web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Ylli Popa si provë e ndikimit rus në Shqipëri në kohën tonë

18 Gusht 2017, 17:44, Aktualitet CNA

Nëse doni një provë të ndikimit rus antiperëndimor në Shqipëri, në kohën e sotme, nëpërmjet asaj që në fjalorin e inteligjencës (në kuptimin e veprimtarisë së shërbimeve të fshehta) quhet agjenturë ndikimi, u jap një që ka të bëjë me profesor Ylli Popën, i cili vdiq dje. Ylli Popa, në cilësinë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1997-2008) ka qenë kryetari i Këshillit Botues dhe i Redaksisë së Përgjithshme të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar në tre vëllime, i përgatitur gjatë kohës që Popa drejtonte Akademinë dhe i botuar në 2008.

Mjafton të shikosh vetëm një fragment në këtë fjalor, për të kuptuar ndikimin rus në të. Në vëllimin e dytë, në zërin ?Lufta e Ftohtë? thuhet: ?Si datë e fillimit të Luftës së Ftohtë, megjithë mendimet e ndryshme, konsiderohet marsi i vitit 1946, kur kryeministri britanik U. Çërçill në Fullton (SHBA), deklaroi se ?një perde e hekurt kishte rënë midis Perëndimit dhe BRSS(Bashkimi Sovjetik)?. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, Tirane 2008, Vëllimi 2, f. 1546-1547)

Këtu jepet si e vërtetë e mirëqenë versioni sovjetik për fillimin e Luftës së Ftohtë. Në të vërtetë, Lufta e Ftohtë nuk nisi me fjalimin e Churchill në Fulton (në atë kohë Churchill nuk ishte më kryeministër prej tetë muajsh). Churchill në fjalimin e tij veç sa e konstatoi vendosjen e ?perdes së hekurt?, do të thotë izolimin e imponuar nga Moska të Europës Lindore, që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u vendos nën pushtimin sovjetik. Në një mënyrë tipike për propagandën komuniste ruse, faji për nisjen e Luftës së Ftohtë, iu vu retorikës perëndimore, në këtë rast të Churchillit i cili në atë kohë as që kishte të drejtë vendim-marrjeje, dhe ishte vetëm kryetar i opozitës në vendin e tij.

Kjo teori zyrtare sovjetike për fillimin e Luftës së Ftohtë ishte teoria zyrtare edhe në Shqipërinë komuniste. Por është një skandal, madje krim që ajo të jetë teoria zyrtare në Shqipërinë e sotme (Akademia e Shkencave postulon mendimin zyrtar të shtetit, historiografinë zyrtare për çështje themelore). Është krim përveçse skandal sepse Akademia e Shkencave mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe me to është paguar dhe botimi luksoz i këtij Fjalori Enciklopedik.

Ylli Popa, sigurisht që kishte lexuar pjesët më të rëndësishme të Fjalorit Enciklopedik. Ai e mbante veten për njeri me interesa të gjëra, njohës të historisë, njeri që ka lexuar shumë libra për historinë, politikën, kujtime të politikanëve dhe burrave të shtetit të njohur të botës. Kështu është vetëparaqitur në intervistat televizive që ka dhënë, sidomos te emisioni i Blendi Fevziut. Ylli Popa e ka miratuar përfshirjen në fjalor të kësaj teorie dhe të të tjerave si kjo, sepse ai ka vepruar si agjent ndikimi i Rusisë në Shqipëri. Agjentët e ndikimit (influencës), janë ata që rekrutohen dhe dërgohen në vendin e tyre pa ndonjë detyrë të posaçme por që të ndikojnë si të mundin në vendin e tyre në dobi të vendit që i ka rekrutuar.

Ylli Popa ka studiuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1958-1961, për kardiologji (specializim pasdiplomik), pasi kishte studiuar në Rumani për farmacist. Ylli Popa nuk e ka fshehur interesimin e vet për spiunazhin, dhe në një intervistë në emisionin e Fevziut, ka thënë diçka të cilën Fevziu e ka përfshirë në librin e vet për Enver Hoxhën. Ngjarja i përket kohës kur Ylli Popa ishte anëtar i ekipit mjekësor që kujdesej për shëndetin e Enver Hoxhës dhe që ishte stacionuar në shtëpinë e këtij të fundit, në bibliotekë. Enver Hoxha duke dyshuar që Ylli Popa ishte agjent rus, i ngriti një kurth në bibliotekën e tij, duke e joshur me një libër, që Popës nuk mund të mos i tërhiqte vëmëndjen më së pari nëse ishte agjent. Popa e tregon kështu historinë:

