web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dokumentet e CIA/ Rivaliteti mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut i nxitur nga Kremlini, ja cilat ishin synimet e Greqisë, Italisë dhe Jugosllavisë

6 Korrik 2016, 09:41, Aktualitet CNA

Dalin në dritë të tjera fakte dhe të fshehta nga periudha e regjimit komunist në Shqipëri. CIA ka zbuluar një dokument të datës 15 nëntor 1951, në të cilin tregohet situata politike e asaj kohe dhe ambiciet e Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë ndaj Shqipërisë. Në dokument evidentohet qartë një rivalitet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Sheut në këtë vit, kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm. Mirëpo për CIA këto rivalitete ishin të pavlera, pasi ata të dy ishin të drejtuar nga Kremlini dhe kishte gisht Bashkimi Sovjetik në çdo lëvizje. Nga ana tjetër, në dokument përshkruhen qëllimet e secilit shtet. Italia vijonte të kishte pretendime territoriale, por më e rëndësishme për të ishte që të zbehej roli i Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë. Jugosllavia nga ana tjetër ishte kundër copëtimit të Shqipërisë, por kërkonte rrëzimin e regjimit komunist, pasi kundërshtonte pretendimet dhe ndikimin sovjetik. Nga ana tjetër, Greqia ka pasur përherë pretendime territoriale. Sipas dokumentit të CIA, grekët synonin një copëtim në tre pjesë të Shqipërisë, ku ata të merrnin Jugun, Veriun Jugosllavia dhe Shqipërinë e Mesme, Italia. Madje thuhet se grekët qëndronin në gatishmëri pasi në çdo rast lufte do të sulmonin për të marrë Jugun e vendit. Po ashtu përshkruhen me detaje dhe lëvizjet e Titos për rrëzimin e regjimit, teksa thuhet se në Beograd operonte një grup i madh shqiptarësh.

Situata në Shqipëri

Me izolimin e saj fizik nga Blloku i Bashkimit Sovjetik, rëndësia e Shqipërisë për BRSS është më shumë e fjetur sesa aktive. Ajo gjendet në një zonë të vjetër të aspiratave sovjetike dhe kontrolli i Shqipërisë është një çështje prestigji, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë dhe dështimit të lëvizjes komuniste në Greqi. Ekonomikisht, Shqipëria është e varur nga BRSS, dhe ka një rëndësi të vogël ushtarake për të. Por nëse komunikimet mbitokësore do të rivendoseshin me orbitën sovjetike, Shqipëria do të rifitonte vlerën e vogël ushtarake që kishte para dezertimit jugosllav. Aktivitetet e rezistencës përbëjnë një shqetësim për regjimin e Hoxhës, por ato nuk janë një kërcënim serioz. Për sa kohë rezistenca është e shpërndarë dhe nuk merr ndihma të konsiderueshme nga jashtë, forcat e sigurisë shqiptare do të kenë sukses ta kufizojnë. Interesat e Italisë, Greqisë e Jugosllavisë në konfliktin e Shqipërisë bëjnë që ato të preferojnë gjendjen aktuale, në vend të një ndryshimi që mund të ishte favorizues për të tjerë. Italia e Jugosllavia kanë pranuar parimisht idenë e krijimit të një Shqipërie të pavarur me kufijtë aktualë, të ndarë nga Bashkimi Sovjetik. Por Greqia për arsye të pretendimeve të saj për Epirin e Veriut, nuk e ka pranuar parimin. Nëse do të arrihet apo jo që tre fqinjët e Shqipërisë të bien dakord të pranojnë Shqipërinë e pavarur, kjo do të varet nga mbështetja që do t?i jepet qeverisë së re nga Fuqitë Perëndimore.

Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik

Para përçarjes mes Jugosllavisë në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë. Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini.

Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve. Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 ?ekspertë? në pozicione të rëndësishme si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë. Me mbështetjen sovjetike, Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t?i vënë më vonë në siklet. Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj, një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik në rast të një zhvillimi të tillë, do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.

