web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

I skadon pasaporta, sulmuesi i Vllaznisë në telashe

11 Dhjetor 2020, 09:13, Sport CNA

Rrufe? në qiell të pastër te Vllaznia para ndeshjes kundër Partizanit. Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Ismael Dunga, ka probleme me dokumentacionin dhe sot është i detyruar të udhëtojë urgjentisht drejt vendit të tij, Kenia. ?Panorama Sport? zbulon nga burime të sigurta në klub se pavarësisht ndërhyrjes së drejtuesve për të zgjidhur çështjen në kohë rekord, lojtarit i duhet të zbatojë ligjet e kombit të tij. Si për ironi të fatit, Dungës i skadon këto ditë pasaporta keniane dhe duhet patjetër të aplikojë për një të re. Mirëpo, çuditërisht edhe leja e qëndrimit në vendin tonë i përfundon pas pak javësh dhe nuk ka mundësi ta rinovojë nëse në autoritetet shqiptare nuk dorëzon pasaportën e rinovuar keniane.

Sulmuesi luan prej tri vitesh në Shqipëri, teksa në sezonin e tij të parë ka qenë pjesë e Luftëtarit, më pas e Tiranës dhe tashmë te Vllaznia. Përfaqësuesit juridikë të klubit shkodran, pasi kanë mbledhur të gjithë dokumentacionin e futbollistëve të huaj në ekip, kanë konstatuar edhe problemin me Dungën. Nuk bëhet fjalë për ndonjë çështje që mund të jetë zvarritur nga autoritetet shqiptare, por rregulla të cilat së pari duhen zbatuar nga Dunga në vendin e tij. Pasaporta e lojtarit skadon dhe duhet aplikuar për një të re urgjentisht, mirëpo kjo procedurë e detyron 27-vjeçarin të udhëtojë drejt vendlindjes së tij në Kenia për të aplikuar aty fizikisht.

PROBLEMI ? Klubi i Vllaznisë ka disa javë që ka aplikuar për rinovimin e lejes së qëndrimit në Shqipëri të Dungës. Mirëpo, lojtari duke mos njohur shumë ligjet që ekzistojnë për mjetet e identifikimit dhe skadimin e afatit të tyre, ka menduar se nuk do të kishte probleme. Në këtë situatë, autoritetet shqiptare, pasi kanë shqyrtuar kërkesën e Vllaznisë për rinovimin e lejes së qëndrimit të sulmuesit kenian, i kanë kthyer një përgjigje së fundmi klubit. ?Sipas ligjeve në fuqi të shtetit shqiptar, leja e qëndrimit të futbollistit Ismael Dunga nuk mund të rinovohet me këtë pasaportë, afati i së cilës skadon pas pak ditësh?.

Ishte kjo përgjigjja nga autoritetet vendëse, që shqetësoi jo pak klubin dhe duke parë situatën, u ra dakord që Dunga të largohej menjëherë sot, për të mos humbur kohë, duke qenë se shtrëngojnë afatet për skadimin e pasaportës. Tashmë, pritet që procedura e pajisjes me pasaportë të re të kenianit të zgjasë një javë e më pas Dunga të kthehet në Shqipëri për të vazhduar angazhimin me Vllazninë. Gjasat janë që, përveç ndeshjes me Partizanin, sulmuesi të humbë edhe takimin që Vllaznia do të luajë me Laçin në fundjavën e ardhshme (20 dhjetor).





Lajmet e fundit nga