web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

TËRBIMI I TAOS

13 Shtator 2018, 09:54, Aktualitet CNA

Tao u ngjit me ngut tek studjoja e zoografisjes.

Pik-tori at’botë dukej shumë i zënë. Priti. Pritje torturë kjo me celularin “smart” në dorë të fiksuar tek fb. i shefit. Po hape në ta mban. Ta nxjerr noçken me gjithë gojë mbas qafe.

Jane tri mundësi që ky bëhet i tmerrshëm, i kishte thënë kumbaresha e kulturës; dy mundësi të parashikueshme dhe një e paparashikueshme; E para kur është në sahatin e vizatimit, e dyta po i fole përsipër. Kurse e paparashikueshmja nuk po i kujtohej.

Heshtja bëhej e llahtarshme kur Tao mendonte urgjencën që kishte shkaktuar tërbimin e tij për të cilën kishte ardhur, ndersa aty s’pipëtinte asgjë, përveç frymëmarrjes së rëndë të piktorit i thithur i gjithi nga puna në telajo. Gjasat ishin  për një humor jo të keq.

Mbi telajon që shihte nga Tao, ishte kryqëzuar me gozhdë, një format i një shkrese së cilës mezidukej koka e saj; “REPUBLIKA E SHQIPËRISË, pastaj KUSHTETU…pjesa tjetër nuk lexohej, sepse mbi të kishte hipur një zvarranik në trajtë zhapiu. Dhe po ta shtrembëroje lukthin pak anash, për të kërkuar ndonjë nen a kënd shikimi më të volitshëm, zhapiu fryhej si djall mu aty në duart e shkathëta të mjeshtrit. Dukej qartë që shtaza aty ishte vendosur për ti ngrënë mëlçinë asaj që quhej kushtetutë. Punë modernistësh, arsyetoi me vete Tao, ndersa nuk po i kujtohej dot si e kishte emrin ai i mitit grek Ptolemeu apo Prometeu. Sa për kryqëzimin e atij muhametit të kaurrëve, i kujtohej.

Mbi tavolinën në krah të telajos, dergjeshin fletë të tjera të ngjashme. Ato kishin dhenë shpirt, ishin hequr nga kryqëzimi dhe secila prej tyre kishte insektin e vet me permasa përbindëshi përsipër; larva me turinj rinoceronti, rriqna me barqe transparente, tartabiqe me atlete, brumbuj kafkian me mbathje të kuqe gejsh, çimka me perizoma, akrepë me syze, merimanga me paruke, flutura në trajtë lakuriqësh, miza me çitjane, karkalecë me jelek.

Gjithë ajo faune parazite, mbasi kishin thithur limfen e fjaleve dhe kumteve shkresore, prisnin si të balasamosura afishimin e radhës. Ndoshta kur të vinte baba Erdogani, Aleksi i sorrës, sepse halla Merkel, mesa i kujtohej Taos, kishte përsëritur disa herë fjalën “nein…, nein…!”

Taos menjëherë si në dejavu, i mbërriti në kapoçe dita e Enverit. Lufta heroike që bëhej atëhere nga nxënësit për arrestimin dhe djegien e armiqve të pronës socialiste. Bëhej fjalë për morrin e patates. Morrat e rritur dorëzoheshin pa ndonjë rezistencë, kur e shihnin veten të rrethuar. Këta zbrisnin nga gjethja me një të shtyrë, drejt e në kaushin e letres. Por larvat ishin djalli vetë. Jo vetem qe hanin me babezi klorofilin e gjetheve socialiste, por kur kërkoje ti arrestoje në kaushin e letrës ato nuk shqiteshin derisa të squlleshin në dorë, duke leshuar një erë eskrementesh zeher.

Larvat edhe brenda kaushit, ishin zevzeke te tmerrshme, gjenin vrima të dilnin, ndaj duhej vrapuar shpejt tek zjarri për të bërë ekzekutimin e tyre, bashke me flamujt amerikanë. Kishte raste që ndonjë pionier i Enverit në mos e çonin në urgjencë per shock alergjik, shkonte në shtëpi me buzë të enjtura e sy të skuqur.

Taos se pse iu dha të kruhej. Dhe kroma e zuri mes dy shpatullave sa mezi e mbërriti me gishtin e mesit, gjë që nuk ishte shenjë e mirë.

Kjo lëvizje piktorin e bëri ta kthente kryet. Më në fund, tha me vete Tao, dhe nervozizmi filloi ti ngjitej si thnegla drejt qafës. Më pikasi. Konkordanca i solli ndermend Pikason e famshëm dhe nxitoi ta komplimentonte:

-Je Pikaso  shef.

