web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Qeveria teknike tek impulset e reja në qeverisje/A e bashkoi Meta më shumë PS-në dhe a po shfaqet si një politikan i pabesueshëm?

19 Gusht 2016, 10:17, Aktualitet CNA

?King-Maker? i politikës shqiptare sikundër është quajtur, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duket se u dorëzua më shpejt nga sa mendohej nga loja e tij për rrëzimin e Edi Ramës nga posti i Kreut të Qeverisë, dhe krijimin e një qeverie teknike, ndoshta me një Kryeministër që do ta komandonte tërësisht vetë.

Një ditë më parë, Meta iu rikthye idesë së impulseve të reja në Qeveri, nëse ato do të ndihmonin në përshpejtimin e reformave, ide kjo e artikuluar prej tij që në fillim të vitit 2015, kur nisi lojën për ndryshimet në Qeveri, deri në dorëheqjen e Nasip Naços nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe emërimin e Ylli Manjanit në këtë funksion. Tashmë Meta, duket se do të nisë të njëjtën lojë, këtë rradhë ndoshta për të tërhequr Edmond Haxhinaston si ministër i Transporteve, apo për të tentuar një rotacion të Ministrive.

Kryetari i Kuvendit  më shumë se 1 muaj më parë e nisi lojën politike, duke shfrytëzuar situatën e krijuar për reformën në drejtësi , duke artikuluar idenë e një Qeverie teknike. Deklarata e Metës, pak a shumë ishte në mbështetje të kërkesës se opozitës, që kërkonte prej 1 viti Qeveri teknike.  Kjo lëvizje, ndoshta jo surprizë e Metës, për shkak të përplasjeve të tij me Kryeministrin, rriti entuziazmin në rradhët e opozitës, por njëkohësisht vuri në lëvizje makinerinë e Kreut të PS-së, Edi Rama, për të garantuar votat ose për një qeveri pa LSI-në, ose krijimin e kushteve për zgjedhje të parakohshme, pa dhënë mundësinë e krijimit të një qeverie teknike. Në krah të tij Meta kishte një ish-deputet të PS-së, dikur mik me Edi Ramën, që pasi humbi mandatin e ligjvënësit u kthye në armik të tij, Koço Kokëdhimën, por edhe Fahri Balliun,I njohur për lidhjet e tij me një pjesë të PD-së. Ndoshta nga ky moment lëvizja e Metës ishte e destinuar për të dështuar, edhe për këtë fakt.

Në pritje të lëvizjes Meta, ishte edhe opozita, e cila shpresonte largimin e tij nga Qeveria dhe krijimin e kushteve për një mocion mosbesimi. Kreu i LSI nisi kontaktet me faktorë të ndryshëm politikë, të rinj dhe të vjetër, duke krijuar në këtë mënyrë bindjen se deklarata e tij për Qeveri teknike nuk ishte as emocionale as një presion, por një lojë e mirëfilltë politike, që mund të çonte në krijimin e një mazhorance të re në parlament, qoftë edhe fluide. Direkt dhe indirekt sinjalet që vinin ishin që në shtator Rama do të rrëzohej nga pushteti, ndërsa sërisht si shpëtimtar po shfaqej Ilir Meta, i njëjti që u shfaq si shpëtimtar edhe i reformës në drejtësi.

Në anën tjetër, brenda pak ditësh Rama arriti të ulte tensionet brenda Grupit Parlamentar të PS-së, madje edhe me deputetë që më parë ai kishte pasur përplasje të forta, deri në përjashtimin nga PS. Përballë Metës, që dukej se po flirtonte me PD-në, porn ë fakt po bënte lojën e tij, socialistët përsëritën skena që edhe më parë kishin ndodhur. Lanë mënjanë akuzat e brendshme, inatet, kritikat, dhe konsoliduan mbështetjen ndaj Edi Ramës. Rreziku këtë rradhë ishte Meta dhe PD. Në këtë kuadër, Rama duhet t?ia dijë për nder Ilir Metës, që qoftë edhe për 1 apo 2 muaj, kritikat kundër qeverisjes pushuan, ndërsa ai fitoi qetësinë, të paktën brenda rradhëve të socialistëve, por arriti të identifikojë edhe aleatët apo deputetët e veçantë mbi të cilët mund të mbështetej në rast të një mocioni.

Pasi llogaritë e numrave flisnin në anën e Ramës, ndoshta jo për meritë të tij, por për shkak se ?King Makeri? i politikës shqiptare kishte nisur një lojë jo të bazuar në parime, por në pazare, Meta duket se u tërhoq duke ulur stekën e lojës, dhe duke iu rikthyer avazit të vjetër për impulse të reja në qeveri. Madje duket se Meta është tërhequr edhe nga vetoja që prej muajsh i kishte vendosur Ramës për të larguar nga kabineti dy ministra, Sajmir Tahirin dhe Damian Gjiknurin, për të cilët ka pasur dyshime se qëndrojnë pas sulmeve mediatike ndaj Kreut të Qeverisë. Por kush njeh mënyrën e funksionimit të partive në Shqipëri, e kupton se çdo sulm ndaj aleatit apo kundërshtarit, nuk vjen nëse nuk ka dhënë ?ok? kreu i partisë.

Dje Ilir Meta tha se LSI është e gatshme për çdo ndryshim, deklaratë që bëhet prej dy vitesh nga Partia e drejtuar nga Meta. Nesër ndoshta nuk është çudi që ai apo dikush tjetër nga kjo parti të deklarojë se ndryshimet janë në dorën e Kryeministrit. Madje nuk është aspak e paparashikuar sikur e gjithë loja e Metës të përfundojë me ndryshimin e vetëm minisrave të LSI-së, duke përdorur të njëjtën skemë si në Qeverinë Berisha, ku ishte në aleancë me PD-në, ku në kabinet të promovojë të tjerë emra apo figura të partisë që drejton, megjithëse Qeveria Rama në rast se zgjedhjet bëhen në kohën e tyre normale, nuk ka më shumë se 1 vit mandat.

Por nga e gjithë kjo lojë, përveç faktit se bashkoi faktorët brenda PS-së, duket se Ilir Meta zhgënjeu opozitën, duke u kthyer në një faktor politik të pabesueshëm, pavarësisht numrit të mandateve që ka në Kuvend. Ndoshta idea për të kapur gjithçka, duke shfrytëzuar pakënaqësitë ndaj Ramës nga brenda PS-së, keqqeverisjen ku ai është pjesë, opozitën që e shikon largimin e Ramës të lidhur me aleancën me Metën, apo edhe faktorë të tjerë social-politikë, Meta mund të ketë krijuar profilin e një politikani apo force politike,  që është më mirë ta kesh përballë sesa ta kesh në krah.

Dhe kjo mund të jetë kostoja që mund të paguajë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku vështirë se mund të bindë me besueshmërinë e tij, apo profilin e një politikani konsensual. /citynews/

 





07:28 Aktualitet

Lushnje/Kapet hajduti

Policia ndalon një shtetas të shpallur në kërkim për veprën ...

Lajmet e fundit nga