web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vendi në krizë të thellë politike/ Ish ministri leksion Bashës

29 Korrik 2019, 18:25, Politikë CNA

Ish ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka bërë një analizë të gjërë të situatës politike në vend, duke u ndalur në mënyrë të vecantë tek votimet e 30 qershorit.

Sipas Tafaj, sot Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike, e cila mund të ketë efekte afatgjatë për demokracinë shqiptare dhe të ardhmen europiane të vendit.

Ai vë në dukje mungesën e Gjykate Kushtetuese funksionale dhe mos përfaqësimit të popullit opozitar në nivel institucional, ndërsa shkruan se politikanët e spektrit të Djathtë duhet të kuptojnë rrezikun e asgjësimit të së Djathtës si alternativë qeverisëse dhe të ngrihen mbi interesat e ngushtë.

Analiza e plotë

Zhvillimet politike të gjashtë muajve të fundit kanë bërë që qytetarët e thjeshtë të fillojnë të pyesin: mos vallë Shqipëria nuk ka nevojë më për një spektër të djathtë në politikën shqiptare?

E bëjnë këtë pyetje, sepse asnjë shqiptari, pavarësisht nga bindjet politike, nuk i kishte shkuar në mend që, gati 3 dekada pas rrëzimit të sistemit komunist monist, në Shqipëri të zhvillohen votime pa pjesëmarrjen e opozitës, forcat politike të së cilës, në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kishin grumbulluar, në total, rreth 53% të votave!

Këto votime prodhuan një pushtet vendor njëngjyrësh monist. PS qeveris e vetme në të gjithë vendin. Mbi gjysma e popullsisë de facto nuk e ushtron të drejtën kushtetuese të pjesëmarrjes në vetëqeverisjen vendore, sepse nuk përfaqësohet në parlamentet lokale.

Tani po konstituohen këshillat bashkiakë dhe kryetarët e rinj të votuar nga rreth 15% e qytetarëve po fillojnë ushtrimin e mandatit. Vetë Kryeministri e pohoi publikisht që këto nuk ishin zgjedhje sipas parimeve të demokracisë pluraliste dhe garës midis alternativave, por thjesht votim gjoja kundër bojkotit të zgjedhjeve vendore dhe daljes së Opozitës nga legjislativi, përmes dorëzimit të mandateve të deputetëve si përfaqësues të popullit opozitar.

Kjo tregon se Shqipëria gjendet në një krizë të thellë, më së pari, kushtetuese dhe politike, e cila mund të ketë efekte afatgjatë për demokracinë shqiptare dhe të ardhmen europiane të vendit. Është krizë e thellë kushtetuese kryesisht për shkak se më shumë se gjysma e popullsisë realisht nuk e ushtron të drejtën kushtetuese të ndikimit të saj në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe vendor, si dhe institucionet që rrjedhin prej tyre, sepse nuk ka përfaqësues të votuar që të materializojnë vullnetin e popullit opozitar në Parlament dhe në parlamentet vendore. Këtu nuk po përmend edhe mungesën e një Gjykate Kushtetuese funksionale, si institucioni kryesor mbrojtës i respektimit të Kushtetutës në vend.

Kjo do të thotë, që aktualisht vendi është në një quasi-demokraci, sepse opozitë politike ekziston, por ajo nuk e përfaqëson popullin opozitar në institucionet përfaqësuese, mbi bazën e të cilëve ndërtohet e gjithë ngrehina e një shteti demokratik. Dikush mund të thotë që është një gjendje e përkohshme. Të tjerë mund thonë që Reforma në Drejtësi është më e rëndësishme dhe do të rivendosë demokracinë në Shqipëri, edhe pse kjo reformë po rritet në kushtet e një quasi- demokracie, ku të gjitha pushtetet aktualisht janë vetëm në një dorë dhe kur ekuilibrat Check and Balance dhe ndarja e pushteteve de facto thuajse nuk funksionojnë më.

