web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kërcënimi i nënkomisarit në syrin e tij/ Balla u përgjigjet akuzave

26 Shtator 2018, 17:41, Aktualitet CNA

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas publikimit në media të kërcënimit të një nënkomisari në praninë e tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka shkruar, se ky është inskenimi i radhës i Partisë Demokratike.

Më tej deputeti socialist ka deklaruar, se do të ngre padi ndaj nënkomisarit dhe disa zyrtarëve të Partisë Demokratike, për kallëzim dhe shpifje të rënda.

Sipas Ballës, denoncimi i këtij personi është publikuar edhe më parë nga ish-Kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale.

Më tej Balla i ka kërkuar policisë së shtetit, të bëjë publike lidhjet kriminale të këtij oficeri.

Kreu i Grupit Parlamentar  i ka bërë thirrje gjithashtu Partisë Demokratike, që të distancohet nga kjo lloj politike.

Postimi i plotë

Deklaratë për media në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS:

Njësoj si në rastin e sipërmarrësve, që kur paguajnë kunatin janë të ndershëm dhe kur ndërtojnë rrugë na qenkan të inkriminuar, edhe opinioni i Komisionit të Venecias kur e kërkon Lulzim Basha në shumë raste të tjera është i drejtë dhe demokratik dhe praktikë e konsoliduar parlamentare, ndërsa kur e kërkon shumica sipas të njëjtës procedurë dhe praktikë parlamentare, na qenka gabim dhe nuk është i nevojshëm.

Kuvendi sot vendosi që propozimi ti shkojë Komisionit të Venecias dhe kjo gjë të bëhet një ditë e më pare, me qëllim që brenda një kohe të shkurtër të kemi dhe opinionin dhe këtu mbyllet i gjithë ky diskutim.

Por sot dua që para jush të denoncoj një përfshirje të turpshme të Partisë Demokratike në serinë e pafundme të shpifjeve e të baltosjes përkundrejtë përfaqësuesve më të lartë të Partisë Socialiste.

S’ka asnjë dyshim që prej shumë kohësh jeni bërë dëshmitarë të kësaj fushate baltosjeje, të cilat në disa raste janë shoqëruar me raste inskenimesh të turpshme që përbëjnë edhe vepër penale, sikurse shpresoj që në ditët në vijim prokuroria të marrë masat për rastin e inskenuar ?Babale1? nga guzhina e prodhimit të baltës brenda godinës së Partisë Demokratike.

Pra brenda godinës së Partisë Demokratike është ngritur një numër inskenimesh të turpshme përkundrejt përfaqësuesve më të lartë të Partisë Socialiste.

Sot dua të bëj publik një rast tjetër që ka për autorë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, ndërsa aktori i rradhës është një person, i cili nëse do kishte qëndruar ende në Policinë e Shtetit, Vettingu në polici do ta flakte jashtë. I kërkoj Policisë së Shtetit që një orë e më parë të bëjë publike lidhjet kriminale të këtij personi.

Vendosa ta bëj unë publike përpara se të dalë Lulzim Basha e të thërrasë konferencën tjetër të jashtëzakonshme, apo Sali Berisha, apo autorët e tjerë të këtij inskenimi sipas modelit ?Babale?.

Prej dy ditësh jam vënë në dijeni të një letre të një ish-oficeri policie, i cili sipas letrës ka braktisur detyrën dhe me shumë mundësi ashtu si Babalja është larguar nga Shqipëria, po me të njëjtin skenar azili ashtu sikurse frymëzuesi i ?babalo partisë?.

Kam në dorë letrën e këtij ish-punonjësi policie, i cili në këtë shkresë sikurse do të dëgjoni edhe në video-inskenimin e rradhës së Partisë Demokratike, bën disa deklarata lidhur me një rast që në fakt nuk është i ri. Një rast që është i vjetër dhe i bërë publik rreth dy muaj më parë në ?Facebook? në rubrikën e tij të shpifjeve të qytetarit digjital, Sali Berishës.