Rezistenca ndaj regjimit aktual

Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve ?diversantë? dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare duke zbatuar masa të shumta represive. Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si ?Lidhja Kombëtare e Maleve?, ?Liria?, ?Skënderbeu?, ?Thirrja?, por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës.

Mes grupeve shqiptare në emigracion, më i rëndësishmi duket se është Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, me selinë evropiane në Romë, i cili përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Demokratike Agrare/Balli Kombëtar të cilët kanë më shumë ndjekës në Jug të Shqipërisë, 2) Partia e Legalitetit (pro-Mbretit Zog) e cila është më e fortë në qendër të Shqipërisë, dhe 3) Lidhja e fshatarëve e katundarëve që mbështetet në veri të vendit dhe në provincat jugosllave ku jetojnë shqiptarë. Të gjitha grupet kanë si qëllim krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, por kanë dallime mes njëri-tjetrit për llojin e qeverisë së re. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë kanë qenë vetëm shpërndarje propagande dhe disa përpjekje subversive nga agjentët e tij. Operacioni i tyre më efektiv ka qenë lëshimi i fletëve të propagandës, që ka shkaktuar mjaft eksitim brenda vendit, dhe ka nxitur nota proteste ndaj zyrtarëve italianë apo dhe largim të njerëzve nga Shqipëria.

Interesat e fqinjëve

Shqipëria ka qenë prej kohësh një kockë zënke për fqinjët e saj. Interesat e tyre konfliktohen aq shumë sa nën rrethanat aktuale problemi i Shqipërisë komplikon zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Të tjera probleme si Trieste e Maqedonia kanë më shumë rëndësi në planin afatshkurtër për fuqitë e mëdha, ndërsa Shqipëria do të bëhej e tillë në rast të përmbysjes së pushtetit.

Interesat italiane

Objektivi i Italisë për Shqipërinë ka qenë vendosja e sferës italiane të influencës dhe parandalimi i marrjes së kontrollit nga fuqitë e tjera. Në ndjekje të këtij objektivi, Italia mbështeti krijimin e Shqipërisë së pavarur në vitin 1912 dhe më vonë në 1914 pushtoi ishullin e Sazanit dhe portin e Vlorës. Trupat italiane qëndruan deri në vitin 1920, dhe më pas Italia u detyrua të largohej nga toka shqiptare, por mbajti ishullin e Sazanit të cilin e konvertoi në një bazë të vogël detare. Me paktin e miqësisë dhe sigurisë me Shqipërinë në vitin 1926, Italia vendosi dhe bazat ligjore për sferën e influencës, që u manifestua me anë të huave dhe menaxhimit të shumë ndërmarrjeve kryesore ekonomike të vendit. Ajo gjithashtu pajisi dhe trajnoi forcat e armatosura. Në vitin 1939, Musolini pushtoi Shqipërinë dhe e bashkoi me Italinë, dhe në 1940 nisi prej andej sulmin ndaj Greqisë. Sipas traktatit italian të Paqes në 1947, Italia njihte Shqipërinë e pavarur, lëshoi ishullin e Sazanit dhe hoqi dorë nga të gjitha të drejtat e pronave publike e private në Shqipëri. Por ajo nuk ka hequr dorë nga objektivat kryesorë të mohimit të influencës së fuqive të tjera në Shqipëri. Në qëndrimet e saj zyrtare, Italia thotë se pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti territorial korrespondojnë me interesat e Italisë. Por përpjekjet e saj për përmirësim të marrëdhënieve me qeverinë komuniste nuk kanë bërë progres. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u rivendosën në vitin 1949 dhe megjithë kufizimet e qeverisë shqiptare për ambasadën italiane në Tiranë, edhe Italia nuk kërkon një afrim mes tyre. Italia duket se kërkon të rifitojë influencën e saj në vend me anë të grupit pro-italian të emigracionit Blloku Kombëtar Indipendent, liderët e të cilit kanë bashkëpunuar me Italinë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe gazeta e tyre mbështetej nga fonde të marinës italiane. Aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara por disa anëtarë të tyre janë hedhur me parashutë në Shqipëri për të organizuar rezistencën, kabotazhe dhe aktivitete të tjera anti-qeveritare. Italia i trembet më shumë influencës pro-jugosllave në rast të përmbysjes së regjimit, dhe për evitimin e kësaj preferojnë gjendjen aktuale, dhe jo vakumin e pushtetit.