Thashë më sipër që disa thonë që kjo gjendje quasi-demokracie është e përkohshme. Por asnjeri nuk e thotë dot, se sa do të zgjasë dhe kur do të rivendoset sistemi i plotë demokratik, që respekton parimin bazë të pluralizmit. Për më tepër, asnjeri nuk i jep dot përgjigje pyetjes, se cilat do të jenë pasojat e gjithanshme të kësaj krize. P.sh. asnjëri nuk i jep dot përgjigje pyetjes: a do të tolerohet vetëqeverisja vendore moniste për 4 vite?! Thjesht të thuash që institucionet shqiptare dhe Gjykata Kushtetuese në horizont do ta vendosin legjitimitetin e këtyre votimeve, u jep të kuptojnë shqiptarëve të papërfaqësuar që të durojnë 4 vjet privimin kushtetues të pjesëmarrjes në vetëqeverisjen vendore, pra deri në zgjedhjet e ardhshme lokale 2023!

Kjo krizë ka pasoja shumëplanëshe, madje shumë të rënda për vendin. Por, unë po i kthehem pyetjes së shtruar që në titull të shkrimit: a i shërben kjo gjendje dhe kjo krizë e thellë një strategjie për defaktorizimin afatgjatë si alternativë qeverisëse të së Djathtës në Shqipëri?

Pse e shtroj këtë pyetje? Ja disa argumente që i di mirë çdo qytetar.

Përfaqësimi në qeverisjen vendore ka rol gati përcaktues edhe në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në vendin tonë. Teorikisht nuk është kështu, por praktikisht ky ndikim është real.

Këtë ndikim e njeh çdo qytetar, dhe më shumë akoma militantët e partive dhe politikanët që kanë bërë fushata elektorale. Ku qëndron ky ndikim?

Vetë reforma territoriale u bë mbi bazën e kalkulimit matematik të bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, me qëllim që PS të ishte e favorizuar. Kjo u vërtetua në zgjedhjet vendore 2015, ku PS mori 75% të bashkive, ndërsa tani i fitoi në tavolinë të gjitha bashkitë. Dihet që shërbimet kryesore për qytetarët i afrojnë bashkitë, madje funksionet e tyre po shtohen, çka do të thotë se lidhja e qytetarit me pushtetin vendor është shumë më direkte. Madje, janë disa shërbime si ndihma ekonomike etj., që prekin qytetarët më të varfër dhe e orientojnë (për ta relativuar termin ?presion për votën?) shumë lehtë votën. Nga ana tjetër, qytetarët i shohin kryetarët e bashkive si përfaqësuesit e vizionit dhe programit të forcës politike përkatëse, çka do të thotë që, të gjitha sukseset dhe dështimet ia faturojnë më së pari forcës politike që ka fituar bashkinë.

Ndikim tjetër të fortë ka ?ushtria? e të punësuarve në pushtetin vendor, i cili është shumë më i madh se sa ndikimi i administratës qendrore, për shkak se ajo ka lidhje të përditshme dhe direkte me qytetarin. Janë rreth 34 mijë të punësuar në bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre. Kjo do të thotë që përveç votave të familjes, ata po të grumbullojnë edhe 15-20 vota të tjera nga të afërmit apo komshinjtë, me këtë shtrirje të tanishme të pushtetit në të gjitha bashkitë, PS grumbullon lehtësisht 700 -750 mijë vota. Të punësuarit e bashkive e kanë çështje ekzistenciale mbledhjen e votave sepse luajnë me vendin e punës, pra me bukën e gojës të fëmijëve të tyre! Prandaj PS hyn në çdo fushatë tani me një ushtri prej 34 mijë vetash të punësuar, ndërkohë që opozita nuk ka asnjë të punësuar në pushtetin vendor. Kësaj ?ushtrie? të pushtetit vendor i shtohen edhe rreth 80 mijë të punësuar në sektorin publik qendror. Sikur gjysma e të punësuarve të angazhohen në mbledhjen e votave për PS, ?ushtria? e fushatës së PS rritet në rreth 80 mijë veta!

