web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

 Reforma "rilindase"/ Krislen Keri shton organikën,"vetëshpallet ministër" (Dokumenti)

10 Maj 2019, 16:34, Aktualitet CNA

Nga gjashtëdhjetë e gjashtë punonjës që ka patur deri në vitin 2017, me organikën e re Autoriteti i Aviacionit Civil, i drejtuar nga Krislen Keri, është rritur në shtatëdhjetë e tre punonjës.

Burime konfidenciale brenda administratës Keri kanë thënë për CNA.al, se është e para herë që numri i punonjësve rritet me shtatë vetë, ndërkohë që numri gjashtëdhjetë e gjashtë i punonjësve ka qenë i pandryshuar prej shumë kohësh nga struktura…

Shtimi i numrit të punonjësve, anashkalimi i asaj çka parashikon Ligji “Për institucionet” dhe ai “Për nënpunësit civil” etj., krijimi i kabinetit të Drejtorit, që është specifik i ministrive dhe emërimi në krye të tij i një jo kompetenteje, janë ato çka ka prodhuar si organikë struktura e re e Autoritetit në fjalë. Strukturë kjo e kopsitur nga drejtori Ekzekutiv Krislen Keri dhe e miratuar çuditërisht edhe nga ish ministri Damian Gjiknuri, nëpërmjet urdhërit nr.2, dt.11.1 2019 bashkëngjitur të cilit është edhe organika e re.

Në pikën tre të këtij urdhëri ish Ministri shprehet që numri i punonjësve të Autoritetit të jetë shtatëdhjetë e tre vetë dhe se ai hyn në fuqi menjëherë. Çka lë të nënkuptuar se me strukturën e re administrative Autoriteti funksionon edhe sot e kësaj dite, kur ka shtatë punonjës më shumë se më parë.

Kjo strukturë është evidente në kuadër të reformës  dhe çudia është se në vend të prodhimit të një administrate më të vogël, më fleksibël e më të aftë ka sjellë fryrje të saj dhe punësime në kundërshtim me ligjin, shpjegon burimi i CNA.al brenda saj.

Kjo është njëra anë e medaljes, pasi të tjera shkelje rezultojnë të jenë prezente.

Lidhur me evidentimin e tyre, në vijim të denoncimit, po i njëjti burim brendazyrtar i administratës Keri, shprehet se:

“Shkeljet qëndrojnë tek kufizimi që parashikon Ligji për institucionet, i cili për punësimin e punonjësve bazohet tek Ligji i Nënpunësit Civil. Për Autoritetin e Aviacionit Civil ky ligj përcakton se punësimet në të bëhen duke kaluar nga Departamenti i Administratës Publike (DAP). Por shkelja më flagrante në këtë mes lidhet me faktin se ky Ligj nuk parashikon kurkund krijimin e kabineteve, pasi drejtorët e autoriteteve dhe institucioneve të varësisë nuk janë në rang ministrash, që të kenë kabinete.

Të mos përmendim pastaj kualifikimet e anëtarëve të kabinetit, ku psh Drejtoresha e tij ka qenë në profesionin “make up artist…”.

Ka ndodhur e gjithë kjo ndërkohë që reformimin e administratës kryeministri Edi Rama e ka artikuluar si prioritet të katër vjeçarit të dytë të qeverisë së tij. Me qëllim shmangien e nepotizmit, rudhjen e numrit të zyrtarëve vegjetues dhe rritjen e efiçencës në shërbime.

“Një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike transparente dhe efektive. Si themel i funksionimit të shtetit, ajo përcakton aftësinë e qeverisë për të ofruar shërbime publike dhe për të kultivuar konkurrencën dhe zhvillimin e vendit”,- ka artikuluar Rama, në nisje të mandatit të dytë qeverisës, duke premtuar si kreshendo:

“…Vendosjen në krye të drejtimit të institucioneve më të rëndësishme të njerëzve të aftë dhe jo atyre me tesera partie.”

Njeri ndër të cilët është dhe Krislen Keri, drejtori që paguhet 240 mijë lekë çdo muaj (pothuajse aq sa Kryeministri), e që pasi braktisi teserën e LSI-së, u konvertua në “rilindas”, dhe vijoi të qëndrojë në krye të detyrës. Por dhe që në kuadër të reformës “rilindase” nuk nguroi t’i japë Autoritetit të Aviacionit Civil, atributet dhe fryrjen e organigramës, si të jetë ministri. Duke u vetëemëruar Ministër /CNA.al





Lajmet e fundit nga