbikëqyrje të veçantë me afat 3-mujor.

Edhe ky vendim i gjykatës, sipas investigimit të INA MEDIA-s, nuk pati asnjë efekt.

Çekaj u denoncua nga oficerë të policisë së burgjeve për kanosje dhe është nën hetim për këtë fakt. Rasti është referuar, kur Çekaj i kërcënoi me jetë oficerët, që nuk e lejuan të kryente një telefonatë.

Së bashku me të, edhe Redjan Rraja, i akuzuari për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, nuk u ndal me kërcënimet ndaj policit në regjimin e brendshëm. Kurse Fatmir Pjetri, i njohur si ?Babagjyshi?, kanosi policët e burgjeve nga salla e gjykatës me fjalinë: ?Atë që më ndaloi për t`u arratisur, do ta ndjek këmba këmbës?.

Asnjëri prej tyre nuk i trembet izolimit në regjimin e posaçëm ?41-bis? e pavarësisht elementeve të rrezikshmërisë, duket se vazhdojnë ?të bëjnë ligjin? në burg.

Por, a po diskutohen apo jo emrat e Çekajt, Redjan Rrajës dhe Fatmir Pjetrit? Jo-zyrtarisht bëhet me dije se burgjet kanë depozituar një sugjerim të tillë, i cili vazhdon të mbahet në SPAK dhe ende nuk i është përcjellë ministrit të Drejtësisë, që është personi përgjegjës që firmos për miratimin ose jo të kërkesave.

Ky sistem është vendosur për herë të parë në Itali në vitin 1992, pas problemeve që kishte vendi me kriminalitetin dhe komunikimin që të burgosurit bënin me njerëz të tjerë, për të vijuar punën me drejtimin e organizatave kriminale. Thelbi i tij është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre iu bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime, ndërkohë që janë në burg.

Ndonëse një ligj i referuar nga ai italian, për Shqipërinë këto masa u panë nga Avokati i Popullit si të rrepta, madje edhe më të rrepta se vetë modeli italian. Një rekomandim i firmosur nga drejtuesja e Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca, i tetorit 2020, theksonte shumë problematika të zbatimit të ?41-bis?.

Regjimi i ashpër, si në burgun e Peqinit, si në burgun Jordan Misja, evidenton problematika të tilla si: mungesa e ndriçimit natyral, lagështira në qeli e deri te mungesa e televizorëve apo radiove, duke i mohuar të drejtën e informimit shtetasve të izoluar në këtë regjim.

Pyetjes së INA MEDIA-s, nëse ka apo jo personazhe të tjerë që po shqyrtohen për t`u izoluar në ?41-bis?, kryeprokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, u përgjigj: ?Lista është sekrete?.

Më tej ai shtoi se SPAK vlerëson të gjitha informacionet nga institucionet e tjera ligjzbatuese.

Pavarësisht numrit të vogël të të dënuarve që janë izoluar në regjimin e posaçëm, por edhe numrit të kërkesave që SPAK është duke shqyrtuar, drejtuesi i këtij institucioni shprehet se objektivat janë arritur.

?Objektivat e SPAK kanë qenë dhe janë që të zbatohet me korrektësi ky proces, me objektivitet dhe i bazuar në ligj. Për sa kohë gjykata ka lënë në fuqi të gjithë urdhrat, mendoj se objektivat janë arritur?, – tha Kraja për INA MEDIA-n.

Më tej ai shton se është i vendosur që për çdo rast që do konfirmohen shkelje në ambientet e vuajtjes së dënimit, do t?i kërkojë ministrit të Drejtësisë vendosjen e të dënuarve në regjim të posaçëm.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve, 5042 shtetas mbahen si të dënuar apo persona të paraburgosur, për të cilët ende drejtësia nuk ka folur me vendim të formës së prerë. Në këto të dhëna të vendosura në dispozicion për INA MEDIA-n, krimet në fushën e drogës dhe të vrasjes janë dy veprat e kryera nga gati 2000 shtetas.

Të dhënat që iu vendosën në dispozicion INA MEDIA-s, tregojnë se për akuzën e vrasjes gjenden në qeli 983 persona, 40% e të cilëve janë për ?Vrasje në rrethana të tjera cilësuese?. Për trafik droge dhe kultivim të narkotikëve numri është më i lartë dhe kryeson krahasuar me çdo lloj krimi tjetër. Zyrtarisht pranohet se 1469 persona janë dënuar në fushën e narkotikëve.