-Këtu je ti mo?

-Këtu shoku Piçk’tor.

-P… e sat’ëme!

Taos i shkoi mjekra majtas, kurse balli anoi në të kundert. -Nuk e thashë me të sharë shef. Anglisht, e thashë. Ay mësuesi Ahmet’ i financave na e ka mësuar.

Piktori qeshi hundërisht. Kjo për Taon do të thoshte se diçka të mençur e kishte thënë, ndaj ishte rasti ta nxirrte arrën nga goja. Megjithatë pik’tori si përherë një hap përpara të gjithëve, kot s’është lider ky, foli i pari; – me Lul e ke, apo?

-Me Lul, me Lul, shoku P…, për pak e tha prap atë fjalën e mësues Ahmetit, sa iu mpi buza sikur të kishte futur në gojë ndonjë thanë të papjekur Librazhdi. -Ka nxjerrë veting për politikanët ky mo…!

Ndërkohë Pik’tori sikur ta kish pickuar dinozauri, u zbyth rrëmbyeshëm mbi karrigen rrotoshe mbi treqind mijë euroshe në drejtim të njerit prej sirtarëve të skrivanisë së majtë. Tepeleku i Taos sas’ plasi si tenxhere me presion nga vlimi i tmerrit. Po jo fati e deshi që nuk e kishte me të. Orari i “vizës”. Shefi po merrte vizë.

Ndersa vrima e hundës si guvë piratesh përpinte “vizë” kolumbiane, i erdhi ndërmend ajo që kishte harruar një nga rrëzikshmëritë… e kumbareshës. Duheshin pritur teshtimat. 1,2,3,4… Kishte mbetur dhe e pesta. Duhej teshtima e peste. Pa të, rrëzikshmëria e shefit mbetej potenciale. “Nuk duhej guxuar pa te pesten,” i kishte thënë ajo.

-Endrju ka shënuar gjë atje te fb?- pyeti me rrokje pik’tori ndërsa teshtima e pestë po ia nxirrte kokordhokët vendit

-Po shef, ka shënuar se jemi dakord me Lulin që tu bëhet veting politikanëve. Kjo më ka sjellë këtu tek ky ferr, deshi të thoshte, po kujt ia mban.- madje Endrju ka vendosur dhe një surrat nga ata që përdorni ju, për momente inagurimesh dhe bukurmëngjesesh.

-Ça ka me u tremb këtu, shoku Tao.

-Na pi e zeza, shef të gjithëve përjashtuar Juve. Na çon për rotamim të gjithëve bashkë me Rrok-Rosh-Nokët. Ka pasoja të rënda shef për ne socialistët, madje dhe për gjithë socializmin botëror.

-Nuk ta kam ngenë…tani… Në mes u fut një teshtimë shkundulluese, bërtitëse, fishkëllyese, tripla. Shefi me pëllëmbët e lagura në vend të faculetës e vazhdoi ligjërimin gjithë elegancë. -Tao ik, lëre ketë muhabet, mos e vrit mendjen pai zotin.

-Shef po…

Piktorit kishte filluar t’i ndriste balli mbas teshtimës kumbariste.

-Dëgjo …re’, Luli e ka me politikanët, mjafton që ti te dalesh në konferencë për shtyp e tu deklarosh rrogëtarëve tanë të cilët i paguajmë mirë fort, se Tao nuk është politikan, dhe s’ka veting të të zërë. Fute dhe Lulin aty. Këtë diversion e hanë të gjithë. Ok?

Midisja nga ironia tek sarkazma e shefit, ia mblodhi si me sustë supet Taos. Po nuk do të tundej pa e thënë atë për të cilën kishte sakrifikuar nderin sikur brirët ti dalin, tha me vete: – Dëgjo shef, Endrju është i çmendur, ose sabotator. Do na dalë njëlloj si me “drunë e shtrembër” e dini shef, sa na kushtoi kjo proçkë tek Meri për ta mbyllur? Ai mbetet peshqesh i Saliut, edhe sikur një dhëmb t’i mbetet në gojë. Partisë po i kushton pika gjaku për ta mbajtur në anën tonë. Dhe nuk është se jemi mirë me financat.

Më në fund e kishte thënë atë për çfarë kishte ardhur. U mbush me frymë. Hodhi sytë për të fundit herë nga insekti-dinozaur që trashej me mëlçinë e kushtetutës së kryqëzuar aty në telajon e pik’torit dhe iku tëposhtë shkallëve me rrapëllimë, ku e priste njëra prej Tayotave.

Nga Zef Zefi





Lajmet e fundit nga