web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjashtë ditët pa Hashtag-un, ose një rrëfim për paranojën, pjatën dhe fytyrën

20 Tetor 2016, 13:50, Aktualitet CNA

Nga Habjon Hasani – Që prej mbrëmjes së 14 tetorit 2016, e deri pak orë më parë, HashtagAlbania nuk funksiononte. Faqen na e bllokuan atje në Teksas, ku jemi regjistruar.

Nëpërmjet këtij shkrimi do përpiqem të shpjegoj atë çfarë ka ndodhur, me aq sa unë di, me aq sa unë jam informuar dhe me aq sa kam kuptuar.

HashtagAlbania ishte e regjistruar në kompaninë HostGator në SHBA, por kjo kompani ndërpreu shërbimin pas një ndërhyrje të fortë nga Tirana, ku një grup interesi pretendonte se faqja HashtagAlbania kishte shpifur dhe kishte përdorur pa autorizim foto të botuesit Carlo Bollino.

Disa dhjetëra e-maile/fax dhe kërkesa janë nisur nga zoti Bollino drejt kësaj kompanie, por ka të dhëna që sugjerojnë se zoti Bollino është thjesht një instrument në këtë histori, një artificë, në shërbim të dikujt tjetër.

Sipas informacionit që unë kam mundur të marr, përpjekja për bllokimin e Hashtag-ut ka nisur në fillim të shtatorit.

Ndërsa motivi lidhet me një serial të fortë shkrimesh të publikuara prej nesh në muajin gusht, ku drejtuam prozhektorët tek pushimi arbitrar nga puna i gazetares Alida Tota dhe tek motivet apo të vërtetën e asaj që po ndodhte në landfillin e Sharrës.

Ka të dhëna që sugjerojnë se dhe ankesa juridike që ka nisur zoti Bollino në SHBA mund të jetë konceptuar dhe hartuar në zyrën juridike të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Por ndërhyrja duket se ka qenë e përforcuar dhe me zyra juridike në SHBA, të cilat kanë mbështetur ankesën formale të Bollinos.

Ka qenë një nismë e qartë dhe e sinkronizuar për të bërë të mundur bllokimin e faqes tonë.

Por njëherësh sulmi është koordinuar me goditje apo përbaltje edhe të gazetarëve të tjerë që kanë qenë aktivë javët e fundit me dhënien e informacioneve mbi landfillin e Sharrës.

Për mua ishte befasi ndërprerja drastike e shërbimit nga kompania amerikane dhe këtu më duhet t?u njoh meritën orkestruesve të Tiranës.

Po zotërinj, ja arritët qëllimit, provizorisht.

Unë ende nuk disponoj fakte të pakundërshtueshme që implikojnë zotin Erion Veliaj si porositësin e kësaj fushate sulmesh, por kam të dhëna dhe informacione të besueshme se është pikërisht ai porositësi. Të gjithë të tjerët janë thjesht instrumente në këtë histori.

Nuk mund të mohoj se më ka bërë përshtypje ambicia e fortë e zotit Veliaj, i cili është i pari pushtetar që ka ndërmarrë një luftë frontale ndaj burimeve të informacionit në internet.

Edhe pse kam dyshime të forta se zoti Veliaj po lufton me mullinjtë e erës, ambicien dhe egon e tij nuk mund ta neglizhoj apo ta zhvlerësoj.

Gjatë këtyre ditëve pata rastin të lexoj qartësisht dhe paranojën e instrumenteve të zotit Veliaj, aq sa janë bërë shkak për të më ngatërruar pa lidhje mua apo dhe të tjerë individë me faqen ?Lolita?.

Kam ndërmend të shkruaj gjerësisht një ditë për këtë keqkuptim të fortë dhe idiot, të lindur thjesht nga paranoja, padituria dhe paragjykimi.

Por le të rikthehem tek Hashtagu im.

Hashtagu ka më pak se një vit që funksionon. Kapacitetet tona janë modeste dhe ndodh që unë ja var punës ndonjëherë.

E megjithatë, duke hequr dorë nga modestia, pretendoj se gjatë këtyre 10 muajve i kemi bërë disa punë të paqme.

Nuk e kam fjalën për ato dhjetëra zbulime apo informacione origjinale që ne sjellim çdo javë, se sa për linjën antikonformiste që na karakterizon dhe disa momente ku kemi rezultuar faktor.

Si shembull, çështja e koncesionit të serverit të tatimeve, i cili u  bllokua, çështja e ligjit ?Big Brother Tahiri? që do detyronte me ligj të gjitha bizneset të vendosnin kamera sigurie. Edhe ky projekt u modifikua dhe u bllokua. Ka dhe të tjera si këto.

Por momentin më të rëndësishëm të Hashtagut unë konsideroj qëndrimin tonë unik dhe krejt të ç?kompleksuar në lidhje me reformën në drejtësi.

Madje ishim një hap para opozitës e cila nuk pipëtinte publikisht dhe kompleksohej kur ambasadori amerikan jepte ndonjë deklaratë ?pej koti? krah Gjinit të Portokallisë.

Kush na e jep këtë forcë? Neuronet, do ishte përgjigja ime e sinqertë.  Por mbase na ka dhënë një dorë si pa e kuptuar dhe Adam Smith me ?Pasuria e Kombëve?, apo dhe Rusoi me ?Kontratën Sociale?.

Hashtagu ishte e vetmja media që injoroi atë mitin idiot se ?ambasadorët kanë gjithmonë të drejtë?.

Sot, kemi gjetur një mënyrë të re për të ardhur sërish mes jush, duke pritur të ezaurojmë problemin dhe betejën ligjore për rikthimin e domain-it tonë fillestar.

Do vazhdojmë të bëjmë punën tonë, duke u përpjekur të mbajmë prozhektorët drejtuar nga interesi publik, pa duf, pa inate, krejtësisht të vetëdijshëm për paranojën që shkakton tek pushtetarët një produkt cilësor dhe serioz.

Fatmirësisht unë kam imunitet emocional nga profesioni.

Nuk e urrej Carlo Bollinon. Madje nëse do mendohesha ca, mund të numëroja disa merita të tij, në të kaluarën.

E dua faqen ?Lolita?, e dua dhe Lolitën, por nuk kam qenë për asnjë sekondë pjesë e editorëve të kësaj faqeje.

Mirëkuptoj cilindo që i duhet të më sulmojë me urdhër nga lart. Nuk jam dakord dhe i quaj sulme të pista, por ama jam i vetëdijshëm për paranojën që mund të kem shkaktuar vërdallë.

Si përfundim, dua ta mbyll këtë shpjegim me një bisedë në Whatsapp që zhvillova me një drejtoreshë të Bashkisë së Tiranës, 24 orë para se të më bllokonin Hashtagun.

Anonimatin ja kam borxh zonjës sepse biseda është zhvilluar në kushte konfidenciale.

Në një moment ajo si pa të keq më pyeti:

?Ore me se mbahen portalet, me se jetoni? Me klikime??

Përgjigja që i dhashë zonjës them se mund ta ketë ndihmuar të kuptojë diçka:

?Të gjithë hanë diku, por e rëndësishme është që pjata të mos kushtojë më tepër se fytyra?. /Citynews

 

 





Lajmet e fundit nga