web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mjeku mesazh të fortë qytetarëve/ Tregon si shmangen pasojat nga Covid për të sëmurët kardiakë

21 Mars 2020, 22:08, Aktualitet CNA

Mjeku kardiolog në spitalin ?Shefqet Ndroqi?, Meriton Siqeca, ka folur për koronavirusin i cili ka infektuar deri më tani 76 raste sipas shifrave të konfirmuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku i kërkon qytetarëve të qëndrojnë të izoluar, pasi kështu ndihmojnë veten dhe stafin mjekësor, ndërsa pretendon se izolimi e redukton me 80 për qind përhapjen e virusit.

Doktori ka treguar në një intervistë për gazetën Dita se sa të rrezikuar janë pacientët që vuajnë nga zemra.

“Nga pikëpamja e zemrës, nuk është parë që virusi të jetë i lidhur me shfaqjen e sëmundjes koronare akute. Megjithatë, nga të dhënat e marra nga qendra të ndryshme spitalore në botë, gjatë kësaj kohe, është lidhur bashkekzistenca e CoVid-19 me miokarditin (inflamacion i muskulit të zemrës). Megjithatë, më duhet të theksoj se janë edhe shumë viruse të tjerë që mund të shkaktojnë miokarditin dhe, në këtë aspekt, edhe ky virus nuk del jashtë të zakonshmes. Ndërsa, sa u përket pacientëve me sëmundje kronike të zemrës (pamjaftueshmëri e zemrës ? insuficiencë kardiake), ky virus është sjellur në mënyrë agresive pikërisht te këta individë që, përveç moshës, kanë edhe sëmundje të tjera kronike, të zemrës, por edhe të sistemeve organore të tjera”, deklaron ai, ndërsa tregon se kujdesi duhet të përqendrohet në masat e përgjithshme, si dhe masat apo këshillat higjieno-dietetike.

Ndërkohë për dyndjen e njerëzve në rrugë e supermarkete, Siqeca thotë se nuk është dakord me daljen në masë.

“Na takon të gjithëve të bëjmë pjesën tonë në këtë pandemi. Rekomandimi numër 1 në nivel botëror është të shmanget kontakti masiv ndërmjet njerëzve, sepse është parë që vetëm një masë e tillë, kaq e thjeshtë, që është në dorë të secilit nga ne, e ul me 80% mundësinë e shpërhapjes së virusit. Kjo nuk është për të ndjellë panik, përkundrazi, kjo është një informatë dhe, mbi të gjitha, i mëshoj fuqishëm, sepse këtë fuqi e kemi të gjithë pa dallim. Do të rekomandoja që, sikurse unë apo edhe të tjerë, të bëjnë furnizime ushqimore dhe farmaceutike më afatgjata dhe në asnjë mënyrë në mënyrë të përditshme. Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë që me sipërmarrje kaq të thjeshta kemi mundësinë t?u zgjasim jetën më të dashurve tonë”, nënvizon ai.

Për infektimin e disa mjekëve në Spitalin ku ai punon, Siqeca thotë se vatër janë bërë pacientët.

“Disa pacientë janë pranuar në spital në bazë të sëmundjes kronike të akutizuar, që u ka shfaqur probleme në një moment të caktuar. Këta pacientë janë shtruar në pavijonin përkatës, për trajtimin e sëmundjes akute apo kronike përkatëse dhe gjatë këtij shtrimi (që mund të shkojë nga disa ditë në pak javë) jo gjithmonë është dyshuar patjetër për COVID-19. Si rrjedhim, personeli në kontakt, familjarët vizitorë, pacientët e tjerë të shtruar në të njëjtën dhomë me të, janë infektuar. Vlen të theksoj që vetëm disa prej tyre”, tha ai më tej, ndërsa jep edhe një mesazh për qytetarët.

“Respektoni rekomandimet e OBSh-së, me daljen nga shtëpia rrisni ndjeshëm gjasat që të infektoni veten dhe familjarët tuaj. Respektoni rregullat e higjienës personale dhe mjedisore. Respektoni të gjitha rekomandimet për mbrojtje (vendoseni maskën kur jeni në kontakt me të tjerët, vishni doreza dhe mbërthejini mbi mëngë, përdorni xhel dezinfektues). Shfrytëzoj këtë hapësirë të përshëndes të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët, stafet e ambulancave, farmacistët, policët, ushtarët, gazetarët dhe të gjithë furnizuesve. Janë momente të vështira të jetoni gjatë gjithë kohës në frikë, por duhet të jemi optimistë. Informohuni sa më saktë, nuk ka vend për panik, vetëm për zgjerim të dijeve. Shpresoj që me sa më pak dëme, por ne do t?ia dalim!”, nënvizon mjeku./ CNA.al





Lajmet e fundit nga