Interesat greke

Interesat greke në Shqipëri përqendrohen në pretendimet për Jugun e Shqipërisë, të cilin Greqia e pushtoi në vitet 1912-1916 dhe për të cilën kanë pretenduar lidhje historike, etnike, strategjike e ekonomike. Grekët gjithashtu kujtojnë se Shqipëria u përdor si bazë për sulmin italian mbi ta në 1940, si dhe në vitet e pasluftës për aksione komuniste guerile. Edhe aktualisht Shqipëria përdoret si bazë e infiltrimit të agjentëve komunistë në Greqi. Edhe Greqia ashtu si Italia dhe Jugosllavia po kërkon të avancojë politikat e saj me anë të grupeve të refugjatëve shqiptarë në vend. Refugjatët shqiptarë në Greqi janë kryesisht nga Jugu i vendit dhe me sa duket janë përqendruar në kampe refugjatësh në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Deri në momentet që flasim përpjekjet e tyre kanë konsistuar në fushën e spiunazhit, propagandës dhe inkurajimit të operacioneve kundër regjimit. Disa prej tyre në kampin e Janinës raportohet të kenë krijuar njësi ushtarake, që rrjedhimisht mund të përdoren për ndërhyrje në Jug të Shqipërisë. Për Greqinë, zgjidhja ideale e problemit është ndarja e Shqipërisë mes Italisë e Jugosllavisë. Ata janë gjithashtu vigjilentë ndaj dominimit të mundshëm të Italisë e Jugosllavisë, dhe në rast të një ndërhyrjeje ushtarake nga Jugosllavia, ata menjëherë do të futen për të pushtuar zonën jugore të vendit (Epirin e Veriut). Për momentin, në mungesë të garancive të Aleatëve kundër një dominimi jugosllav apo italian, ata preferojnë gjendjen aktuale të paqartësisë, për sa kohë që regjimi i Hoxhës nuk kryen një luftë guerile ndaj Greqisë.

Interesat jugosllave

Serbia kundërshtoi parimisht pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1012 deri në 1918. Pas Luftës së Parë Botërore, jugosllavët pushtuan Shqipërinë deri në vitin 1921, ndërsa në vitin 1926 Jugosllavia pranoi kufirin shqiptar të përcaktuar në 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, dominimi italian e pengoi Jugosllavinë të ushtronte influencë. Por situata ndryshoi shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur regjimi i Titos me anë të komunistëve shqiptarë mori kontrollin e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Tito ushtronte kontrollin me anë të emisarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare Shqiptare dhe prej vitit 1944 deri më 1948 Shqipëria ishte një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948, Hoxha e ndau vendin nga varësia prej Jugosllavisë pas konfliktit mes regjimit të Titos dhe Kominform (Zyrës Ndërkombëtare të Informacionit të Vendeve Komuniste). Prej vitit 1948, Tito mbrojti parimin e një Shqipërie të pavarur e sovrane, duke dënuar pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Jugosllavia i trembet më shumë rivendosjes së influencës italiane në Shqipëri. Në muajt e fundit, mjetet jugosllave të propagandës kanë akuzuar Italinë për inkurajim të planeve etnike shqiptare të përfshirjes së Kosovës dhe Metohijes në Shqipërinë e pavarur, me anë të grupeve të shqiptarëve të emigracionit atje. /SOT





Lajmet e fundit nga