web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Intervista/ Bedri Hoxha: Rama tentoi të më blinte, oferta edhe kolegëve të mi në PD

27 Shkurt 2016, 07:09, Aktualitet CNA

Deputeti demokrat i qarkut të Dibrës, Bedri Hoxha ka deklaruar se ai ka qenë subjekt i tentativës për t’u blerë nga mazhoranca. Në një intervistë për Gazetën Sot, Hoxha shprehet se ka patur oferta për t’u ‘shitur’, për të kaluar me Partinë Socialiste ose në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas deputetit demokrat, Kryeministri Edi Rama kërkon të kontrollojë çdo gjë në vend.

Çfarë po ndodh me Rrugën e Arbrit? Pse është bllokuar projekti i miratuar në Kuvend?  

Rruga e Arbrit ishte një projekt i përfunduar nga ana teknike nga PD, një projekt i realizuar në një farë mase dhe në pjesën më të madhe të gjatësisë nga PD, por që nuk mundi të konkretizohet për shkak të situatës ekonomike, për shkak të financimeve dhe ne në korrik të vitit 2013 e lamë Rrugën e Arbrit në atë fazë që është sot, dhe pothuajse me negociata të përfunduara me qeverinë kineze. Pas këtij moment, me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, Rruga e Arbrit ishte një nga pikat kryesore të PS në Dibër, që do të përfundojë që në vitet e para të mandatit. Sot që ne po flasim është viti i fundit buxhetor të kësaj mazhorance dhe kryeministri dhe ish-ministri i Financave premtuan për qytetarët e Qarkut të Dibrës, pra është një premtim, siç janë të gjitha premtimet e pa mbajtura të kësaj mazhorance. Nga informacionet që unë kam, duke qenë se jam pjesë edhe e delegacionit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë, me kryetar të këtij grupi është z. Koço Kokëdhima, deputet i PS, sabotimi i kësaj rruge vjen pikërisht nga këto segmente. Unë kam informacion që Rruga e Arbrit nga 220 milionë euro për këtë segment të papërfunduar, nga Zall-Bastari deri tek Ura e Vashës, nga 220 milionë euro, vlera e këtij projekti është rishikuar dhe është mbi 280 milionë euro, ndoshta dhe 300 milionë euro, çka le shkas për të dyshuar që pas këtij projekti të parealizuar mbetet një tentative e parealizuar korrupsioni nga qeveria nga Rama dhe qeveria shqiptare.

Si është situata me investimet në dy vitet e fundit në Qarkun e Dibrës?  

Fatkeqësisht por dhe fatmirësisht, ne kishim një ministër Financash, deputet i Qarkut të Dibrës dhe kishte mundësinë që të bënte diçka për këtë qark. Por, në të vërtetë ish-ministri i Financave nuk bëri asgjë për Qarkun e Dibrës. Unë jam deputet i rrethit të Matit, e gjitha historia e tyre e investimeve ka ngelur në nivelin e fasadave, duke lyer ca ndërtesa. Ky investim është pjesë e filozofisë së kësaj qeverie që të lyej dhe të mashtrojë. Qytetarët e Qarkut të Dibrës zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri, familjet e qytetit të Burrelit nuk kanë se çfarë të konsumojnë në tryezat e tyre, sot qytetarët shqiptarë po ikin nga sytë këmbët, varfëria është ulur këmbëkryq. Këtë nuk e them unë si deputetet i opozitës, por është një fakt që e tregojnë gjithë qytetarët, edhe nga socialistët, edhe nga demokratët, edhe nga ballistët etj. Pra, pa përjashtim varfëria është një sëmundje, është një kancer që i ka pllakosur të gjithë për shkak të keqqeverisjes. Marrëzia e kësaj qeverie ka arritur kulmin.

Ditën e enjte ju ishin protagonist i përplasjeve dhe rrëmujës në seancën plenare. Pse e qëlluat Edi Ramën me vezë?

Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera dhe më demokratike të botës. Çfarë ndodh zakonisht kur goditet një kryeministër, fyet një kryeministër? Ky është një veprim që transmetohet nga revolta e qytetarëve dhe këtë e bën edhe opozita në Parlament, transmeton atë çfarë reflekton populli poshtë. Unë e kam thënë edhe më parë, si mund të krahasohet një deputet që gjuan me vezë me një deputet që përdorë armë në komisariatet e policisë, vret njerëz. A ka balancë kjo? A mund të më thoni ju se si në një shtet demokratik, kur një deputet është arrestuar në flagrancë, ka plagosur njerëz, të plagosurit, të dhunuarit qëndrojnë sot në qelitë e burgjeve të këtij shteti dhe janë arrestuar, deputeti që ka vrarë është i lirë dhe vjen në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është kulmi. Dhe këtu ka vetëm një përgjegjës dhe ky është Edi Rama. Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me banda, me kriminelë, me njerëz që janë përfshirë në prostitucion, dhe këtë nuk e them unë, e thotë SHBA, BE. E tha edhe para dy ditësh, Knut Fleckenstein, si ka mundësi që ka hyrë në Parlament Armando Prenga, që në fakt nuk e ka emrin Armando. Edi Rama na fyeu në Parlament, dhe kjo nuk ishte hera e parë që ai më fyen mua personalisht, e ka bërë edhe disa herë të tjera. Ndaj ne protestuam, bllokuam foltoren pasi kishim disa kërkesa të ligjshme, që të ndalohet që në Kuvendin e Shqipërisë të futen njerëz, deputetë që janë arrestuar në kushtet e flagrancës. Kuvendi në prill ndaloi që mandati i Koço Kokëdhimës të shkojë në Kushtetuese, çfarë ndodhi pas disa muajsh? Me një vendim, Kushtetuta rrëzoi vendimin e Kuvendit dhe e mori në gjykim çështjen për të parë ndershmërinë e këtij deputeti. Ne kemi paraqitur prova të pakontestueshme që Koço Kokëdhima ka përfituar fonde publike. Çfarë është përgjigja që duhet të japim ne? A duhet t?i bindemi këtij Parlamenti me kriminelë, që merr vendime antikushtetuese? Unë them unë jo! Po këtu ke deputetë të tjerë, Valentina Leskaj, Rakip Sulin dhe të tjerë. Në Shqipëri një gjë është e sigurt, ligji është Rama, gjykata është Rama, prokuroria është Rama. Ne nuk pajtohemi më këtë. Ju jeni dëshmitar, Edi Rama u bën presion gjyqtarëve. Rama merr në telefon gjyqtarët dhe u thotë do t?ju shkurtojë këmbët. Që këtu shteti ligjor ka marrë fund. Unë kam marrë pjesë në disa seanca dhe nuk jam lejuar të merrem në pyetje. Dhe dënohen Albana Vokshi apo Edi Paloka sepse denoncojnë aferat korruptive. A ka shkallë krahasimi në këtë mes, si mundet një deputet që të mbaj një armë pa leje, të qëllojë në mes të komisariatit dhe ai të vijë në Parlament, dhe unë të mos gjuaj me vezë? A ka të krahasuar kjo? Ne qëlluam me vezë pasi ai në fyeu, fyeu deputete me fjalë banale dhe mua më ka fyer disa herë.

A jeni penduar për sulmin ndaj kryeministrit?  

Absolutisht jo, nuk jam penduar.

A kanë shteruar të gjitha mjetet e tjera të komunikimit me mazhorancën në Parlament, që keni arritur deri tek sulmi me vezë?

Unë e kam bindjen e plotë që në këto gati tre vjet qeverisje të kësaj mazhorance, konsensusi dhe kompromisi nuk kanë qenë pjesë e atij Parlamenti, saqë unë shpesh herë në ato vende ku nuk më njohin, nuk u them se çfarë pune bëj. Sinqerisht po ju them, më vjen turp që t?u them se jam deputet në atë Kuvend, ku ka deputetë që nuk dinë ta shkruajnë shqipen mirë. Në këtë standard e ka vendosur vetëm Edi Rama. Askush tjetër.

Si e komentoi vendimin e Kuvendit për t?ju pezulluar nga Kuvendi për 7 ditë? Kjo është kërkuar nga PS…  

Nuk është një vendim i papritur. Ju e kujtoni çfarë ndodhi me deputetin e Laçit kur hoqi rripin në Kuvendin e Shqipërisë ku goditi Edi Palokën. Mos harroni, në Kuvendin e Shqipërisë është goditur Azem Hajdari. Mbajnë kobure në brez edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj, ky vendim për të na përjashtuar tregon degradimin e kësaj mazhorance. Ka frikë nga vetja, ka frikë nga jeta. Pse ndodh kjo? Ju keni parë që edhe në Parlamente të tjera, deputetët kanë reaguar edhe me mjete të tjera. Në fund të fund, kjo është revolta e qytetarëve ndaj këtij kryeministri që qytetarët i konsideron një hiç.

Çfarë plani keni për seancat e ardhshme parlamentare. A do të ketë sërish sulme me vezë apo mjete të tjera?  

Ne do t?i përshkallëzojmë qëndrimet tona në Kuvendin e Shqipërisë. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që ky Kuvend të mos zhvillojë seanca normale me një kryeministër që sot është në minorancë, nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, ky kryeministër nuk do të ketë qetësi, nuk do të zhvillojë asnjë seancë normale, siç zhvillon çdo Kuvend normal, ku shpalosen projekte, ide dhe këto të fundit merren me vota të shumicës, siç është norma demokratike. Si mund të qëndrohet në një Kuvend të tillë me kriminelë? Edi Ramës nuk i dalin 19, i dalin dy por aty ka edhe kriminelë të tjerë të padukshëm, që nuk përdorin koburen, por përdorin paratë. Këta janë më të rrezikshëm për mua. Ka shumë të tillë në Kuvendin e Shqipërisë.

