web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dënimet qesharake stimulojnë korrupsionin

15 Shkurt 2017, 08:21, Aktualitet CNA

STATISTIKAT DËSHPËRUESE TË KGJK-SË

Politika ndëshkimore te këto raste është e ulët, ndërsa me këto dënime nuk mund të arrihet në masë të duhur qëllimi i dënimit, sipas nenit 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, si dhe të ngritë moralin dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit

Gjykatat, të pafuqishme të jenë më të rrepta me të korruptuarit

Dënimet e pakta të shqiptuara për korrupsion gjatë vitit të kaluar assesi nuk mund ta arsyetojnë qëllimin e tyre në luftën ndaj këtij fenomeni mjaft shqetësues që e ka kapluar Kosovën. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit dhe analistët e fushës së drejtësisë, të cilët kanë thënë po ashtu se shifrat ndaj këtyre rasteve tregojnë pafuqinë e gjykatave tona për shqiptimin e dënimeve meritore ndaj personave të përfshirë në vepra korruptive dhe kriminale. Ndaj, është shtuar edhe dilema se si është e mundur që aktakuzat për lëndët e korrupsionit të përfundojnë, veç disa dënimeve me burg të tjerat me aktgjykime me gjobë apo dënime me kusht, derisa është ngritur edhe pyetja se si mund të trajtohet e të luftohet korrupsioni me të tilla dënime krejtësisht të buta dhe thuaja ‘qesharake’? Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot” të gjitha statistikat për lëndët e korrupsionit gjatë vitit të kaluar. Ai ka treguar se në fillim të vitit 2016 kanë qenë 407 lëndë të natyrës korruptive, ku të përfshirë ishin 956 persona, derisa, sipas tij, më pas janë pranuar edhe 232 lëndë me 502 persona të akuzuar. ” Gjithsej në vitin 2016 kanë qenë 639 lëndë me gjithsej 1458 persona të akuzuar. Deri më tani janë përfunduar 47 lëndë, ku janë dënuar me burg 60 persona, ndërsa 33 lëndë janë përfunduar me dënim me gjobë, ku janë përfshirë 41 persona, po ashtu 52 dënime me kusht, ku janë përfshirë 67 persona. Pastaj 70 lëndë me aktgjykim lirues, ku janë përfshirë 146 persona. 31 lëndë me aktgjykim refuzues, ku janë përfshirë 70 persona, 3 dënime të tjera dhe 3 persona. 48 lëndë janë zgjidhur në mënyrë tjetër, ku janë 207 persona. Gjithsej, lëndë të zgjidhura janë 284 me 594 persona, ndërsa lëndë të pazgjidhura për momentin janë 355 me 864 persona të akuzuar për keqpërdorim detyre, korrupsion, etj. “, ka theksuar kreu i KGJK-së, Nehat Idrizi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Politika e dobët ndëshkimore

Ndërkaq, lidhur me këtë, avokati Nikë Shala shprehet se statistikat, të cilat i ka paraqitur kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, lidhur me lëndët e korrupsionit paraqesin një gjendje të atillë se gjatë vitit 2016 shumë lëndë janë paraqitur me natyrë korruptive, por Shala ka konsideruar se politika ndëshkimore te këto raste është e ulët, derisa, sipas tij, me këto dënime nuk mund të arrihet në masë të duhur qëllimi i dënimit sipas nenit 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse, siç tha, qëllimi i dënimit është që të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, si dhe të ngritë moralin dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit. ” Pra, llojet e dënimeve te rastet korruptive, qoftë dënimet me kusht apo dënimet me gjobë, edhe pse këto dënime parashihen me Kodin Penal, në disa raste konsideroj se nuk mund të ndikojnë në masë të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin në vend, por i mbetet gjykatës që për secilin rast në bazë të provave materiale kur cakton dënimin për vepër penale me natyre korruptive ta ketë parasysh qëllimin e dënimit, rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese, dhe të shqiptojnë dënime adekuate- meritore që është në proporcion me peshën e veprës penale, sjelljen dhe rrethanat e kryesit, posaçërisht intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” avokati Nikë Shala.

“Peshqit e mëdhenj” po shpë- tojnë

Analisti Naim Kelmendi ka thënë se mosefikasiteti i drejtësisë kosovare në luftën kundër korrupsionit, pa lënë anash, siç tha, edhe veprat e rënda të natyrës penale, si dhe luftën kundër krimit të organizuar, është tregues se gjendja e kësaj drejtësie nuk është aspak e mirë dhe assesi në funksionin e vërtetë të saj. ” Derisa kjo drejtësi mjaftohet me lëndët e veprave të korrupsionit duke i gjykuar ato, përjashtimisht disa rasteve të tjerat me gjobë apo dënime me kusht, kjo tregon mendësinë dhe qasjen që kanë gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe fakti se gjatë vitit 2016, nga volumi i 639 lëndëve, e që prej atyre 33 lëndëve janë dënuar me gjobë, ndërsa 52 dënime me kusht, kjo qasje është më shumë se inerte ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi. Analisti tjetër, Florim Zeqa thotë se bazuar në numrin enorm të lëndëve korruptive dhe numrit të personave të përfshirë në afera korruptive, dënimet janë aq të vogla dhe të papërfillshme, saqë, siç tha, nuk ia vlen as të flitet fare për to. Kjo ngase, sipas tij, në mesin e lëndëve korruptive mungojnë ato të nivelit të lartë, të nivelit qeveritar apo të ashtuquajturve “peshqve të mëdhenj”, politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë e partiakë. ” Pra, shifrat e sipërpërmendura tregojnë pafuqinë e gjykatave tona për shqiptimin e dënimeve meritore ndaj personave të përfshirë në vepra korruptive dhe kriminale. Por, si zakonisht, lëndët e korrupsionit përfundojnë me aktgjykime me gjoba të lehta, në vend të dënimeve me burgime të gjata, përderisa numër i madh i lëndëve korruptive përfundojnë me dënime qesharake, të trajtuara si “dënime” me kusht apo me gjobë, që i bie shpërblim direkt nga gjykatat për veprimet kriminale të korrupsionit endemik në Kosovë”, tha Zeqa./Kosova Sot





Lajmet e fundit nga