Personi quhet Emiljano Nuhu dhe ri-bën publik rastin e përfshirjes së personit Rexhep Rrahja, i cili rezulton të jetë djali i deputetit të Partisë Socialiste zotit Rrahman Rraja në një konflikt me shtetasen Xhisiela Maloku. Rast për të cilin, siç jemi informuar edhe nga media, ka një hetim nga insitucionet e drejtësisë, prokurori, polici dhe gjykata.

Përshkrimi i rastit sipas tij është i njëjtë më postimin në ?Facebook? të Sali Berishës.

Pra, skenari është po ai që është bërë publik në faqen e ?Facebook-ut? të Sali Berishës dy muaj më parë. Por në deklarimin e ri të Emiljano Nuhu ka shtuar edhe disa shpifje të rënda, më shumë mundësi të instruktuara nga zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike në qendrën e prodhimit të inskenimeve brenda godinës së PD-së, sipas të cilave gjatë momentit të marrjes në pyetje të personit Rexhep Rrahja në komisariatin e policisë paska shkuar edhe deputeti Rrahman Rraja, Kryetari i Bashkisë Krujë Artur Bushi dhe dhjetë persona të tjerë të armatosur, mes të cilëve paskam qenë edhe unë.

Dhe më poshtë vijon të tregojë idiotësi të tjera të denja për filma, madje ka bërë dhe shpifje të njëjta me ato që Lulzim Basha dhe Sali Berisha bëjnë çdo ditë me lloj- lloj emra bandash.

Deklaroj se ndaj këtij personi, por edhe ndaj personave ende të paidentifikuar zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike do të depozitoj një kallëzim penal për kallzim të rremë, për shpifje të rënda.

Nuk kam qenë ndonjëherë në Komisariatin e Policisë Krujë! Kurrë! As nuk kam qenë gjatë muajit korrik ndonjëherë në Krujë. Dhe janë vërtetuar tashmë nga verifikimet e bëra se në datat dhe oraret e deklaruara, kam qenë në aktivitete publike në qytete të tjera të Shqipërisë, në orën e pretenduar dhe në datën e pretenduar.

Merreni, do ua vë në dispozicion, lexojeni deklarimin e këtij personi, do të shikoni madje edhe një video të publikuar nga një gazetar që ka punuar për kunatin e Sali Berishës. Ku do të dëgjoni të njëjtat shpifje sikurse do ua vë edhe unë në dispozicion. Kjo është provë shumë e qartë e zhytjes së Partisë Demokratike në veprime të njëpasnjëshme inskenimesh të turpshme.

Janë të paaftë të përballen politikisht dhe është turp që të degradojnë në rekrutimin e personave me precedentë, me lidhje kriminale për t’i përdorur në baltën e radhës kundër drejtuesve më të lartë të Partisë Socialiste.

Unë i bëj thirrje Partisë Demokratike të distancohet menjëherë nga ky person. Sikurse i bëj thirrje Policisë së Shetit dhe Prokurorisë ta sqarojë këtë një herë e më parë.

Siç ju thashë më sipër personi ndërkohë duhet të ketë marrë rrugën në të njëjtin drejtim me ?Babalen?.

Për mua është shumë e rëndësishme që drejtësia në këtë vend të ndëshkojë maksimalisht jo vetëm personin e përfshirë në këtë shpifje të ulët, por ndërshkimi maksimal duhet të jetë ndaj atyre që duan të bëjnë politikë me inskenime kaq të turpshme.

Pyetja që secili prej jush mund të shtrojë është se përse unë e bëra publike këtë?

Sepse nuk dua ti jap kurrsesi mundësinë Lulzim Bashës që shpifjen, inskenimin e gatuar prej tij ta përdorë si pjesë të sulmit të rradhës politik.

Prandaj unë edhe një herë i bëj thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga kjo lloj politike dhe nga këta ?Babale? të turpshëm, të cilët sikurse unë kam besim që në ditët e ardhshme do të çmontohet ?Babale 1?, po kështu do të çmontohen të gjitha ?babalet? e tjera të Partisë Demokratike. /CNA.al





Lajmet e fundit nga