A ekziston një ide për të ndjekur modelin e opozitës kosovare në Kuvend?  

Rrethanat në Kosovë janë krejt të ndryshme. Unë jam i mendimit që çështjet që ngrihen në Kosovë, janë krejt tjetër nga ato që ngrihen në Kuvendin e Shqipërisë. Atje ka sot probleme etnike, atje është sot çështja e demarkacionit, janë çështje që janë shumë e shumë më të rëndësishme. Ne kemi disa çështje të tjera por që për qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë thelbësore. Në Shqipëri sot e drejta e jetës është e cenuar nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë që drejtohet nga dy bashkëkryetarë, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Nuk ka autor tjetër sot në Shqipëri për këtë situatë ekonomike, për këtë situatë të rëndë varfërie, për këtë situatë të rëndë kriminaliteti, çdo ditë vrasje, dhunime. Pse janë rritur grabitjet? Dhe në zonën time elektorale u grabitën pensionet. Pse u grabitën? U grabitën për shkak të varfërisë. Çdo ditë dalin raportime që flasin për rritje të kriminalitetit në vend. Në Shqipëri ka varfëri ekstreme. Shtylla kurrizore e këtyre të dhënave është Edi Rama. Nuk ka njeri tjetër, se ky njeri në vitin 2013 është i lidhur me bandat, e sponsorizojnë gjithë bandat e krimit në Shqipëri. Unë dua të përmend edhe një fakt tjetër. Kjo mazhorancë nuk është mazhorancë reale. Kjo është mazhoranca e blerë. Ju jeni dëshmitar që kjo mazhorancë në qershor të 2013 arriti 84 deputetë. Pasi këtij momenti Edi Rama nuk la gjë pa bërë për të blerë deputetë dhe arriti të blejë, duke prishur balancat, duke prishur dhe atë votë popullore që qytetarët dhanë. I kishin 84 mandate për të bërë ato reforma por që në të vërtetë nuk do të bëhen. Donte të bënte reformë në drejtësi, reformën administrative siç e bëri, ashtu siç e ka bërë me këtë trafikim deputetësh në Parlament. Unë kam qenë subjekt i kësaj tentative të blerjes nga kjo mazhorancë. I kam pasur gjithë ato oferta për t?u shitur, për të kaluar majtas apo për të kaluar tek LSI. Por, një gjë e tillë as nuk ndodhi dhe as ka për të ndodhur ndonjëherë. Kjo është metoda e Edi Ramës. Edi Rama kërkon të kontrolloj çdo gjë në këtë vend.

Ju po bëni një deklaratë shumë të rëndë. Po thoni se ju kanë bërë ofertë për t?ju blerë. A ka ndodhur kjo edhe me kolegë të tjerë? A ka tentuar Rama të blejë edhe deputetë të tjetër të Partisë Demokratike?  

Po, ka tentuar. Me aq informacion sa kam unë, ka ndodhur edhe me kolegë të tjerë por nuk ia ka arritur qëllimit. Edi Rama duhet ta harrojë një gjë, që ndryshimet kushtetuese dhe reforma në drejtësi nuk mund të jenë kurrë një armë që ai nesër do ta ketë në dorë. Ne si opozitë jemi të prerë dhe kategorik që reforma në drejtësi është e domosdoshme, është një reformë që duhet të kryhet sipas standardeve të BE.

Kur ka tentuar Rama t?ju blej?  

Ka ndodhur.

A ka tentuar Rama t?ju blejë për të votuar reformën në drejtësi apo edhe për reforma të tjera?  

Rama i ka bërë këto demarshe.

A jeni pro apo kundër dorëzimit të mandateve të Sali Berishës dhe të Jozefina Topallit?  

Z. Berisha dhe zonja Topalli u shprehën, dhe me të drejtë se si është bërë ky parlament nuk ke për çfarë e do atë mandat. Nuk mundet një Kuvend, një areolë që është mençuria e kombit shqiptar të bashkëjetojnë edhe intelektualizmi edhe krimi. Jam krejtësisht dakord me vendimet që do të marrë grupi parlament i Partisë Demokratike. Ky parlament që është sot nuk e ka as të drejtën morale, as ligjore që të kryejë reformat e mëdha, pasi reformat e mëdha nuk mund të kryhen me kriminelë. Reformat e mëdha i përkasin burrave të mençur dhe intelektualëve të cilit krah qofshin ata. Edhe në vitin 1997 nuk është diskutuar ndonjë herë që të ketë kriminelë. Kjo sot është e provuar.





Lajmet e fundit nga