Bëhet me dije se ata konsiderohen si anëtarë grupesh kriminale, pasi rreth 40% e tyre u përfshinë në fushën e narkotrafikut, duke kryer veprime në kuadër të grupit kriminal.

Megjithatë, vepra më e drejtpërdrejtë që duhej të ishte mbajtur nën vëzhgimin e rreptë të burgjeve, të Policisë së Shtetit, janë të akuzuarit dhe të dënuarit për krimin e krijimit të organizatës kriminale, ku numërohen 72 shtetas.

Nga këto të dhëna bëhet e qartë se 35% e të dënuarve dhe të paraburgosurve preken nga regjimi i ashpër.

Gjykatat e zakonshme vazhdojnë me lumë padish për telefonat e ndaluar të personazheve të njohur të botës së nëndheshme. Më datë 16 janar të vitit 2020, Hekuran Hoxhës, njërit prej personave kyç të grupit të Avdylajve, iu gjet një aparat celular në qeli.

?Më 16.01.2020, ora 2315, nga kontrolli i ushtruar nga grupi i sigurisë së IEVP, ?Mine Peza?, në ambientet e regjimit të brendshëm e konkretisht në katin e 3 (tretë), dhoma numër 2 (dy), dhomë në të cilën janë të akomoduar të paraburgosurit, Hekuran Hoxha dhe Klodian Cypi, u kap dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një telefon i markës L8STAR?, – thuhet në vendim.

Gjithashtu në dosje thuhet se përveç familjarëve, Hoxha, i cili sipas gjykatës është person me rrezikshmëri shoqërore, ka komunikuar edhe me numra të tjerë, të paidentifikuar.

Nga të dhënat e siguruara në rrugë jozyrtare nga INA MEDIA, rezulton se për këtë shtetas nuk ka asnjë kërkesë për izolimin e tij në regjimin ?41-bis?.

Faksimile, vendimi i dënimit ndaj Hekuran Hoxhës

Në ambientet e paraburgimit 313 vazhdimisht kryhen aksione blic nga DAP për zbulimin e aparateve celulare, që janë sende të ndaluara. Fshehja brenda frigoriferëve, televizorëve, në rroba, në ushqime janë disa nga metodat e përdorura nga familjarët e tyre që janë zbuluar më pas. Por, kontrolli i orës 2020, më 8 korrik të këtij viti, tregoi se ky mur sigurie dhe këto kontrolle të imta, u thyen sërish.

Forcat operacionale të DPB-së ushtruan kontroll në dhomën nr. 8, kati II, sektori V, ku qëndronte shtetasi Bledar Seferi. Referuar procesverbalit, në dhomën e tij u zbuluan 3 telefona celularë, të fshehur në tualet. Në material thuhet se në qelinë e këtij shtetasi kanë hyrë disa të burgosur që i prek regjimi i posaçëm, ku dyshohet se mund të kenë përdorur telefonat që ai posedonte.

?Nga verifikimet administrative ka rezultuar se në lëvizjet kaotike të të burgosurve në sektor, spikasin disa të burgosur, pjesë e grupeve kriminale, subjekte potenciale të regjimit të posaçëm ?41-bis?, që aksesojnë në mënyrë periodike dhomën e të burgosurit B. Seferi, duke krijuar dyshime të besueshme që janë ata që kanë aksesuar e përdorur sende të ndaluara, celularë?, – citohet në kërkesën e Drejtorisë së Burgjeve

Edhe pse Seferit iu kapën në qeli 3 aparate celulare dhe dyshimeve se dhoma e tij ishte kthyer në ?postën? e burgut, ku anëtarë të grupeve kriminale komunikonin me bashkëpunëtorët e tyre jashtë qelive, ndaj tij nuk pati kërkesë për izolim në regjim të posaçëm.

Faksimile, rrëzimi i kërkesës së Bledar Seferit

Një ndër veprat penale, që kalon automatikisht në ?41-bis?, është edhe futja e telefonave në ambientet e kryerjes së dënimit. Për këtë vepër ka dhjetëra vendime, ku, edhe pse shumë emrave të njohur të botës së nëndheshme iu janë gjetur në qeli celularë, ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë.

