web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kandidati për Kryeprokuror para KPK/ Çfarë u gjet në analizë

19 Korrik 2019, 10:44, Aktualitet CNA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot seancën dëgjimore me kandidatin për Kryeprokuror, Olsian Çela.

Hetimi për prokurorin e Krimeve të Rënda është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.

Nga raporti i Komisionit prokurori rezultoi pa problem, në të tri kriteret. Për pasurinë, KPK i ka kërkuar shpjegime për një hua, vlerën e marrë nga nëna dhe një shumë të përfituar si dëmshpërblim për aksidentin që pasoi me vdekjen e babait.

Ndërkohë, për kriterin e pastërtisë së figurës, Çela rezultoi i pastër dhe në kushte të përshtatshmërisë për vazhdimin e detyrës. Sa i takon aspektit profesional, Komisioni relatoi se prokurori kishte aftësi të mira, ka shfaqur integritet dhe paanësi në punë. Më tej, i është kërkuar shpjegime për një dosje për mos fillim hetimi.

Pasuria

Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka fshehur pasurinë, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK ka kryer një hetim të thelluar në lidhje me pasuritë: njësi 77.8 metra katrorë në Tiranë, blerë në 2015 për 78 mijë e 500 euro. Nga hetimi i KPK, ka rezultuar se deklarimi është i saktë dhe nuk janë ngritur probleme për këtë pasuri. Komisioni i ka kërkuar shpjegime subjektit për shitjen e një apartamenti nënës së tij. KPK, konstatoi se subjekti ka dhënë shpjegime të mjaftueshme për pretendimet e ngritura. Në lidhje me përfitimin e një shume prej 66 mijë euro nga nëna, Komisioni pasi analizoi dokumentacionin nuk konstatoi problematikë për këtë pasuri. Në pronësi të Çelës janë edhe tokë arë në Levan Fier. Burimi i kësaj pasurie nga trashëgimia nga babai. Si dhe nj tjetër tokë arë në Levan, Fier përfituar nga trashëgimia e babait. Nga hetimi për këto pasuri, nuk janë rezultuar problematika. Subjekti ka marrë një hua në shumën 900 mijë lekë nga Xh.A., me shtetësi italiane. Prokurori ka paraqitur dokumente që do të merren parasysh nga Komisioni. Hetim është kryer edhe për një hua në shumën 800 mijë lekë marrë nga R.M., e marrë pa kontratë pa afat dhe interes, raporton Panorama. Huadhënësia ka dorëzuar dokumente për të vërtetuar të ardhurat e saj në Greqi. Pas hetimeve ka rezultuar se kjo shtetase ka pasur burime për t?ia dhënë subjektit këtë shumë. Hua në vlerën 700 mijë lekë nga një shtetas A.A., me banim në Greqi. Nga dokumentet e dorëzuara, ka rezultuar se shtetasi A.A., ka pasur burime për të dhënë këtë shumë, edhe subjekti ka pasur mundësi shlyerje të kësaj shume. Në lidhje me kontratën e qirasë për një makinë që më vonë e ka blerë i vëllai, nuk është konstatuar asnjë problematikë.

Figura

DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se, subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Nuk janë gjetur indicie për lidhje të prokurorit me lidhje me krimin e organizuar apo të ketë kontakte të papërshtatshme.

Profesionalizmi

Në lidhje me aftësitë profesionale, KLP, ka dorëzuar një raport ku evidentohen aftësi të mira të prokurorit. KPK, konstaton se respekton etikën, integritetin dhe paanësinë në punë. Komisioni ka shqyrtuar 3 dosje të përzgjedhura nga vetë subjekti dhe 5 të shortuara. Në katër dosje të shortuara nuk janë gjetur probleme. Në një prej tyre është konstatuar se është marrë vendimi për mosfillim të procedimit penal për një kallëzim. KPK, i kërkoi shpjegime subjektit për mosfillimin e hetimit për këtë rast. Janë bërë 5 denoncime në ngarkim të prokurorit Cela, por pas shqyrtimit ka rezultuar se nuk ka indicie për shkelje të ligjit.





Lajmet e fundit nga