?Një natë isha vetëm tek aparati, duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër, qenë kujtimet e Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik. U bëra kurioz edhe e mora librin e fillova të lexoja disa gjëra nga ajo, kur duke kaluar fletët, shikoj nga mesi i librit një faqe të nënvizuar. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: thirra në zyrë profesor Llukomskin e i thashë që unë të kam thirrur këtu për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu nuk do t? ia tregosh njeriu. Por që nga ajo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u vesh me djersë, e natyrshme kjo. I thotë: a di ti ndonjë ilaç që mund të shkaktojë ngritjen e menjëhershme të tensionit të gjakut? Stalini vuante nga hipertensioni. Por, i thotë, nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin, nëse ekziston. Por, kur doli ky, i tha që të kesh kujdes se do të jësh i survejuar. Ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm që ta çonte ilaçin. Në atë kohë Stalini, bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte mbas Luftës së Dytë Botërore, mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së Luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat, etj., etj. Një natë, thotë Berja, unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë ishte pak e prekur. Na kërkoi falje se shkoi në banjë, më duket. Unë pashë majtas, djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxorra nga xhepi ampulën, e theva dhe e hodha në gotë. Vjen Stalini, ulet, edhe e ngre gotën dhe thotë: Hajde të pimë. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas: Mos më ke hedhur gjë këtu brenda? Ky u tmerrua por e mbajti veten edhe i tha: Jo, shoku Stalin, si ta bëj këtë. Pastaj Stalini i tha që bëra shaka edhe e piu gotën. Kur shkoi të nesërmen në mëngjes shërbyesja për t? i dhënë ilaçet, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit, kishte rënë dhe ishte në gjendje kome.? (Blendi Fevziu, ?Enver Hoxha?,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284)

Ndonjë gabim në tekst i përket origjinalit të Fevziut. Nga sa citova më sipër, dhe nga ato që thotë më tutje Fevziu, kuptohet se Ylli Popa, dhe vetë Fevziu, e kanë marrë si të mirëqenë që bëhet fjalë për kujtimet e Berias, emrin e të cilit Fevziu e shkruan gabim, ?Berja?. Në të vërtetë Beria nuk ka shkruar kujtime. Libri që ka gjetur Ylli Popa në bibliotekën e shtëpisë së Enver Hoxhës është një nga ata librat me kujtime të falsifikuara të njerëzve të njohur, të shkruar nga autorë sharlatanë, dhe që nuk i konsideron asnjë studiues serioz. Nëse Fevziu dhe Popa do ta njihnin sadopak figurën e Berias, ata do ta kishin të qartë këtë gjë. Nëse Beria do të kishte shkruar sa më sipër për vdekjen e Stalinit, këtë gjë do ta kishte bërë midis 2-3 marsit 1953, kur Stalini pësoi goditjen e rëndë që i shkaktoi vdekjen pak më pas, dhe 26 qershorit 1953, kur Beria u arrestua dhe nuk u shfaq më publikisht. Në këtë periudhë Beria nuk mund të shkruante kujtimet e mësipërme, se ai assesi nuk donte që të pohonte eliminimin e Stalinit nëse e kishte kryer vërtet këtë gjë. Asnjë studiues sadopak serioz në botë që shkruan për vdekjen e Stalinit, nuk konsideron ndonjë libër me kujtimet e Berias, kaq gjë duhet ta dinte Fevzi sharlatani.

Që libri me kujtime që i atribuohet Berias është një falsifikim sharlatanor, kjo kuptohet dhe nga fakti se atje ka gabime dhe pasaktësi që nuk mund t? i bënte kurrsesi Beria. Kështu, në paragrafin e mësipërm thuhet se në tryezën e darkës, në shtëpinë e Stalinit, në mars 1953, Molotovi ishte ulur në krahun e majtë të Stalinit. Kjo tregon se autori sharlatan i librit kinse me kujtimet e Berias, nuk kishte as njohuritë më minimale për ndryshimet që kishin ndodhur në rrethin e afërm të Stalinit, në atë kohë. Në mars 1953, Molotovi nuk ishte më pjesë e rrethit të ngushtë të Stalinit, që prej rreth katër vjetësh, qëkurse Stalini urdhëroi arrestimin e gruas së Molotovit. Që prej vitit 1949 Molotovi humbi postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Molotovi nuk u zgjodh në Byronë e Presidiumit të Komitetit Qendror. Tashmë ai nuk ftohej më në darkat që jepeshin në shtëpinë e Stalinit. Në mars 1953, Molotovi nuk priste më një ftesë për darkë në shtëpinë e Stalinit, por që të vinin e ta arrestonin në shtëpi./CityNews





Lajmet e fundit nga