Vetëm argumentet kryesorë që u përmendën më sipër, tregojnë qartë rolin deciziv të pushtetit vendor në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në vendin tonë, edhe pse kjo dukuri nuk haset në demokracitë e konsoliduara. Por ne qajmë hallin tonë dhe jo të Danimarkës apo Finlandës. Pra, tolerimi i këtij pushteti të PS në gjithë bashkitë për 4 vite do të ishte vrasës për të djathtën, sepse do të devijonte dukshëm votat e zgjedhësve në kushte të zgjedhjeve të lira. Nëse do të konsiderojmë edhe mjetet e tjera të detyrimit të votuesve nga ana e pushtetit lokal, të cilat nuk mund të injorohen edhe për shumë vite në vendin tonë, atëherë ndikimi i pushtetit vendor në  rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të pushtetit qendror, potencohet akoma më shumë. Që këtu kuptohet që rezultatet e zgjedhjeve vendore janë prelud i atyre parlamentare.

Përveç faktorit ?pushtet vendor?, kriza e tanishme dhe, në mënyrë të veçantë, keqqeverisja dhe politikat represive të kësaj qeverie, kanë shërbyer si mjedis nxitës për rritjen e pasigurisë dhe mungesën e shpresës, të varfërisë dhe papunësisë etj., faktorë këta që kanë çuar, gjatë 6 viteve të fundit, në rritjen galopante të numrit të qytetarëve që largohen nga Shqipëria. Statistikat thonë që janë larguar rreth 400 mijë qytetarë në vitet e fundit dhe shumica dërmuese e tyre janë me bindje të djathta, pra votues të djathtë, të cilëve, pikërisht për këtë shkak, kjo qeveri, në mënyrë sistematike, u ka kufizuar mundësitë e mbijetesës (largime nga puna, dhuna mbi biznesin e djathtë, heqje e ndihmës ekonomike, zero shanse për t?u punësuar në pushtetin vendor ose qendror etj.), në vendin e tyre dhe janë detyruar të emigrojnë. E thënë ndryshe, kjo qeveri, ndoshta sipas një strategjie, ka përzënë votues të opozitës nga vendi! Madje, tani pas këtyre votimeve moniste dhe në këtë krizë të thellë, rritet ndjeshëm rreziku për rritjen e valës së emigracionit. Dhe kështu po ndodh: po largohen maturantët, studentët për të mos u kthyer, po largohen të rinj të mirëshkolluar dhe të mirëpaguar në sektorin privat të vendit, shumica prej tyre janë votues të së djathtës. Ky është realiteti që e njeh çdo qytetar shqiptar në të katër anët e vendit.

Parashtrimi i faktorëve të mësipërm është realitet me të cilin duhet të përballet opozita për të mundur këtë mazhorancë në kushtet e zgjedhjeve të lira. Përballja e opozitës përfshin vizionin, programin, stafet, alternativën qeverisëse, por, në fund të fundit, beteja vendoset me numrin e votave të fituara. Pra, PS duhet mundur me votë, por sigurisht në zgjedhje të lira. Unë nuk u besoj teorive konspirative të kafeneve se ?do ta largojnë ndërkombëtarët këtë mazhorancë? apo do të largohet vetëm me protesta. Edhe teoria e ?frymës së fitores që do të shpërthejë në gjithë vendin? nuk duket aq shumë në horizont, sepse, politika harron se shqiptarët nuk janë ata me frymën e dhjetorit 1990 apo 1991-1992 që përmbysi diktaturën.

