web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Valentina Duka shpall platformën për dekane e Fakultetit Histori-Filologji

12 Prill 2016, 10:57, Aktualitet CNA

Valentina Duka shpall platformën për dekane e Fakultetit Histori-Filologji

Historiania Valentina Duka është në garë për tu zgjedhur si dekane e fakultetit Histori-Filologji. Ajo ka shpallur sot platformën dhe drejtimet kryesore ku do të përqendrohet mandati i saj.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Duka shkruan:

Të dashur kolegë,

Siç jeni në dijeni, unë kam vënë kandidaturën për dekane të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Për të qenë e sinqertë me ju, e di që është një përgjegjësi jo e lehtë të drejtosh një institucion pionier të arsimit të lartë në Shqipëri, një fakultet simbol të Universitetit të Tiranës. Megjithatë, eksperienca që kam në drejtim si dhe besimi i palëkundur në mbështetjen e stafit akademik pjesë e të cilit jam prej vitesh, më japin optimizmin dhe sigurinë e duhur për ta kryer me sukses këtë detyrë të rëndësishme.
Vizioni im për katërvjeçarin e ardhshëm të fakultetit konsiston në modernizimin e tij të gjithanshëm, në përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së procesit mësimor dhe të punës kërkimore, duke e bërë institucionin tonë gjithnjë e më konkurues në sistemin e arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare në tërësi.
Në funksion të këtij vizioni përpjekjet tona gjatë këtij mandati do të përqëndrohen në këto drejtime kryesore:

1. Mbështetje e gjithanshme e pedagogëve për të rritur më tej performancën në mësimdhënie dhe kontributin e tyre në kërkimin shkencor. Për këtë qëllim, kujdes i veçantë do të tregohet për:

a. Krijimin e një mjedisi pune më të përshtatshëm.
b. Përmirësimin domethënës të trajtimit financiar (rritje pagash dhe honoraresh).
c. Krijimin e mundësive të reja për akses më të gjërë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare.
ç. Stimulimin e kualifikimit akademik dhe të avancimit në karrierë për të gjithë pedagogët.
d. Eksplorimin dhe zbatimin pa ngurrim te mekanizmave ligjorë për rritjen e pjesëmarrjes së pedagogëve në vendimmarrje.

2. Vendosja e studentëve dhe interesave të tyre në epiqendër të interesimit të të gjitha hallkave drejtuese të fakultetit. Për këtë qëllim, kujdes i veçantë do të tregohet për:
a. Intensifikimin e bashkëpunimit dhe konsultimit me përfaqësuesit legjitimë të studentëve.
b. Përmirësimin dhe thjeshtimin e procedurave për akses më të shpejtë në sistemin e vlerësimit dhe të kontrollit.
c. Krijimin e mundësive të reja për pjesëmarrjen e studentëve në veprimtaritë shkencore të fakultetit.
ç. Përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për veprimtari kulturore, sportive dhe argëtuese të studentëve.
d. Krijimin e një tradite të shëndoshë të shkëmbimeve studentore mes fakultetit tonë dhe universiteteve te tjera te trojeve shqiptare.

3. Përmirësim dhe modernizim i mëtejshëm i infrastruktures së fakultetit. Për këtë qëllim, kujdes i veçantë do të tregohet për:
a. Shtimin e kapaciteteve akomoduese për studentët dhe pedagogët, në mënyrë që të ato të përputhen me standartet e sotme të arsimit të lartë.
b. Rritjen e përpjekjeve për pasurimin me literaturë bashkëkohore të bibliotekës së fakultetit dhe të bibliotekave të departamenteve, në libra dhe në burime te dixhitalizuara.
c. Sigurimin e mundësive të reja për akses në bibliotekat e njohura elektronike të botës.

4. Thellim dhe zgjerim i mëtejshëm i marrëdhënieve të jashtme të fakultetit. Për këtë qëllim kujdes do të tregohet për:
a. Pjesëmarrje të shtuar në programet e BE-së.
b. Zgjerim të shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve me institucione të huaja partnere.
c.Shtim të veprimtarive kërkimore dhe shkencore të përbashkëta me institucionet e lartpërmendura.
ç. Organizim të programeve të përbashkëta në nivel Masteri dhe Doktorate me institucione të huaja partnere.

5. Mbështetje të veçantë do të gëzojë administrata e fakultetit.
Do të rritet më tej efiçenca e punës së saj dhe do të shihen seriozisht mundësitë që jep ligji për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të administratës.

Të dashur kolegë,
Unë kam bindje të plotë se synimet e lartpërmendura mund të arrihen. Mund të arrihen sepse fakulteti ynë ka një staf akademik të kualifikuar, një traditë të fuqishme që lidhet në radhë të parë me personalitete të shquara të shkencës e të kulturës sonë kombëtare, profesorët e nderuar Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi e Shaban Demiraj, shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare, etj. Një falenderim i merituar shkon sot edhe për drejtuesit e deritanishëm të fakultetit, të cilët me punën e tyre plot përkushtim, kanë krijuar një pikëmbështetje solide për të shpënë përpara institucionin drejt synimeve të reja.
Unë dua t?ju garantoj se në themel të filozofisë sime të drejtimit të fakultetit do të jetë krijimi i një atmosfere të shëndoshë pune, i një klime të vërtetë bashkëpunimi, tolerance e mirëkuptimi, ku secili nga ne të ndjehet i realizuar e optimist. Nëse ju të nderuar kolegë e studentë, me vullnetin tuaj të lirë, më jepni shansin për të qenë në drejtim të fakultetit për katër vjetët e ardhshëm, unë kam vetëm një përgjigje për ju: do të jem plotësisht e përkushtuar për të justifikuar besimin tuaj, tërësisht e vendosur për të realizuar synimet e parashtruara më sipër.

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj suksese të reja.

Miqësisht,

Valentina Duka





Lajmet e fundit nga