I tillë është edhe rasti i Gazmend Brakajt, i njohur si Gaxhai, i dënuar edhe për veprën penale të ?Futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg?. Referuar vendimit të dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli, më datë 12 tetor të vitit 2020, periudhë, kur në fuqi kishte hyrë edhe ligji i regjimit të posaçëm, thuhet se: ?rreth orës 2200 të datës 01.03.2018, është ushtruar kontroll për sende të ndaluara në dhomën nr. 7, sektori 4, kati i dytë, godina B, siguri e lartë, ku qëndron i dënuari Gazmend Brakaj. Gjatë kontrollit nga efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i është gjetur një aparat celular ?Samsung?, GalaxyJ3?.

Faksimile, vendimi për Gaxhain

I dënuari me burg përjetë e ka pranuar se prej një muaji dispononte telefon, me qëllim komunikimin me familjarët. Më tej në vendim thuhet se telefonit nuk mund t`i kryhej akt-ekspertizë për të identifikuar personat, me të cilët Gaxhai ka komunikuar, pasi ai rezulton të jetë i thyer. Sipas informacioneve, ndaj tij nuk ka asnjë kërkesë të SPAK-ut për izolim në regjimin e posaçëm.

Në njëvjetorin e ?41-bis?, SPAK u tërhoq nga kërkesa për të mbajtur brenda 3 prej tyre, teksa iu zgjat mandati i izolimit vetëm katër të burgosurve, Emiljano Shullazit, Endri Qyqjas, Albion Alikos dhe Genci Ballës.

Referuar të dhënave nga IEVP, Jordan MisjaINA MEDIA ka mësuar se për Emiljano Shullazin dhe Endrit Qyqjan izolimi me një vit është zgjatur, pasi ata kanë komunikuar mes tyre. Referuar ligjit, komunikimi mes të burgosurve nuk lejohet e në veçanti, kur ata i përkasin të njëjtit grup kriminal.

Avokati mbrojtës i këtyre shtetasve, Vladimir Meçe, e ka quajtur izolimin e tyre si të kundërligjshëm.

?Ligji parashikon se zgjatja e këtij regjimi vendoset, kur rezulton se ekzistojnë ende kushtet që i burgosuri mban lidhje me jashtë. Ky është kushti, pa të cilin nuk mund të zgjatet qëndrimi në regjimin e posaçëm ?41-bis?! Pra, ose mbajtja në regjim nuk ka funksionuar ose, nëse ka funksionuar, ky kusht thelbësor mungon!?, – u shpreh Meçe.

Avokati Vladimir Meçe

Zgjatja e afatit të regjimit ndaj Genci Ballës u bë, pasi ky subjekt njihet për radikalizmin e tij. Drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme për këtë subjekt iu kanë shkuar informacione, se është një person potencial për rekrutimin e personave dhe predikimin për radikalizëm, gjë të cilën e ka bërë me shumë nga të burgosurit e tjerë, ku kryente dënimin.

Ndërsa Albion Aliko është dënuar me burg përjetë për vrasjen në qershor të vitit 2015 të efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në Lazarat, 5 vite më parë.

 Miliona lekë për izolimin e vetëm 4 të dënuarve

Zyrtarisht, Ministria e Drejtësisë i thotë INA MEDIA-s se për përshtatjen e dhomave të regjimit të posaçëm janë shpenzuar rreth 4.5 milionë lekë. Më konkretisht, në seksionin e regjimit të posaçëm në burgun e Peqinit janë shpenzuar 3.359.700 lekë. Ndërsa në IEVP, Jordan Misja, i njohur si 313, janë investuar rreth 1.000.000 lekë. Ministria e Drejtësisë bën me dije se investimet janë kryer për përforcimin e elementeve të sigurisë, si dhe të sistemit monitorues në këtë regjim.

Për punonjësit e burgjeve, që punojnë në regjimin e posaçëm, ka një shtesë vështirësie prej 15 mijë lekësh në muaj, 5 mijë lekë më shumë se në regjimet e tjera, të zakonshme.

Për avokatin e KSHH, Erdion Maçolli, implementimi i këtij ligji është ende në hapat e tij të parë dhe ky regjim mund të aplikohet për një numër të madh të dënuarish apo të paraburgosurish.

?Nëse do t`i referohemi veprave penale, potenciale, ndaj të cilave ky regjim mund të aplikohet, si dhe numrit të personave të lidhur me vendim gjykate me to, ekziston mundësia që ky regjim të aplikohet ndaj një numri shumë të madh shtetasish. Nuk mund të deklarojmë, nëse ky sistem ka dështuar apo jo, pasi ky ligj është në hapat e tij të parë?, – tha Maçolli.

Ky shkrim është botuar në kuadër të projektit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albanian Center for Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media

Lajmet e fundit nga