Aktualisht përballë mazhorancës janë vetëm PD me disa aleatë të saj të djathte, dhe LSI si një forcë e Qendrës së majtë. Ky koalicion në të gjitha rastet duhet të ketë parësor polin e djathtë, ndërsa partneriteti me LSI është i domosdoshëm dhe duhet të jetë jo vetëm për numra, por edhe program të integrueshëm me atë të së Djathtës.Anketimet para votimeve të pushtetit vendor rezultonin mjaft pozitive për opozitën, por ato nuk u provuan për shkak të votimit monist.

Çështja shtrohet a mund t?i ketë ky koalicion më shumë vota se sa PS me aleatët e saj? Dhe akoma më thjesht pyetja shtrohet: a mund të jetë poli i djathtë më i fuqishëm edhe në numra krahasuar me PS?

Duke marrë parasysh dy faktorët e shtjelluar më sipër, i gjithë pushteti vendor në duart e PS, me një megaushtri fushate të punësuarish, si dhe largimin masiv, ose dëbimi masiv, sidomos i të djathtëve nga vendi, unë mendoj se opozita dhe veçanërisht PD me aleatët e saj, duhet të bëjë një analizë reale strategjike se si do të përballet me PS, në mënyrë që E Djathta të jetë vërtet një Alternativë qeverisëse edhe në planin numerik! Që këtu rrjedh edhe një pyetje tjetër: a është e mundur një Alternativë qeverisëse e Djathtë në kushtet e një segmentimi kaq të madh të spektrit të së Djathtës dhe së Djathtës së qendrës? Kjo analizë duhet të jetë një analizë racionale dhe jo emocionale. Siç e shoh unë, e Djathta mund të jetë Alternativë qeverisëse vetëm nëse ajo organizohet sipas një strategjie të re bashkimi ose, së paku, bashkëpunimi a partneriteti politik substancial. Ndryshe E Djathta rrezikon të humbasë rolin e saj si alternativë qeverisëse dhe pastaj edhe koalicioni me LSI vështirë se e ndihmon për të fituar zgjedhjet parlamentare  Dhe kjo do të thotë që shqiptarët do të kenë shumë parti të djathta apo të djathta të qendrës, aparatçi në selitë e partive, ndoshta edhe politikanë edhe në Kuvend, sigurisht edhe një alternativë opozitare, por do të humbasin të Djathtën si Alternativë Qeverisëse. Dihet që politika nuk është matematikë numrash, por pa numrat nuk bëhesh dot forcë apo grupin politik qeverisës! Rezultati i zgjedhjeve nuk është një shumë e thjeshtë faktoriale e votuesve të partive të një grupimi, por, më së pari, fryma që krijon një grupim te qytetarët. Nëse qytetarët e djathtë shohin jo një spektër të djathtë të copëtuar dhe në luftë me njëri-tjetrin, por një grupim të djathtë me një program që pasqyron kërkesat dhe parashikon zgjidhje për problemet e tyre, atëherë edhe ata që nuk kanë marrë pjesë më parë në votime apo kanë qenë të lëkundur do të krijojnë më shumë besim, i cili do të prodhojë frymë fitore të së Djathtës. Një E Djathtë e bashkuar do të mobilizonte edhe shtresën Gri me bindje të djathtë, e cila përbën ndoshta pjesën dërmuese të të gjithë shtresësGri, e cila po rritet nga zgjedhje në zgjedhje. Sigurisht pritshmëritë e kësaj shtrese janë të mëdha dhe kërkojnë vizion dhe program realist afatgjatë modernizues për vendin.

Unë mendoj se politikanët e spektrit të Djathtë duhet të kuptojnë rrezikun e asgjësimit të së Djathtës si alternativë qeverisëse dhe të ngrihen mbi interesat e ngushtë, të ngjiten në lartësinë e interesave të të djathtëve të thjeshtë të Shqipërisë, që presin të kenë rolin e tyre në qeverisjen e vendit dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre. Sigurisht, roli dhe përgjegjësia kryesore i takon PD, që duhet të ketë, edhe më tutje, lidershipin e së Djathtës si alternativë qeverisëse.

 





Lajmet e fundit nga